Kanada

Media shtetërore kanadeze CBC/Radio-Canada do shkurtojë 800 vende pune

  • Published in Kanada

Në një deklaratë për shtyp të publikuar dje pasdite (04.12.) kompania shtetërore kanadeze e informacionit CBC/Radio-Canada njoftoi reduktime të konsiderueshme në stafin dhe programet e saj. Sipas deklaratës, bëhet fjalë për 600 vende pune (të sindikalizuara dhe jo të sindikalizuara) në të gjithë vendin që do shkurtohen gradualisht gjatë 12 muajve të ardhshëm. Po kështu, rreth 200 poste vakante do të suprimohen përfundimisht. Transmetuesi publik ka cituar një presion buxhetor prej afro 125 milionë dollarësh si shkak që e ka detyruar të marrë një vendim të tillë, ndryshim ky që do të pasqyrohet në vitin fiskal 2024-2025. Shkurtimet do realizohen në mënyrë proporcionale, si në shërbimin e transmetimin anglisht, po ashtu dhe në atë të transmetimin frengjisht. Kësisoj, 500 vende pune do të reduktohen në mënyrë të barabartë nga CBC News dhe Radio-Canada, ndërsa pjesa e mbetur do prekë personelin e shërbimeve institucionale dygjuhëshe.  

CBC (Canadian Broadcasting Corporation), Korporata Kanadeze e Transmetimeve, e njohur ndryshe si CBC/Radio-Canada, është transmetuesi publik kanadez radiofonik dhe televiziv. CBC është themeluar më 2 nëntor 1936 në Ottawa dhe aktualisht numëron diçka më pak se 8,000 punonjës, çka do të thotë se rreth 10% e stafit të saj do të preket nga kjo valë e madhe shkurtimesh.

Catherine Tait

“Për momentin ende nuk mund të parashikohet saktë se në çfarë mase do të ndikohen nga ky vendim shërbimi i informacionit apo stacionet rajonale. Shkurtimet do të bëhen gradualisht gjatë muajve të ardhshëm. Është një periudhë shumë e vështirë, duhet pranuar dhe e kuptoj shumë mirë që kjo qasje krijon një pasiguri të madhe”, është shprehur Drejtoresha e Përgjithshme e korporatës, Catherine Tait, e intervistuar nga gazetari i mirënjohur frankofon i Radio-Canada, Patrice Roy.

Po dje (04.12.), punonjësit e CBC/Radio-Canada zhvilluan në grupe takime me videokonferencë për ta dëgjuar drejtpërdrejt nga goja e znj. Tait lajmin e keq që qarkullonte në media qysh prej fundjavës. Pas takimeve ka reaguar menjëherë, kryetari i Sindikatës së Punonjësve të Radio-Canada, Pierre Tousignant, sipas të cilit, “të gjithë janë të tronditur dhe të shqetësuar”. Në emër të organizatës e cila përfaqëson rreth 3,000 punonjës të korporatës shtetërore në Québec dhe New Brunswick, ai ka denoncuar veçanërisht mungesën e transparencës nga ana e stafit të lartë drejtues. “800 vende pune do suprimohen, por ne nuk e dimë kush, nuk e dimë kur dhe nuk e dimë se ku. Duke dashur të jetë kudo, CBC/Radio-Canada rrezikon të mos jetë askund. Prioritetet do të duhet të identifikohen”, ka këmbëngulur ai gjatë një interviste në ICI Premiere, pa specifikuar se cilat, për momentin.

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada/Ivanoh Demers; The Canadian Press/Spencer Colby