Kanada

Evakuohet grupi pare i kanadezëve nga Gaza drejt Egjiptit

  • Published in Kanada

Ka nisur evakuimi i shtetasve kanadezë nga Rripi i Gazës në Egjipt. Pas kalimit të kufirit, të evakuuarit do të duhet të bëjnë durim përpara se të arrijnë në Kajro, duke kaluar mespërmes Sinait, një nga rajonet më të rrezikshme të Egjiptit.

Më në fund dje (07.11.) herët në mëngjes, 80 shtetas kanadezë nga 450 që janë bllokuar në Rripin e Gazës, morën autorizimin për t’u larguar nga ky territor palestinez, i rrethuar dhe i bombarduar në mënyrë të pamëshirshme nga ushtria izraelite qysh nga sulmi vdekjeprurës i Hamasit në territorin e Izraelit një muaj më parë. Megjithatë, sipas Global Affairs Canada, rreth mesditës, vetëm njëzet prej tyre kanë mundur të kalojnë kufirin për në Egjipt, ndërsa deri në fund të pasdites, numri arriti në 75.

Fillimisht, autotitetet kanadeze u patën deklaruar qytetarëve të bllokuar në territorin palestinez se ata mund të lejoheshin të largoheshin të dielën (05.11.), por kalimi në Rafah, i vetmi vendkalim i pa kontrolluar nga Izraeli që lidh Rripin e Gazës me pjesën tjetër të botës, u mbyll gjatë fundjavës për shkak të sulmeve të ushtrisë izraelite.

Mohammad El-Rayyes ishte pjesë e këtij grupi të vogël. Babai i tij, Waddah El-Rayyes, i cili aktualisht ndodhet në Arabinë Saudite, konfirmoi për Radio-Canada se djali i tij tani ndodhet në anën egjiptiane të vendkalimit Rafah, së bashku me gruan dhe djalin 8-muajsh. Sipas z. El-Rayyes, djali i tij dhe familja, pritet të mbërrijnë në Kajro sot (08.11.) në mëngjes. Për të shpjeguar këtë vonesë, ai përmendi ndër të tjera formalitetet e kalimit kufitar, kontrollet e sigurisë të kryera nga autoritetet egjiptiane, si dhe rrugën e gjatë dhe të rrezikshme 320 km që lidh Rafah me Kajron, që për ta përshkuar me automjet duhen rreth 8 orë.

Radio-Canada, ka kontaktuar gjithashtu ambasadorin kanadez në Kajro, Louis Dumas, i cili u shpreh se shpresonte që të 80 kanadezët e autorizuar, do mund ta kalonin kufirin të gjithë, duke shtuar se po dyfishohen përpjekjet që të evakuohen dhe 370 të tjerët që janë ende të bllokuar në Rripin e Gazës. “Sinqerisht, është një operacion i cili do të zgjasë”, pohoi ambasadori Dumas, duke kujtuar se rajoni i Sinait Verior, në verilindje të Egjiptit, që ndan Rafahun nga Kajro, mbetet një zonë mjaft e rrezikshme dhe jo e lehtë për të patur akses.

Shtetasja kanadeze Seham al-Batnejy tregon pasaportën e saj ndërsa pret që vendkalimi Rafah të rihapet që të mund të arrijë në Egjipt dhe të kthehet në shtëpi.

Në vitin 2018, ushtria egjiptiane pat nisur një operacion kundër terrorizmit në këtë zonë, e cila kohët e fundit ishte skenë edhe e një kryengritjeje nga dega egjiptiane e grupit të armatosur të Shtetit Islamik (IS). Tubacionet e naftës dhe gazit që furnizojnë Izraelin dhe Jordaninë janë shënjestruar rregullisht nga xhihadistët. Ushtria egjiptiane ka deklaruar se ka asgjësuar më shumë se një mijë prej tyre që nga fillimi i operacionit të saj, por nuk ka raporte nga burime të pavarura dhe Sinai i Veriut vazhdon të jetë një zonë e mbyllur për gazetarët.

Në faqen e saj zyrtare ku jepet informacion për udhëtarët, qeveria e Kanadasë rekomandon që shtetasit e saj të shmangin të gjitha udhëtimet në këtë rajon, duke përmendur kushtet e sigurisë që janë jashtëzakonisht të paparashikueshme. Aty gjithashtu përmendet se një shtetrrethim është në fuqi nga ora 17:00 deri në orën 7 të mëngjesit, për shkak të operacioneve ushtarake egjiptiane kundër grupeve terroriste në rajon. Po ashtu, Ottawa paralajmëron praninë e postblloqeve të ngritura nga grupe të paautorizuara, si dhe rrëmbime, vjedhje dhe grabitjeve të makinave, të kryera nga grupet e armatosura dhe terroristët në Sinain e Veriut. Pasiguria mbizotëron edhe në Sinain e Jugut, theksohet në udhëzimet e qeverisë, sepse edhe aty kanë ndodhur sulme terroriste.

Ambasadori Louis Dumas

“Është një sfidë e jashtëzakonshme”, pranoi ambasadori kanadez në Kajro, i cili në komunikimin e tij me Radio-Canada shpjegoi që një ekip prej 15 personash u nis nga Kajro drejt Rafah në orën 3 të mëngjesit, në bordin e një autokolone të përbërë nga tre automjete dhe dy autobusë, secili me kapacitet për të transportuar 45 pasagjerë. Ndërkohë, një ngjarje e paparashikuar e ka vonuar për disa orë mbërritjen e kësaj autokolone në Rafah, pasi rruga ishte mbyllur për qarkullim për shkak të mjegullës së dendur.

Ambasadori Dumas, pohoi gjithashtu se për të ndihmuar evakuimin e shtetasve kanadezë, ekipi i tij ka siguruar dhe mbështetjen e përfaqësuesve të vendeve aleate që ndodhen prej disa ditësh në Rafah, duke përfshirë francezët, britanikët dhe amerikanët.

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada; Reuters/Ibraheem Abu Mustafa