Qeveria kanadeze vendos: Nga 2025 pragu i imigracionit do jetë 500,000 në vit
- Published in Kanada

Qeveria federale e Kanadasë ka deklaruar dje (01.11.) se do vazhdojë të ketë si objektiv për vitin 2025 arritjen e pragut prej 500,000 të ardhurisht të rinj, prag i cili nuk do të ndryshojë gjatë viteve në vijim. Ottawa synon t’i përzgjedhë më me skrupulozitet kanadezët e rinj, në mënyrë që të plotësojë mungesën e fuqisë punëtore duke respektuar kapacitetin pritës të provincave.
Në konferencën e djeshme për mediat, ministri i Imigracionit, Refugjatëve dhe Shtetësisë, Marc Miller, konfirmoi rritjen e kuotës së imigracionit për të ardhurit e rinj vitin e ardhshëm në shifrat 485,000 dhe më pas vendosjen, nga viti 2025, të një maksimumi prej gjysmë milioni banorësh shtesë. Sipas tij, ky vendim i lejon Kanadasë të sjellë krahun e punës të nevojshëm për të plotësuar nevojat e industrive të ndryshme, përfshirë sektorin kritik të ndërtimit, në një kontekst krize të strehimit dhe objektivi i shpallur 500 mijë emigrantë në vit, është rezultat i konsultimeve të shumta të kryera në të gjithë vendin me aktorë të ndryshëm socialë, politikë dhe ekonomikë.
Marc Miller
Ministri saktësoi se shteti kanadez dëshiron të planifikojë më mirë integrimin e këtyre të ardhurve, për ta bërë njëkohësisht më të lehtë procesin e akomodimit të tyre. “Ne kemi nevojë për një plan gjithëpërfshirës dhe të koordinuar të rritjes së popullsisë në të gjithë territorin e Kanadasë”, deklaroi ai, duke pranuar nga ana tjetër se deri më tani, Ottawa nuk i ka shqyrtuar mjaftueshëm ndikimet makroekonomike të imigracionit, çka ndihmon për të koordinuar më mirë fluksin e të ardhurve të rinj me nevojat e tregut të punës.
Emigracioni, strehimi dhe frankofonia
Pse të vendoset kufiri në 500,000, në vend që të zgjidhet një objektiv më pak ambicioz? A nuk ka një presion që do t’i shtohet ende stokut kanadez të pronave të paluajtshme dhe të banesave me qira, tashmë në krizë? I pyetur disa herë për këtë temë, ministri Miller e hodhi poshtë ekzistencën e një lidhjeje të drejtpërdrejtë shkak-pasojë midis imigracionit dhe krizës së strehimit. “Nga rezidentët e rinj të përhershëm për ketë vit, 35% tashmë janë këtu dhe janë të strehuar”, pohoi ai. Miller theksoi gjithashtu se industria e ndërtimit mund të ketë nevojë së shpejti për 100,000 punëtorë shtesë, në mënyrë që përmes ndërtimeve të reja të arrihet ekuilibri në tregun e banesave.
Në mesin e shtatorit të kaluar, Korporata Kanadeze e Hipotekave dhe Strehimit parashikoi se për të zgjidhur krizën e strehimit do të duhet të ndërtohen 3.5 milionë banesa të reja deri në fund të dekadës. Ndërkohë, industria e ndërtimit po ngadalësohet dhe fillimi i ndërtimeve të reja po pakësohet ndjeshëm, veçanërisht për shkak të inflacionit.
Yves-François Blanchet
Ministri i Imigracionit përmendi gjithashtu një rritje të objektivave për frankofonët që do vendosen jashtë Québec. Kësisoj, Ottawa do të synojë një normë prej 6% për këtë kategori të ardhurish, në vitin 2024. Ky prag mund të rritet në 7%, në 2025, pastaj në 8%, në vitin 2026. Ndërkohë, organizatat e frankofonëve jashtë Québec i kanë vlerësuar këto kuota si të pamjaftueshme.
Nga ana e tij, kreu i Bllokut Québécois, Yves-François Blanchet, reagoi përmes një deklarate për mediat në të cilën u shpreh se “Ottawa i ka përcaktuar pragjet për imigracionin pa u konsultuar me Québec apo provincat dhe territoret”. Sipas Blanchet, ministri Miller duhet të diskutojë me Québec për të kuptuar se cilat janë vështirësitë për të realizuar një imigracion të suksesshëm në lidhje me kujdesin shëndetësor, arsimin, shërbimin e çerdheve dhe kopshteve, strehimin, transportin publik, por mbi të gjitha me përvetësimin e gjuhës frënge.
Mosmarrëveshjet me Québec
Imigracioni nuk është përgjigja për të gjitha problemet, theksoi gjithashtu ministri Miller, i cili në fillim të kësaj jave pat njoftuar edhe një plan për të reduktuar varësinë nga punëtorët e huaj të përkohshëm, të cilët nuk janë në fokusin e objektivave të imigracionit të shpallura dje.
Ndërkohë po dje, disa orë para deklaratave të qeverisë federale, qeveria e Québec shpalli objektivin e saj të imigracionit që konsiston në pranimin e 56,500 rezidentëve të përhershëm në vit, më 2024 dhe 2025.
François Legault
Nga ana e tij Marc Miller konfirmoi se ka pasur diskutime midis zyrës së tij dhe asaj të ministres Christine Fréchette, në Québec, si pjesë e konsultimeve për vendosjen e pragut vjetor 500,000 për të ardhurit të rinj në Kanada nga viti 2025.
Ministri federal u duk i hapur edhe ndaj idesë së një testi frengjishteje në Québec, tre vjet pas mbërritjes së pjesëmarrësve të International Mobility Program. Megjithatë ai theksoi se pret të mësojë më shumë detaje rreth këtij propozimi, përpara se të marrë një vendim përfundimtar.
Pika më e nxehtë e mosmarrveshjeve midis qeverive Trudeau dhe Legault duket se vazhdon të jetë çështja e shpërndarjes së azilkërkuesve midis provincave të ndryshme. Në shkurt të këtij viti, Québec transportoi drejt Ontarios disa qindra azilkërkues që mbërritën në mënyrë të parregullt në vend, nëpërmjet Roxham Road. Po kështu, qeveria e Koalicionit Avenir Québec ka kërkuar prej kohësh që të reduktohet barra e saj në drejtim të menaxhimit të azilkërkuesve.
Ndërkohë dje (01.11.), ministri federal Miller e hodhi vendosmërisht poshtë këtë kërkesë. “Nuk mund t'i trajtojmë njerëzit si bagëti”, deklaroi ai.
© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada
Fotot: Radio-Canada; The Canadian Press/Patrick Doyle