Kanada

Futboll amerikan: Pas 13 vjetësh, Montreal Alouettes fiton sërish Kupën Grey

  • Published in Kanada

E zhvilluar para rreth 29,000 spektatorëve në Hamilton të Ontarios, finalja e të dielës (19.11.) e Kupës Grey të Canadian Football League i hodhi poshtë të gjitha parashikimet e ekspertëve për fituesin e titullit. Në një përballje dramatike, që thuajse gjithë kohën po anonte në favor të Winnipeg Blue Bombers, ka qenë ekipi Montreal Alouettes, i cili në fund trimfoi duke rrëmbyer trofeun e 110-të të Grey Cup me rezultatin 28-24, falë një goditjeje të Tyson Philpot në 13 sekondat e fundit të takimit.

E pra pikërisht befasia është ana më e bukur e një sporti si futbolli amerikan, sepse Alouettes parashikohej të përfundonte skuadra e fundit në fillim të sezonit, parashikohej se do të eliminohej pas një serie prej tre humbjesh në korrik, u nënvleftësua si ekip i mundshëm për në finale pas një serie prej katër humbjesh në shtator dhe madje kur pas çerekut të parë të finalës se pardjeshme po humbte 10-0, një analist sportiv i TSN deklaroi se ndeshja tashmë kishte mbaruar.

Kjo është Kupa e tetë Grey në historinë e Alouettes, që nuk kishte humbur më që nga 15 shtatori, duke realizuar tetë fitore radhazi, ndërkohë që finalja dhe titulli i tyre i fundit kampion datonte në vitin 2010.

“Të fitosh Grey Cup është ëndrra e jetës”, deklaroi në fushë pas fitores ylli i skuadrës që luan në rolin e “safety”, Marc-Antoine Dequoy, ndërsa “defensive back”, Frédéric Chagnon, duke kujtuar faktin që askush nuk besonte në fitoren e Alouettes u shpreh: “Jam pa fjalë. Luftuam deri në fund, shënuam golin e fitores në 13 sekondat e fundit. Jam superkrenar për ekipin tonë”. Në radhët e fituesve ishte dhe Kristian Matte, i vetmi lojtar me uniformën e Alouettes fitues i Kupës Grey në vitin 2010.

Nga ana e tyre, Blue Bombers (14-4) i patën fituar dy ndeshjet e tyre këtë sezon kundër Alouettes (11-7), duke u renditur të parët në Divizionit Perëndimor. Ndërkohë, Montreali përfundoi i dyti në Divizionin Lindor dhe për herë të parë pas 11 vjetësh arriti 11 fitore në të njëjtin sezon.

Marc-Antoine Dequoy

Alouettes dhe Bombers u përballën për herë të parë në një finale të Kupës Grey. Kjo ishte fitorja e parë dhe finalja e parë pas  13 vjetësh qysh nga triumfi ndaj Saskatchewan Roughriders me rezultatin 21-18 (28.11.2010) në Edmonton Commonwealth Stadium.

Fitorja kurorëzoi njëkohësisht një sezon jo të lehtë për montrealezët, sepse në muajin shkurt të këtij viti, pas largimit të pronarëve të mëparshëm, Alouettes u vendos fillimisht nën tutelën e Canadian Football League. Më pas, në muajin mars ekipi u ble nga miliarderi Pierre Karl Péladeau. Kjo situatë e detyroi drejtorin e përgjithshëm Danny Maciocia t’i fillonte shumë vonë në krahasim me klubet e tjera blerjet në tregun e lojtarëve autonomë. Muaj më vonë, kur nisi faza finale, Alouettes ishin larg të qenit favoritë për të dalë fitimtarë. Por ekipi realizoi të paparashikueshmen dhe për nder të tij do të organizohet një paradë në qendër të Montrealit nesër (22.11.). Fillimi  paradës është planifikuar në orën 11:30 në kryqëzimin e bulevardit De Maisonneuve me rrugën Crescent dhe festa do të kulmojë në Place des Festivals.

© Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

Foto: The Canadian Press/Nathan Denette/Ryan Remiorz