Kanada

Evakuimi i shtetasve kanadezë nga Gaza mund të fillojë nesër

  • Published in Kanada

Sipas të gjitha gjasave, rreth 450 shtetasit kanadezë që janë aktualisht të bllokuar në Rripin e Gazës do mund të fillojnë të evakuohen nga territori palestinez drejt Egjiptit nga dita e nesërme (05.11.)

Një burim qeveritar kanadez i lidhur drejtpërdrejt me procesin e evakuimit, i ka konfirmuar Radio-Canada se janë marrë garanci se do të ketë hapësira që ky operacion të zhvillohet nesër, e diel, të hënën (06.11.) dhe të marten (07.11.), nëpërmjet Rafah, i vetmi vendkalim kufitar që nuk kontrollohet nga Izraeli dhe që e lidh territorin palestinez me Egjiptin fqinjë. “Megjithatë, në çdo moment mund të ndodhin ndryshime të minutës së fundit, sepse situata e sigurisë në terren mbetet e paqëndrueshme”, ka pohuar i njëjti burim.

Nga ana e tij, ministri i Mbrojtjes Kombëtare Bill Blair, deklaroi para dy ditësh se Kanadaja po punon intensivisht me autoritetet izraelite për të evakuuar kanadezët nga Gaza. “Ne parashikojmë që evakuimi të kryhet në ditët në vijim, por nuk jam në gjendje të jap me saktësi absolute afatet për këtë operacion”, u tha ai gazetarëve në Ottawa. Pa specifikuar aspak arsyet pse shtetasit kanadezë nuk janë evakuuar ende nga kjo zonë lufte, edhe pse konflikti ka nisur prej gati një muaji, ministri Blai thjesht përsëriti formulën se siguria e kanadezëve mbetet prioritet për qeverinë e Justin Trudeau.

Ndërkohë, gjatë vizitës së djeshme (03.11.) në Washington, me rastin e Samitit të Partneritetit të Amerikave për Prosperitet Ekonomik, kryeministri kanadez është takuar me presidentin amerikan Joe Biden, me të cilin ka diskutuar ndër të tjera edhe për luftën në Lindjen e Mesme. Nga kryeqyteti i SHBA, Justin Trudeau u shpreh se Kanadaja ka marrë “garanci” nga Egjipti dhe Izraeli për evakuimin e shtetasve kanadezë nga Gaza. Ai ritheksoi gjithashtu thirrjen e tij për një armëpushim humanitar në Rripin e Gazës, në mënyrë që të krijohet mundësia të ofrohen ndihma për popullatën palestineze, të sigurohet lirimi i pengjeve të mbajtur nga Hamasi dhe “të largohen kanadezët nga Gaza”.

Të enjten e kësaj jave (02.11.), administrata palestineze në vendkalimin kufitar Rafah i deklaroi Radio-Canada se nuk e dispononte ende listën e emrave të kanadezëve të autorizuar për t'u larguar nga Rripi i Gazës. Sipas zëdhënësit për shtyp të kësaj administrate, Wael Abou Omar, është ministria e Jashtme egjiptiane autoriteti që duhet t'ua japë këtë listë autoriteteve palestineze. “Izraeli duhet ta miratojë këtë listë paraprakisht dhe kanadezët do mund të largohen nga Rripi i Gazës sapo të kemi listën me emrat e tyre dhe të anëtarëve të familjeve. Egjipti ende nuk na e ka dërguar këtë listë, përndryshe, ata tashmë do të kishin dalë me të tjerët. Ne nuk e mbajmë askënd që do të largohet këtu”, pohoi ai.

Global Affairs Canada ka deklaruar se ua ka dorëzuar partnerëve të saj rajonalë listën që përmban emrat e shtetasve kanadezë, rezidentëve të përhershëm dhe anëtarëve të familjeve të tyre të bllokuar në Rripin e Gazës. Sipas ministrisë federale, kanadezët përfaqësojnë një nga kontigjentet më të mëdhenj të shtetasve të huaj në Rripin e Gazës.

Ndërkohë, sipas një burimi qeveritar konfirmohet se vetëm një shtetas kanadez, i cili punon për një organizatë ndërkombëtare humanitare, ka mundur të largohej nga enklava palestineze të enjten (02.11.). I njëjti burim u shpreh se autoritetet kanadeze ishin të befasuar nga ky informacion, sepse shtetasi në fjalë nuk figuronte në listën e kanadezëve të regjistruar në Gaza.

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: AFP; Associated Press/Hatem Ali