Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 10 dhjetor 2023

  • Published in Kanada

Vjeshtë në Vancouver

 

-British Columbia, autoktoni Leonard Marchand emërohet kryetar i Gjykatës së Apelit të provincës

-Saskatchewan, nxënësit e provincës nën nivelin mesatar kombëtar në tre lëndë shkollore

New Brunswick, kryeministri Blaine Higgs ndër më pak të preferuarit në vend

-Ontario, vlerësohet si “sinjal alarmi” një raport i Kolegjit të Mjekëve të Familjes

 

British Columbia - Kryeministri kanadez Justin Trudeau njoftoi të premten (08.12.) emërimin e Leonard Marchand në postin e kryetarit të Gjykatës së Apelit të provincës British Columbia. “Kryegjykatësi Marchand i ka kushtuar një pjesë të madhe të karrierës së tij lehtësimit të pajtimit me popujt autoktonë, përfshi dhe mbështetjen për trajtimin e padive civile të ndërmarra në emër të të mbijetuarve të shkollave rezidenciale”, thuhej në deklaratën e kryeministrit. Me origjinë nga komuniteti Syilx dhe anëtar i Fisit Indigjen Okanagan, ai është autoktoni i parë që emërohet kryetar gjykate në provincë. Leonard Marchand ka ushtruar detyrën e gjyqtarit në Gjykatën Provinciale të British Columbia nga 2013 deri në 2017. Ai u emërua më pas në Gjykatën Supreme të British Columbia në vitin 2017 dhe në Gjykatën e Apelit të British Columbia në vitin 2021. Kolegët dhe miqtë e tij e mirëpritën emërimin. Prokurorja e Përgjithshme e British Columbia, Niki Sharma, e konsideroi atë një emërim historik, “dëshmi e kontributit të tij të jashtëzakonshëm në radhët e komunitetit të juristëve dhe përkushtimit të tij të palëkundur në dhënien e drejtësisë për të gjithë”.

Leonard Marchand

Saskatchewan - Sipas rezultateve për vitin 2022 të Raportit Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA), nxënësit e provincës Saskatchewan renditen nën mesataren kanadeze në matematikë, shkencë dhe lexim. Rezultatet e raportit tregojnë performancën e kanadezëve të moshës 15 vjeç në këto lëndë në krahasim me vendet e OCDE dhe krahasuar me provincat dhe territoret e tjera kanadeze. Në vitin 2022, 23,000 nxënës kanadezë 15-vjeçarë morën pjesë në studimin PISA, në më shumë se 850 shkolla në 10 provinca. Sipas studimit, gati 30% e të rinjve të anketuar nga Saskatchewan kanë një nivel matematike nën nivelin 2, niveli i aftësive për të qenë në gjendje të integrohesh plotësisht në jetën e shoqërisë moderne. Raporti tregon gjithashtu se, në sistemin shkollor frankofon, rezultatet e nxënësve të Saskatchewan në matematikë janë në një nivel “të barabartë” me atë të pjesës tjetër të Kanadasë. Për këtë kategori, provinca renditet e 42-ta në botë, me një rezultat 468, ndërsa rezultati mesatar i matematikës është 497 për të gjithë Kanadanë. Manitoba, British Columbia dhe Alberta shënuan rezultate më të larta se Saskatchewan në matematikë. Studimi tregon gjithashtu se nxënësit e Saskatchewan performojnë nën mesataren kanadeze si në lexim (484 provinca, 507 Kanadaja) dhe në shkencë (494 provinca, 515 Kanadaja).

New Brunswick - Aktualisht, një e treta e banorëve të provincës New Brunswick miratojnë arritjet e kryeministrit të tyre. Sipas një sondazhi nga Instituti Angus Reid, kjo shifër e bën atë kryeministrin e dytë më pak popullor në vend, pas François Legault, kolegut të tij nga Québec, i cili është në rënie të lirë që nga shtatori. Sondazhi vlerësues i miratimit të të gjithë kryeministrave të provincave në të gjithë vendin u krye nga 24 nëntori deri më 1 dhjetor në internet me 3,749 qytetarë. Në tre provincat e Atlantikut të vlerësuara, marzhi i gabimit varion nga pesë deri në shtatë pikë përqindjeje. Miratimi i kryeministrit progresist-konservator të New Brunswick është rritur pak që nga marsi 2023, kur ai pat arritur nivelin më të ulët. Në atë kohë, 25% e të anketuarve miratonin rezultatet e Blaine Higgs. Kjo shifër tani është 33%. 11% e të anketuarve e mbështesin fuqimisht kryeministrin, 22% mesatarisht dhe 45% e të anketuarve nuk i mbështesin absolutisht rezultatet e tij, kjo e fundit një përqindje që është më e larta në vend.

Ontario - Sipas Radio-Canada, ashtu si në pjesën tjetër të vendit, diagnoza për mjekët e familjes në Ontario është që ata nuk ndihen mirë. Bëhet fjalë për rraskapitje, vuajtje dhe ankth, madje edhe mendime vetëvrasëse për disa. Edhe pse pandemia ka kaluar, periudhë e cila ndikoi që një numër prej tyre të hiqnin dorë nga praktikimi i profesionit, shqetësimet duket se nuk janë tejkaluar dhe dritat e kuqe vazhdojnë të ndezura. Kolegji i Mjekëve të Familjes së Ontarios, ka tentuar të tatojë pulsin e profesionit majin e kaluar. Të dhënat e një raporti që institucioni e cilëson si “sinjal alarmi”, thonë se 65% e 1300 mjekëve të anketuar kanë shprehur synimin e tyre ose të heqin dore nga praktikimi, ose, në rastin më të mirë, të reduktojnë orët e tyre të punës gjatë pesë viteve të ardhshme. Situata e kolegëve të tyre në pjesën tjetër të vendit nuk është më e lakmueshme. Sipas në një studimi të Shoqatës Mjekësore Kanadeze që daton nga viti 2021 - pra në mes të një situate pandemie - një në dy mjekë kanadezë deklaroi se vuante nga rraskapitja profesionale. Ankesa e shumicës së mjekëve të familjes të intervistuar lidhet me një akronim: EMR (Electronic Medical Report), thënë ndryshe, të dhënat elektronike mjekësore. Në përgjithësi, bëhet fjalë për punën administrative, e cila merr mesatarisht 19 orë nga mesatarisht 47.7 orë punë në javë dhe është pikërisht kjo që i lodh jo pak praktikuesit. Kjo kohë u hiqet gjithashtu pacientëve.

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Getty images; Radio-Canada; Angus Reid Institute;