Kanada

Sila lindi në Gaza gjatë bombardimeve, familja ribashkohet pas 19 ditësh në Toronto

  • Published in Kanada

Të premten në mëngjes (10.11.) gazetarë të CBC/Radio-Canada kanë qenë dëshmitarë të një ngjarje të rrallë dhe prekëse në Aeroportin Ndërkombëtar Pearson të Torontos. Një rezident i përhershëm kanadez, me kufizime të konsiderueshme në shikim, po qëndronte në këmbë në zonën e mbërritjes së udhëtarëve me një buqetë me lule të shtrënguar në gjoks, ku mes gjetheve dallohej dhe flamuri kanadez, në pritje të bashkimit me familjen e tij.

Banor i Brantford, Ontario, i ardhur në Kanada në vitin 2018, ai quhet Ahmad Abualjedian, është palestinez me origjinë dhe pardje për herë të parë takoi vajzën e tij Sila, të lindur në një nga spitalet e Gaza, më 23 tetor. Edhe pse fillimisht Abualjedian është njoftuar nga Global Affairs Canada se familja e tij nuk mund të ndihmohej, foshnja u evakuua së bashku me nënën Yara, me grupin e dytë të shtetasve kanadeze dhe rezidentëve të përhershëm që mundën të largohen nga zona e luftimeve drejt Egjiptit, përmes pikës së kalimit kufitar në Rafah. Ato më pas u dërguan në Ambasadën kanadeze në Kajro, përpara se niseshin me avion drejt Torontos. Mësohet se në përpjekjet e saj për t’u bashkuar, vendimtare për këtë familje ka qenë ndihma e deputetit federal konservator të zonës elektorale Brantford-Brant, Larry Brock, anëtar i Komisionit parlamentar Juridik dhe për të Drejtat e Njeriut.

Javët e fundit Ahmad Abualjedian ka tentuar pa reshtur të qëndrojë në kontakt më bashkëshorten. Nëna dhe vajza e sapolindur ndodheshin në qytetin Jabalia, në një spital pa energji elektrike ku madje ishte e pamundur të merrej dhe anestezi. Për shkak të ndërprerjes së plotë të komunikimit telefonik dhe me internet, për disa ditë ai nuk ka mundur të marrë asnjë lajm prej tyre. “Tani ndihem i lehtësuar, më në fund e realizova ëndrrën time”, është shprehur për CBC/Radio-Canada babai i vajzës së porsalindur.

Pavarësisht vuajtjeve që luftimet u kanë shkaktuar mijëra familjeve, duke përfshirë edhe atë të vetën (ka humbur një nga motrat dhe dhe disa kushërinj) tani Ahmed pohon se dëshiron të fokusohet te lumturia. “Duhet të jemi pozitivë, duke mos parë nga e kaluara, por nga e ardhmja. Ne do fillojmë të ndërtojmë të ardhmen tonë në Kanada”, ka shtuar ai.

Yara, nëna e Silës së vogël, ka përshkruar dhe terrorin e të jetuarit në Gaza gjatë bombardimeve të Izraelit. Ajo ishte e shqetësuar për jetën e saj, e shqetësuar për lindjen dhe më pas e shqetësuar për vajzën e saj. “Ne vraponim, vraponim nga një vend në tjetrin për të qenë të sigurta”, ka përkthyer Ahmad fjalët e saj. Në Gaza ajo u strehua në kampin e refugjatëve në Jabalia, që u bombardua më 31 tetor. Në një video të AFP-së, ka qenë e mundur të numërohen të paktën 47 trupa të mbështjellë me qefina dhe të shtrirë në tokë në oborrin e një spitali aty pranë pasi janë nxjerrë nga rrënojat.

Miq të Ahmad, janë interesuar që familjes së sapobashkuar të mos i mungojë asgjë dhe ata do ndihmojnë që nëna dhe foshnja të marrin kontakt sa më shpejt me një mjek, për të ekzaminuar gjendjen e tyre shëndetësore

Ndërkohë, deputeti konservator Larry Brock, i ndodhur në aeroport dhe i fotografuar me Silën e vogël në krahë teksa bashkëshortët Abualjedian përqafoheshin, ka deklaruar se megjithëse historia e Ahmad dhe Yara ishte një happy end, për shumë kanadezë që ende shpresojnë të dalin nga Gaza, procesi do të kryhet rast pas rasti. “Po vazhdojnë intensivisht përpjekjet për të siguruar që të gjithë shtetasit e huaj të mund të largohen shëndoshë e mirë nga Gaza dhe të kthehen në vendet e tyre të origjinës”, ka theksuar ai.

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: CBC/Radio-Canada/Carlos Osorio