Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 3 dhjetor 2023

  • Published in Kanada

National Park Banff - Alberta

 

-British Columbia, hetim mbi klimën e marrëdhënieve të punës në zyrën lokale të Shërbimit Sekret Kanadez

-Alberta, 4,2 milionë dollarë investim nga Ottawa për parandalimin e kriminalitetit në Edmonton

-Saskatchewan, Farooq Hassan Sheikh emërohet shef i Shërbimit Policor në Regina

-Nova Scotia, qeveria provinciale akordon 2,5 milionë dollarë për frenimin e erozionit bregdetar

 

British Columbia - Këtë javë u njoftua se Shërbimi Informativ Kanadez i Sigurisë po heton dhe vlerëson klimën e marrëdhënieve të punës në zyrën e tij në British Columbia pas “akuzave serioze” të ngritura nga disa pjestare të kësaj zyre që pretendojnë se janë ngacmuar dhe sulmuar seksualisht nga një oficer epror. Sipas deklarimeve të këtij institucioni pas bërjes publike të lajmit nga The Canadian Press, oficeri i cili është i përfshirë në akuza, është shkarkuar nga pozicioni që mbante. Denoncimi ka ardhur nga një agjente që pretendon se është përdhunuar nëntë herë në periudhën 2019-2020 nga një koleg më i vjetër në detyrë, ndërkohë që ndodheshin së bashku në një automjet vëzhgimi. Po ashtu një tjetër agjente pretendon se është sulmuar seksualisht nga i njëjti person, edhe pse shefat ishin paralajmëruar që ky person nuk duhej lënë të kishte kontakte me femra të reja. Nga ane tij, drejtori i Shërbimit Sekret kanadez, David Vigneault, ka pohuar se akuzat për një klimë toksike në vendin e punës kurrsesi nuk mund të nënvlerësohen dhe çështjes do t’i shkohet deri në fund. Deklarata e Vignaut thekson gjithashtu se sapo agjencia mori njoftim për akuzat, nisi menjehërë një hetim të pavarur.

Alberta - Qeveria federale kanadeze bëri të ditur akordimin e një fondi prej 4.2 milionë dollarësh për të parandaluar krimin me armë dhe dhunën e bandave në rrugët e Edmonton. Investimi, i cili vjen nga Fondi Building Safer Communities, do të përdoret për të adresuar faktorët që kontribuojnë në rritjen e kriminalitetit dhe do të mbështesë projekte komunitare që kanë si subjekt trajtimi të rinjtë që janë pjesë e bandave të rrugës ose që ka gjasa të bashkohen me to. Financimi do të përdoret për të mbështetur katër aspekte prioritare, ka nënvizua kryebashkiaku Amarjeet Sohi. Ai do të mbështesë grantet e organizatave të komunitetit, edukimin e komunitetit, koordinimin e programeve dhe shërbimeve ekzistuese të qytetit Edmonton, si dhe mentorimin për të rinjtë. Që nga 7 nëntori 2023, policia e Edmonton ka regjistruar 193 të shtëna të raportuara, një rritje prej 46% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në të njëjtën datë, policia raportoi edhe sekuestrimin e 787 armëve të zjarrit. Në një konferencë shtypi të premten (01.12), ministri kanadez i Punës dhe njëherazi deputet i zonës Edmonton-Center, Randy Boissonnault, citoi bisedën me një oficer policie, që i kish thënë se 15-20 vjet më parë, gjetja e një arme zjarri në një skenë krimi ishte gjë e rrallë, ndërsa tani është diçka pothuajse e përditshme.

Amarjeet Sohi (majtas) dhe Randy Boissonnault (djathtas)

Saskatchewan - Farooq Hassan Sheikh u bë zyrtarisht shefi i 15-të i Shërbimit Policor të Regina të premten e kaluar (01.12.). Z. Sheikh zëvendësoi në këtë rol Evan Bray. Para marrjes së detyrës ai u betua në prezencë të Michael Tochor, Kryetar i Gjykatës Mbretërore të Saskatchewan ndërsa distinktivi i tij ri iu dorëzua nga Kryetarja e Bordit të Komisionerëve të Policisë, Jada Yee. Sheikh ka qenë kreu i Departamentit të Sherifëve në Alberta që nga viti 2021. Ai ka qenë gjithashtu anëtar i Shërbimeve të Policisë në Calgary dhe Central Saanich. Farooq Hassan Sheikh ka 31 vjet përvojë në forcat policore. Ai ka mbajtur poste të larta në Policinë Metropolitane të Londrës dhe Policinë e West Midlands në Mbretërinë e Bashkuar. Kreu i ri i Policisë së Regina ka pohuar pas emërimit se synon të diversifikojë rekrutimin e personelit në mënyrë që banorët e Regina të mund ta identifikojnë veten me forcat e policisë.

Nova Scotia - Qeveria e Nova Scotia ka akorduar afro 2.5 milionë dollarë për të mbështetur projektet që ruajnë gjallërinë natyrore të vijave bregdetare. Një vijë bregdetare e gjallë është një bregdet i mbrojtur dhe i stabilizuar me materiale natyrore si bimë, rërë ose shkëmbinj, dhe i aftë për t'i rezistuar erozionit dhe përmbytjeve të shkaktuara nga ndryshimet klimatike. Shuma e akorduar që vjen nga Fondi i Sfidës së Komuniteteve të Qëndrueshme, do të përdoret për të financuar projekte në shtatë komunitete, duke përfshirë dhe organizatën Bluenose Coastal Action në rajonin e Mahone Bay. Jordan Veinot, kreu i projekteve të kësaj organizate beson se një vijë bregdetare e gjallë krijon siguri tek qytetarët për përballimin e ndikimeve nga ndryshimet klimatike. Bluenose Coastal Action iu dha 770,000 dollarë për të zgjeruar vijën e saj bregdetare me rreth 100 metra dhe objektivi i organizatës eshtë të rigjallërojë gjithsej 700 metra vijë bregdetare. Organizata tjetër, TransCoastal e Universitetit Saint Mary gjithashtu mori 238,000 dollarë për të ofruar trajnime mbi vijat e gjalla bregdetare për banorët e rajonit Pictou dhe bashkive West Hants dhe Barrington.

© Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada; The Canadian Press