Një koncert mbresëlënës në Toronto - Nga Jani Papadhimitri
- Published in Kanada

Me shumë kënaqësi ndoqëm në Toronto “Holiday Concert”, të Greater Toronto Philharmonic Orchestra, të organizuar nga Drejtori Ekzekutiv i saj Qazim Kallushi në bashkepunim me ACE Society. I ftuar ishte dirigjenti i mirënjohur Bujar Llapaj. Programi ishte i larmishëm, me vepra të zgjedhura nga Brahms, Verdi, Puçini, Shtraus, Offenbach, Mascagni.
E veçanta e këtij koncerti ishte që u luajtën për herë të parë në Kanada dy vepra nga autorë shqiptarë si “Valle Epike” e Fehim Ibrahimit dhe “Malesorja” e Lorenc Antonit.
Theksoj që “Vallja Epike” e Fehim Ibrahimit, u intepretua për herë të pare pa shkurtimet e së kaluarës, meritë kjo e dirigjentit Bujar Llapaj, i cili zgjodhi partiturën origjinale dhe e ringjalli këtë vepër të bukur. Sopranoja Holly Chaplin, me zërin e saj të ngrohtë, i dha një shkëlqim të veçantë kësaj mbrëmjeje.
Drejtimi i orkestrësë me shumë muzikalitet dhe elegancë nga Bujari, shpalosi me detaje më të mirën e veprave, duke ngjallur emocione të fuqishme. Kjo bëri që publiku të duartrokasë gjatë dhe me ovacione.
Uroj përzemersisht Bujarin dhe Qazimin të kenë bashkëpunime të tjera të suksesshme!
© Jani Papadhimitri