Kanada

Kanada: Së shpejti në qarkullim monedha e re me portretin e mbretit Charles III

  • Published in Kanada

Me rastin e 75 vjetorit të mbretit Charles III, Royal Canadian Mint, korporata shtetërore me qendër në Winnipeg (Manitoba) që prodhon të gjitha monedhat në Kanada, prezantoi portretin e monarkut të ri britanik (njëherazi dhe kreu i shtetit kanadez) që do të figurojë në pjesën e përparme të të gjitha monedhave kanadeze.

Fillimisht do të jenë monedhat metalike një dollarëshe me portretin e mbretit që do të hidhen të parat në qarkullim dhe gradualisht do të zëvendësojnë ato që mbajnë imazhin e mbretëreshës së ndjerë Elizabeth II. Një sasi e vogël monedhash me vitin 2023 dhe me imazhin e Charles III do nisin të qarkullojnë në fillim të dhjetorit.

Portreti i përzgjedhur mes 350 pjesëmarrësve në konkurim u miratua nga Buckingham Palace dhe ka për autor artistin kanadez Steven Rosati. Ky i fundit ka konceptuar dhe monedha të tjera për Royal Canadian Mint, duke përfshirë gjashtë monedha argjendi dedikuar portierëve të Ligës Kombëtare të Hokejit dhe një monedhë një dollarëshe për 100 vjetorin e Toronto Maple Leafs.

Në fillim të këtij viti, qeveria federale i kërkoi Royal Canadian Mint dhe Bankës së Kanadasë të nisnin procedurat për zëvendësimin e imazhit të mbretëreshës së ndjerë me atë të mbretit në monedha dhe në kartëmonedhën 20 dollarëshe.  Sipas Rebecca Spence, zëdhënëse e Bankës së Kanadasë të cilës i referohet Radio-Canada, tashmë ka filluar procesi i përgatitjes së kartëmonedhës së re, por ende nuk është marrë miratimi nga qeveria federale. “Ndryshe nga monedhat, ka të ngjarë të duhen vite përpara se të emetohet përfundimisht një kartëmonedhë. Në këtë fazë, është shumë herët për të dhënë detaje apo një datë se kur do të dizajnohet ajo përfundimisht. Kësisoj, kartëmonedha aktuale prej 20 dollarësh do të vazhdojë të qarkullojë gjatë viteve në vijim”, ka pohuar Spence.

 

Nga ana e saj, Royal Canadian Mint ka emetuar tashmë monedha koleksioni në ar dhe argjend të pastër për nder të kurorëzimit të Charles III, që u ngjit në fron në shtator 2022, pas vdekjes së nënës së tij 96 vjeçare, Elizabeth II, e cila mbretëroi për 70 vjet. Në kurorëzimin luksoz të Charles III morën pjesë shumë liderë botërorë, përfshi dhe kryeministrin Justin Trudeau. Ndërkohë, çdo monedhë kanadeze me imazhin e mbretëreshës së ndjerë që është ende në qarkullim do të vazhdojë të konsiderohet e vlefshme.

© Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada; The Canadian Press; Royal Canadian Mint