Grup “fantazëm” miqësie: Përse mashtron opinionin publik Ambasada shqiptare në Kanada?
- Published in Kanada
- Nga: Editorial
Sot në faqen e saj Facebook, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Ottawa, e cila “punon” dhe të shtunave, ka botuar lajmin e mëposhtëm të shoqëruar me një fotografi të bërë në ambiente jo zyrtare sipas gjasave.

“Ambasadori Muça ka zhvilluar një takim me z. Yvan Baker, anëtar i Parlamentit dhe Zëvendëskryetar i Grupit Parlamentar të Miqësisë Kanada-Shqipëri. Ata u fokusuan në projektligjin e paraqitur prej z. Baker në Parlamentin e Kanadasë për shpalljen e nëntorit si Muaj të Trashëgimisë Shqiptare në të gjithë Kanadanë, nismë e rëndësishme që ka nevojë për angazhimin dhe mbështetjen e të gjithëve”.
Pas publikimit të këtij lajmi, ka reaguar me koment në faqen e ambasadës botuesi i Flasshqip.ca z. Taulant Dedja.
Në komentin e tij thuhet:
“Zoterinj të ambasadës, nëse vërtet egziston Grupi Parlamentar i miqësisë Kanada-Shqiperi, kërkojini deputetit Baker të ndërhyjë ne Parlament, që lista e grupeve të miqësisë të përditësohet. I kërkoni të përditësojë edhe profilin e tij në faqen online të Dhomës së Komunave, sepse nuk rezulton që bën pjesë në këtë grup miqësie. Në listën e link-ut më poshtë figuron emri i Grupit të miqësisë Kanada-Kosovë, por nuk figuron ndonjë grup Kanada-Shqipëri. Përndryshe ajo që shkruani në këtë status nuk është e vërtetë dhe nuk i shërben askujt. Nuk ka kush nevojë për diplomaci me “lugë të zbrazët” dhe si institucion që paguheni nga taksat e shqiptarëve duhet të pasqyroni gjithmonë me saktësi të vërtetën.”
Më poshtë mund të konsultoni link-et e grupeve të miqësisë të Parlamentit të Kanadasë dhe të profilit të deputetit liberal të Torontos, Yvan Baker (Zona elektorale Etobicoke Centre):
https://www.parl.ca/diplomacy/en/friendship-groups
https://www.ourcommons.ca/members/en/yvan-baker(105121)/roles
Flasshqip.ca, e vetmja media shqip që e ka ndjekur në mënyrë skrupuloze ecurinë e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kanadasë që nga momentet e para të ekzistencës së vet (shkurt 2018), sërish ka verifikuar dhe faqen online të deputetes liberale të Torontos, Julie Dabrusin (Zona elektorale Danforth), për të cilën diplomacia qesharake dhe mediokre shqiptare kumton vazhdimish se kryeson grupin parlamentar “fantazëm” të miqësisë Kanada-Shqipëri, por as aty nuk figuron gjëkundi fjala “Albania”.
https://www.ourcommons.ca/Members/en/julie-dabrusin(88994)/roles
Pyetja shtrohet shumë thjesht: kujt i shërben kjo propagandë, veç interesave personale të diplomatëve apo ndonjë deputeti?
Ndërkohë, dihet që në zgjedhjet e ardhshme, sipas sondazheve, Partia Liberale mund të pësojë fiasko totale, për arsye që jo vetëm shqiptaro-kanadezët jo patronazhistë i kanë të qarta, por i kanë të qarta të gjithë ata kanadezë që luftojnë çdo ditë më një kontekst ekonomik gjithnjë e më të vështirë.
Nëse deputetit Baker i duhet çdo vote në zgjedhjet e ardhshme, shqiptaro-kanadezët nuk kanë nevojë për ligje pa përmbajtje dhe pa asnjë impakt në jetën e përditshme të tyre. Shumica dërrmuese e komuniteteve në Kanada, as nuk kanë dhe as nuk lypin ligje “trashëgimie”, sepse ruajtjen e identitetit dhe respektin ndaj trashëgimisë së tyre ua garanton gjithë sistemi politik dhe shtetëror kanadez.
Për të ngritur flamurin e vendit tënd në ditën e festës kombëtare në vende publike, kudo, në çdo bashki a parlament provincial mjafton një kërkesë formale. E tillë është ndërtuar Kanadaja dhe në këtë mënyrë do trajtohen gjithmonë shqiptarët në “atdheun” e tyre të dytë, me apo pa ligjin e z. Baker.
Në fund edhe një këshillë për ambasadorin Muça, sepse marrëdhëniet me kampet politike në diplomaci lipset të jenë të balancuara. Kjo këshillë madje vlen edhe për drejtuesit e shoqatave. Interesi i Shqipërisë dhe i diasporës shqiptaro-kanadeze kërkon edhe mbajtjen e marrëdhënieve të rregullta me opozitën Konservatore, që nesër do jetë në pushtet.
© Flasshqip.ca












