Kanada

Niagara Falls: Sipas FBI, shpërthimi i automjetit në Rainbow bridge nuk ishte akt terrorist

  • Published in Kanada

FBI, Zyra Federale e Hetimit të Shteteve të Bashkuara nisi dje (22.11.) hetime intensive pas shpërthimit në orën 11:30 të një automjeti në urën Rainbow në Niagara Falls, urë e cila lidh SHBA me Kanadanë. Si rezultat i shpërthimit, dy personat që ndodheshin në automjet kanë humbur jetën, ndërsa një agjent doganor amerikan u plagos lehtë.

Sipas deklaratës që bëri në mbrëmje guvernatorja e shtetit të Nju Jorkut, Kathy Hochul, të cilës iu referua media shtetërore CBC/Radio Canada, nuk kishte asnjë indikacion se shpërthimi i automjetit ishte një akt terrorist. Nga ana e saj, Policia Rajonale e Niagarës, komunikoi që ngjarja ndodhi në anën amerikane të Rainbow bridge dhe në pjesën kanadeze të kufirit nuk pati asnjë rrezik për ata që prisnin të kalonin drejt SHBA.

Ndërkohë, tre nga katër urat ndërkufitare midis rajonit të Niagarës dhe Nju Jorkut Perëndimor, me përjashtim të Rainbow bridge, u rihapën më vonë gjatë ditës, pasi u bllokuan për arsye sigurie për disa orë. Fotot dhe videot e marra nga mediat dhe të postuara më pas në rrjetet sociale, paraqisnin një kabinë kontrolli kufitar të përfshirë nga flakët. United States Customs and Border Protection, agjencia amerikane e kufirit, publikoi gjithashtu një video të ngjarjes në rrjetin X.

Nga pala kanadeze, ministri federal i Sigurisë Publike, Dominic LeBlanc, pohoi në një konferencë për shtyp se “kjo ishte një ngjarje e rëndë” dhe menjëherë pas saj ai ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Sekretarin amerikan të Sigurisë Kombëtare, Alejandro Mayorkas. Ministri LeBlanc gjithashtu deklaroi se meqenëse informacioni ishte i paqartë nuk mund të konfirmonte nëse ngjarja ishte e qëllimshme apo jo, ndërsa sipas Agjencisë së Shërbimeve Kufitare të Kanadasë, FBI po koordinonte hetimin në bashkëpunim me partnerët lokalë, shtetërorë dhe federalë.

Ndërkohë vonë në mbrëmje dje (22.11.) FBI Buffalo përfundoi hetimet në Rainbow bridge dhe deklaroi se nuk u gjetën lëndë shpërthyese në vendgjarje si dhe nuk identifikua asnjë lidhje mes asaj që ndodhi me terrorizmin. Çështja i është dorëzuar Departamentit të Policisë së Niagarës si një dosje hetimi aksidenti trafiku.

Rainbow bridge, ku ndodhi shpërthimi fatal i automjetit, është një nga katër pikat kufitare SHBA-Kanada me pamje nga lumi Niagara. E hapur në vitin 1941, ajo është ura më e afërt me ujëvarat dhe lidh qendrat e dy qyteteve në të dy anët e Niagara Falls, ku ndodhen shumica e atraksioneve dhe kazinove të kësaj zone turistike. Sipas të dhënave nga Shoqata e Operatorëve të Tuneleve dhe Urave (BTOA), Rainbow bridge është pika e kalimit e gjashta në renditje më e ngarkuar midis Miçiganit, Nju Jorkut dhe Kanadasë.

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Reuters; Associated Press; Radio Canada