Kanada

Protesta në Vancouver: Mobilizohen 100 policë për të mbrojtur kryeministrin Trudeau

  • Published in Kanada

Mediat kanadeze kanë raportuar dje (15.11.), që kryeministri Justin Trudeau, i cili ndodhej për një vizitë në provincën British Columbia, në dy raste u vu përpara dhe u detyrua të largohej prej dy restoranteve nga grupe protestuesish që kërkonin armëpushim në Rripin e Gazës. Incidentet kanë ndodhur mbrëmjen e të martës (14.11.), para orës 22:00 teksa Trudeau ishte duke darkuar në Vancouver, fillimisht në një restorant indian, ndërsa më pas në një tjetër restorant, në zonën e njohur me emrin Chinatown, në Main Street. Në vendodhjen e dytë është dashur ndërhyrja energjike e policisë për ta lejuar atë të largohej nga vendi i ngjarjes.

Sipas njoftimit të Policisë Bashkiake të Vancouver, që kryesisht iu referua incidentit në Chinatown, është dashur të mobilizohen 100 policë pranë restorantit të rrethuar nga rreth 250 protestues ku ndodhej shefi i qeverisë kanadeze. Oficeri Steve Addison, përgjegjës për marrëdhëniet me shtypin, gjatë një takimi me gazetarët dje (15.11.) në mëngjes shpjegoi se mbi 150 manifestues ndodheshin përpara objektit në Main Street, ndërsa rreth 100 të tjerë në një korsi që të çonte në pjesën e pasme të restorantit. Kërkesat e tyre lidheshin me situatën aktuale në Lindjen e Mesme dhe veçanërisht me luftën midis Izraelit dhe Hamasit.

Steve Addison kujtoi se policia përpiqet të bashkëpunojë me organizatorët e manifestimeve kur ato deklarohen paraprakisht, ndërsa për protestën ndaj kryeministrit në Chinatown nuk kishte patur asnjë paralajmërim. “Policia përdori teknikën e kontrollit të turmës, e perfeksionuar në vite, për të lejuar kryeministrin dhe shoqëruesit e tij të largohen”, theksoi ai. Gjatë përplasjes së protestuesve me policinë, pati një polic të lënduar (që u dërgua për trajtim në spital) dhe dy arrestime.

Indicenti i parë, që ndodhi në restorantin indian Vij's në Cambie Street, nuk u komentua nga zëdhënësi i policisë, pasi sipas tij, ky incident nuk kërkoi prani të konsiderueshme të forcave të rendit. Ndërkohë, në internet po qarkullojnë video të shumta në të cilat shihet Justin Trudeau i veshur sportiv dhe i ulur në një tavolinë. I rrethuar nga protestues, ai shihet teksa detyrohet të largohet bashkë me shoqëruesit e tij duke përshëndetur pronarin e restorantit dhe më pas duke hypur në një fuoristradë. “Armëpushim, armëpushim, i keni duart të lyera me gjak”, dëgjohen në video zërat e protestuesve me celularët në dorë duke filmuar skenën.

Dy incidentet në Vancouver janë vazhdë e një situate kur shumë shumë zëra janë ngritur dhe disa manifestime me pjesëmarrje të konsiderueshme janë zhvilluar në qytetet kryesore kanadeze kundër qëndrimit të Ottawa ndaj luftës midis Izraelit dhe Hamasit dhe bllokadës ushtarake në Rripin e Gazës. Deri më sot, kryeministri kanadez Justin Trudeau nuk është deklaruar në asnjë rast në favor të një armëpushimi në Gaza dhe ka bërë thirrje vetëm për pauza humanitare. Ndërkohë, Global Affairs Canada ka konfirmuar se deri tani nga enklava palestineze janë larguar 360 kanadeze nga rreth 450 të regjistruar që kanë kërkuar ndihmën e Ottawa.

© Flasshqip me informacion nga Radio-Canada