Kanada

Deri tani asnjë kanadez në listën e të huajve që u lejuan të largohen nga Gaza

  • Published in Kanada

Sipas medias shtetërore Radio-Canada, asnjë qytetar kanadez nuk figuronte në listën e më shumë se 400 shtetasve të huaj që do lejoheshin të largoheshin nga Gaza sot (01.11.) për herë të parë që nga fillimi i luftës midis Izraelit dhe Hamasit. Media në fjalë, duke u referuar komunikimit me disa të interesuar, ka parashtruar pyetjen se çfarë po bën në të vërtetë qeveria kanadeze për të ndihmuar qytetarët e saj të bllokuar në enklavën palestineze të rrethuar totalisht.

Së fundi është arritur një marrëveshje për të lejuar disa qindra mbajtës të pasaportave të huaja, si dhe disa të plagosur, të largohen nga Rripi i Gazës drejt fqinjit jugor Egjiptit. Nga ana e tij, Bordi i Kalimit Kufitar të Gazës publikoi një listë të atyre që do të lejoheshin të largoheshin nga territori, duke përfshirë shtetas të Australisë, Austrisë, Bullgarisë, Republikës Çeke, Finlandës, Indonezisë, Japonisë dhe Jordanisë. Në listë nuk figuronte asnjë shtetas kanadez.

Në Ottawa, kryeministri Justin Trudeau deklaroi se qeveria po insiston që qytetarët kanadezë të lejohen të largohen nga Gaza. “Natyrisht, ne vazhdojmë të dënojmë pa mëdyshje terrorizmin e urryer të Hamasit dhe të njohim të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten, por çmimi i drejtësisë nuk mund të jetë vuajtja e vazhdueshme e të gjithë civilëve palestinezë. Ne kërkojmë lirimin e pengjeve, dërgimin e ndihmës humanitare dhe daljen e kanadezëve dhe familjeve të tyre nga Gaza përmes kalimit në Rafah.”, u shpreh ai.

Mansour Shouman, një shtetas kanadez që ndodhet momentalisht në Gaza me gruan dhe pesë fëmijët e tij, i pohoi Radio-Canada se nuk e kuptonte pse Ottawa ka mbetur kaq prapa shumë qeverive të tjera. “Turp për ta. Kjo nuk është qeveria kanadeze që ne votuam, ajo që mbështet të drejtat e njeriut. Kjo qeveri ishte shumë aktive në evakuimin e izraelito-kanadezëve që nga dita e parë. Historia nuk do ta harrojë këtë”, deklaroi ai në një intervistë telefonike, teksa sirenat u dëgjuan në sfond dhe ai u nis të strehoej bashkë me familjen në një spital në jug të Gazës. Shouman u bëri thirrje qytetarëve kanadezë që t’i bëjnë presion qeverisë Liberale për të ndihmuar në evakuimin më të shpejtë të kanadezëve nga Gaza dhe për të denoncuar luftën.

Mansour Shouman, i cili ka lindur në Gaza, ka jetuar në Calgary për më shumë se një dekadë dhe e ka fituar shtetësinë kanadeze në vitin 2006. Në vitin 2020 ai vendosi të kthehej për të jetuar në Gaza. Ai shpreson se gruaja dhe fëmijët e tij do të evakuohen drejt Kanadasë, ndërsa vetë do të qëndrojë ende atje.

Kujtojmë që Ottawa organizoi muajin e kaluar fluturime evakuimi nga Izraeli drejt Athinës për qytetarët kanadezë, rezidentët e përhershëm dhe familjarët e tyre. Global Affairs Canada ka konfirmuar gjithashtu se që nga fillimi i konfliktit ka ndihmuar deri tani 65 shtetas dhe rezidentë të përhershëm të largohen nga Bregu Perëndimor. Agjencia federale gjithashtu ka deklaruar se është në kontakt me 70 shtetas apo rezidentë të përhershëm kanadezë që ndodhen ende atje.

Mahmoud Saleh, një tjetër shtetas kanadez i cili ndodhet në Gaza me gruan e tij shtatzënë, pohoi se është i zhgënjyer me qeverinë e tij dhe dëshiron të largohet sa më shpejt të jetë e mundur. “Nuk e di se çfarë po presin, gjithçka është e pabesueshme, skenat janë krejtësisht të llahtarshme, të gjithë strehoen në çadra, nuk ka energji elektrike dhe ka një mungesë të theksuar uji”, tha Saleh, duke shtuar se prej më shumë se dy javësh nuk ka marrë asnjë lajm nga qeveria kanadeze dhe dy ditë më pare i ka mbijetuar një bombardimi.

Radio-Canada ka komunikuar gjithashtu me një tjetër shtetase kanadeze me origjinë palestineze, Dalia Salim, e cila jeton në London, Ontario. Kjo e fundit po përpiqet të evakuojë babanë e saj 66-vjeçar nga Gaza, gjithashtu me shtetësi kanadeze. Ajo u shpreh e habitur nga fakti që asnjë kanadez nuk ishte në grupin e parë të të huajve që u lejuan të largoheshin nga enklava palestineze. “Mendova se kur shpall hapja e kufirit, Kanadaja do ta bënte evakuimin e shtetasve të vet prioritetin e saj kryesor”, komentoi ajo.

Zonja Salim, e cila ka qenë në kontakt me Global Affairs në emër të babait të saj, i përshkroi komunikimet e qeverisë kanadeze si të çorganizuara, sepse deri tani ka marrë email-e vetëm për evakuimet nga Izraeli, ndërkohë që babai i saj ndodhet në Gaza. “Njerëzit po vihen në rrezik për shkak të këtij çorganizimi”, u ankua ajo, duke shtuar se babai i saj ndodhet në Gaza për t’i ardhur në ndihmë nënës së tij të moshuar dhe nuk mund të presë pambarimisht në pikën kufitare të Rafah. “Babai im e kalon ditën duke u përpjekur të gjejë ujë të pijshëm dhe ushqim të konservuar për familjen. Kjo është pikë për pikë mënyra se si e shpenzon ditën ai”, ishin fjalët e saj.

Ndërkohë, një zëdhënës i Bordit të Kalimit Kufitar të Gazës pohoi që sot në mesditë (01.11.) gjashtë autobusë me 335 mbajtës të pasaportave të huaja u larguan nga Gaza përmes vendkalimit Rafah për në Egjipt. Agjencia palestineze sqaroi gjithashtu se plani fillimisht parashikonte që më shumë se 400 mbajtës të pasaportave të huaja të evakuoheshin drejt vendit fqinj.

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Foto: The Canadian Press/Hatem Ali