Java Kanadeze - Lajme shkurt 12 nëntor 2023
- Published in Kanada
Ottawa - Remembrance Day 11.11.2023
-British Columbia, mijëra klientë të BC Hydro pa energji elektrike prej motit të keq
-Alberta, bashkia Calgary do investojë 108 milionë dollarë për rivitalizimin e qendrës së qytetit
-Québec, mijëra manifestues në Montréal kërkojnë armëpushim në Gaza
-Ontario, arrestohet për thirrje antisemite dhe nxitje të urrejtjes një person nga Ottawa
British Columbia - Stuhia që përfshiu brigjet e provincës British Columbia këtë fundjavë ka dëmtuar linja të shumta të transmetimit elektrik, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë në disa rajone. Gati 43,000 klientë ishin ende pa energji elektrike deri dje në mbrëmje (11.11.) dhe shumica e tyre ndodheshin në Surrey. Megjithë situatën e vështire, ekipet e BC Hydro arritën të bëjnë shumë riparime dhe përditësimi i fundit i kompanisë raportonte se tek më shumë se 190,000 nga 235,000 klientët e prekur, është rikthyer energjia elektrike. Ndërkohë, Environment Canada emetoi edhe një paralajmërim për rreshje të forta shiu në Fraser Valley dhe rajonin Hope. “Shirat e rrëmbyeshëm mund të shkaktojnë përmbytje të menjëhershme dhe akumulim të ujit nëpër rrugë”, thuhej në paralajmërimin e agjencisë federale. Një tjetër paralajmërim, nga i njejti institucion, u kërkonte drejtuesve të automjeteve të lëvizin me kujdes për shkak të akumulimit të madh të dëborës (deri në 40 cm) në autostradën Coquihalla midis Hope dhe Merritt.
Alberta - Calgary Municipal Land Corporation (CMLC), Arts Commons dhe bashkia Calgary njoftuan tre firmat që janë përzgjedhur për të formuar ekipin e projektimit për transformimin e Olympic Plaza në qendër të qytetit. E para është firma nga Toronto gh3 Architecture, Urban Design and Landscape Architecture, ndërsa dy të tjerat nga Montréal, CCxA Landscape Architecture and Urban Design dhe Belleville Placemaking. Lajmin e bëri të ditur gjatë një konference për shtyp e cila u mbajt të enjten (09.11.) në Olympic Plaza, presidentja e CMLC Kate Thompson. Buxheti i bashkisë Calgary për 2023-2026 ka parashikuar 40 milionë dollarë për kostot e fillimit të projektit që lidhen me rinovimin e sheshit në fjalë. Kjo shumë është pjesë e 108 milionë dollarëve që bashkia ka marrë përsipër të investojë në mbështetje të iniciativave për rivitalizimin e qendrës së metropolit albertan. Olympic Plaza u ndërtua posaçërisht për ceremonitë e dhënies së medaljeve të Lojërave Olimpike Dimërore të vitit 1988. “Tani, 35 vjet më vonë, hapësira publike po vjetërohet, e ka tejkaluar mandatin dhe koston e ciklit të saj jetësor”, shkruhet lidhur me projektin në faqen internet të bashkisë Calgary. Calgary Municipal Land Corporation ka specifikuar gjithashtu se rivitalizimi i hapsirës do të koordinohet me rinovimin e kompleksit Arts Commons, kostoja e të cilit arrin në 480 milionë dollarë.
Québec - Mijëra protestues pro Palestinës u mblodhën sërish sot (12.11.) në Montreal për të kërkuar armëpushim në Rripin e Gazës. Ata kundërshtuan mbështetjen që qeveria Trudeau i jep Izraelit dhe kërkuan heqjen e bllokadës në enklavën paslestineze. Kjo ishte fundjava e katërt e mobilizimit pro-palestinez që nga fillimi i sulmit të Hamasit më 7 tetor dhe përshkallëzimi i konfliktit izraelito-palestinez. Në pankartat që manifestuesit mbanin në duar mbizotëronte slogani “Stop gjenocidit”. “Ne duam të dëshmojmë se populli kanadez nuk dëshiron të jetë bashkëpunëtor në këtë gjenocid”, deklaroi për Radio-Canada Sarah Shamy, një nga organizatoret e kësaj proteste dhe anëtare e Lëvizjes Rinore Palestineze. Ajo kritikoi veçanërisht kryeministrin Trudeau që nuk po mbështet përpjekjet për një armëpushim në OKB. Në vendin e manifestimit, u shpërndanë fletëpalosje dygjuhëshe, ku u kërkohej pjesëmarrësve të bënin presion ndaj deputetëve të tyre dhe ndaj qeverisë liberale. “Nuk do të votoj për ju dhe as partinë tuaj në zgjedhjet e ardhshme, nëse nuk kërkoni armëpushim të menjëhershëm dhe ndalim të dhunës ndaj popullatës palestineze”, lexohej në teksti e fletëpalosjes. Nën vëzhgimin e policisë dhe në një atmosferë përgjithësisht të qetë, procesioni u zhvendos pasdite drejt Konsullatës së Përgjithshme të Izraelit, në sheshin Westmount, ku ishin vendosur shirita për të parandaluar afrimin e protestuesve. Manifestues hebrej ultraortodoksë, anëtarë të Neturei Karta mbanin në duar një pankartë ku lexohej: “Tora kërkon që e gjithë Palestina t'u kthehet palestinezëve dhe të bëhet përsëri sovrane”. “Jemi dëshmitarë të një gjenocidi mbi kaq shumë njerëz të pafajshëm. Është e papranueshme, e padrejtë, është kundër traditës hebreje dhe nuk është vetëm krim sipas ligjit ndërkombëtar, por është edhe krim sipas ligjeve hebraike”, deklaroi rabini Dovid Feldman.
Ontario - Një person banor i Ottawa, është arrestuar këtë fundjavë pranë Torontos për nxitje të urrejtjes dhe thirrje antisemite. Mësohet se gjestet e individit në fjalë janë të filmuara. Gjithashtu, policia e kryeqytetit e ka akuzuar atë për shkelje të rregullave të lirimit me kusht dhe shpreson që ai të mbetet në burg derisa homologët e Torontos të përfundojnë hetimin. Sipas Prokurorisë, njësitë e parandalimit të krimeve të urrejtjes të policisë së Torontos dhe Ottawa po punojnë së bashku për këtë rast. Prokurori i Kurorës që trajton çështjen, Moiz Karimjee, ka deklaruar se është e rëndësishme që publiku dhe viktimat e antisemitizmit t'i besojnë sistemit të drejtësisë dhe shtetit të së drejtës. Seanca dëgjimore për lirimin e të dyshuarit nuk është caktuar ende. Ky person pritet të përballet gjithashtu me akuza të tjera, duke përfshirë agresionin dhe hyrjen me force në ambiente private, akuza që ende nuk janë marrë në shqyrtim nga gjykata.
© Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada
Fotot: CBC/Radio-Canada