Kanada - Emërohen pesë senatorë të rinj në dy provinca atlantike
- Published in Kanada

Me propozim të kryeministri kanadez Justin Trudeau, Guvernatorja e Përgjithshme Mary Simon ka emëruar dje (31.10.) pesë senatorë të rinj që do të plotësojnë vendet vakante që u takojnë në Senat dy nga katër provincave atlantike. Në Nova Scotia është emëruar avokati akadian Réjean Aucoin, nga Chéticamp si dhe ish-deputeti liberal federal Rodger Cuzner. Ndërkohë, në New Brunswick janë emëruar Joan Kingston, John McNair dhe Krista Ross.
Réjean Aucoin, i cili ka mbi 30 vjet përvojë si avokat, njihet si mbështetës i zhvillimit të komuniteteve në të gjithë Nova Scotia-n. Ai është gjithashtu themeluesi dhe presidenti në largim i Shoqatës së Juristëve frankofonë të provincës.
Réjean Aucoin
Rodger Cuzner, i zgjedhur për herë të parë deputet i Partisë Liberale në vitin 2000, e ka përfaqësuar provincën Nova Scotia për 19 vjet në Dhomën e Komunave. Ai gjithashtu ka shërbyer si Konsull i Përgjithshëm i Kanadasë në Boston të SHBA nga 2020 deri në 2023.
Rodger Cuzner
Infermiere me profesion Joan Kingston, ka qenë deputete e Partisë Liberale në Asamblenë Legjislative të New Brunswick nga viti 1995 deri në 1999 si dhe ka ushtruar detyrën e ministres së Mjedisit dhe më pas të ministres së Punës. Ajo gjithashtu ka advokuar gjithmonë në mbështetje të profesionistëve të infermierisë, shëndetit të komunitetit dhe shëndetit të grave.
Joan Kingston
Avokati John McNair ka qenë anëtar bordi i disa organizatave bamirëse dhe jofitimprurëse në New Brunswick. Deri tani së fundi, ai ka ushtruar detyrën e avokatit të përgjithshëm dhe sekretarit të përgjithshëm pranë Service New Brunswick.
Krista Ross
Sipërmarrësja Krista Ross ka punuar për rreth 20 vjet në Dhomën e Tregtisë të Fredericton, kryeqyteti i New Brunswick. Ajo gjithashtu ka qenë anëtare bordi e disa organizatave jofitimprurëse lokale dhe provinciale.
© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada