Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 17 dhjetor 2023

  • Published in Kanada

Christmas Market Distillery District - Toronto

 

-Ontario, RCPM arreston një adoleshent në Ottawa për aktivitet terrorist

-British Columbia, qeveria federale i akordon Bashkisë Vancouver 155 milionë dollarë për strehimin

-Alberta, Policia e Edmonton do çmontojë kampingjet e improvizuara të të pastrehëve

-New Brunswick, provinca do punësojë mjekë nga jashtë Kanadasë si asistentë klinikë

-Nova Scotia, Bashkia Halifax anullon pritjen e fundvitit dhe e dhuron fondin për bamirësi

 

Ontario - Sipas Radio-Canada, që i referohet një deklarate zyrtare të publikuar dje (16.12.) nga Policia Federale Kanadeze (RCMP). një adoleshent nga Ottawa është arrestuar prej saj të premten në mbrëmje (15.12.) dhe akuzohet për aktivitet terrorist në adresë të personave me origjinë hebreje. Më konkretisht, i riu akuzohet se “ka lehtësuar një aktivitet terrorist duke komunikuar dokumente udhëzuese në lidhje me një lëndë eksplozive" dhe “ka udhëzuar me vetëdije, drejtpërdrejt ose tërthorazi, një person për t'u përfshirë në një aktivitet terrorist kundër hebrenjve”. Ligji mbi Sistemin e Drejtësisë Penale për të Rinjtë nuk lejon shpërndarjen e informacioneve të tjera në lidhje me këtë person, përfshi dhe identitetin, por referuar deklaratës së lartpërmendur, arrestimi është bërë i mundur falë informacioneve të Shërbimit Informativ Kanadez të Sigurisë. Ndërkohë, një person që e identifikoi veten si babai i të riut të arrestuar, deklaroi për të përditshmen Global News: “E kam takuar së fundmi, e di që ishte mirë. Ai ishte normal, dua të them... ai është shumë i ri. Ai nuk ka plane për një sulm terrorist apo ndonjë gjë tjetër të ngjashme…”. RCMP gjithashtu pohoi se gjatë këtij operacioni ka bashkëpunuar me Shërbimin Policor të Ottawa (OPS), Policinë Provinciale të Ontarios, Shërbimin Informativ dhe partnerë të tjerë të sigurisë kombëtare.

British Columbia - Bazuar në një marrëveshje, qeveria federale kanadeze i akordoi të premten (15.12.) shumën prej 155 milionë dollarësh Bashkisë Vancouver për përballimin e asaj që njihet si kriza e strehimit dhe për të lehtësuar ndërtimin e 40,000 njësive të banimit gjatë dekadës së ardhshme, duke përfshirë 3,200 në periudhën 2024-2027. Marrëveshja është pjesë e Fondit Federal të Përshpejtimit të Strehimit, që u miratua verën e kaluar, fond nga i cili tashmë kanë përfituar disa qytete kryesore kanadeze. Ky program synon në veçanti të reduktojë formalitetet administrative dhe të përditësojë politikat lokale për zonimin. “Kjo do të thotë më pak dokumente, më shumë banesa të ndërtuara pranë stacioneve të transportit publik, strehim me qira më të përballueshme dhe më shumë densitet urban”, u shpreh kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, i cili ndodhej me këtë rast në Vancouver. Ky njoftim vjen në momentin kur Canada Mortgage and Housing Corporation raportoi një rënie prej 39% të nisjes nga puna të kantjereve të ndërtimit të banesave në Vancouver qysh nga nëntori, krahasuar me tetorin e këtij viti, ndërkohë që kjo rënie në shkallë vendi është 22%. Akordimi i fondit prej 155 milionë dollarësh është pritur mirë në British Columbia, provincë e cila së fundmi ka qenë e detyruar të rishikojë objektivat e ndërtimit të banesave për vitin 2024, për shkak të inflacionit dhe kostos në rritje të materialeve të ndërtimit. Kryetari i bashkisë Vancouver, Ken Sim, nga ana e tij, falënderoi qeverinë federale “për këtë investim që mundëson përshpejtimin e ndërtimit të banesave”.

Alberta - Shërbimi Policor i Edmontonit (EPS) ka planifikuar të çmontojë disa kampingje të improvizuara që strehojnë qindra të pastrehë në të gjithë qytetin. Operacioni pritet të fillojë nesër (18.12.) dhe të vazhdojë deri të premten e ardhshme. Në një email drejtuar organizatave mbështetëse të të pastrehëve, policia ka deklaruar se rreth 135 struktura do të shkatërrohen në tetë vendndodhje të ndryshme në kryeqytetin e provincës Alberta. “Duke pasur parasysh afërsinë e disa organizatave mbështetëse në zonën përreth, banorët e këtyre strukturave mund të kenë nevojë për ndihmë të menjëhershme nga organizatat e tyre përkatëse mbështetëse”, thuhej në email-in e forcave të rendit. Ndër të tjera, policia u ka kërkuar agjencive mbështetëse që gjatë përiudhës së çmontimit të qëndrojnë jashtë perimetrit të zonës për arsye sigurie. Kjo direktivë, si dhe vetë operacioni, e ka shqetësuar Jordan Reiniger, drejtor ekzekutiv i organizatës Boyle Street. “Mendoj se është një kërkesë e çuditshme. Jam kurioz pse mendojnë që ne nuk duhet të shikojmë çmontimin e kampingjeve. Të paktën procesi duhet të jetë transparent dhe të kryhet sa më me kujdes”, është shprehur ai për Radio-Canada. Nga ana e tij, në një deklaratë zyrtare, Koalicioni për Strehimin dhe të Pastrehët në Edmonton (ECOHH) e ka denoncuar nismën e policisë, duke theksuar se ky veprim do të shkaktojë pasoja të rënda.

New Brunswick - New Brunswick sapo ka krijuar një program që do t’u mundësojë mjekëve nga jashtë Kanadasë të integrohen në sistemin e kujdesit shëndetësor të provinces fillimisht si asistentë klinikë. Sipas këtij programi, parashikohet të punësohen deri në 24 asistentë klinikë gjatë tre viteve të ardhshme. “Mjekët e diplomuar jashtë vendit që nuk plotësojnë kriteret për të qenë mjekë në New Brunswick do mund të aplikojnë”, u shpreh të premten (15.12.) ministri provincial i Shëndetësisë, Bruce Fitch. “Kandidatët”, shtoi ai, “do të punojnë nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të një mjeku të liçensuar”. Ndërkohë, Dr. Laurie Potter, presidente e Kolegjit të Mjekëve dhe Kirurgëve të New Brunswick e ka vlerësur këtë zgjidhje si realiste gjatë një konference për mediat. Detyrat e asistentëve klinikë do të përfshijnë ndihmën e kirurgëve gjatë operacioneve, vlerësimin e pacientëve të shtruar në spital dhe kujdesin për ta në bashkëpunim me një mjek. Ata gjithashtu do të përfshihen në një rotacion të disponueshmërisë gjatë mbrëmjeve, fundjavave dhe festave. “Asistentët klinikë do të punësohen në të gjitha rajonet e provincës dhe nga dy rrjetet shëndetësore, Vitalité dhe Horizon. Ata do të punojnë në vijën e parë të sistemit shëndetësor”, ka specifikuar ministri Fitch. Edhe pse nuk është deklaruar ende se cila do jetë paga e propozuar për këta asistentë klinikë, tashmë një lloj i ri klasifikimi dhe liçense pune është krijuar nga ministria e Shëndetësisë për të mundësuar punësimin e këtyre asistentëve klinikë me page konkurruese. Sipas qeverisë, programi i ri është pjesë e projektit për përmirësimin e kujdesit shëndetësor në province, krahas procedures se re të aksesit të shpejtë për mjekët e diplomuar jashtë Kanadasë për të marrë një liçensë për të praktikuar në New Brunswick. Më shumë se njëqind mjekë aplikuan në këtë program tetorin e kaluar.

Bruce Fitch

Nova Scotia - Festa tradicionale e Vitit të Ri në Halifax City Hall është anuluar këtë vit. Këshilli bashkiak ka vendosur që fondi i destinuara për ceremoninë, kësaj here të shpenzohet për të blerë ushqime për të pastrehët që jetojnë në tenda në Grand Parade, sheshin publik përpara bashkisë. Zakonisht, për të festuar Vitin e Ri, kryetari i bashkisë dhe zyrtarë të tjerë ftojnë publikun në bashkinë e qytetit për një pritje, ku shërbehet ushqim dhe pije freskuese. Me të paktën një mijë njerëz të pastrehë në kryeqytetin e Nova Scotia, vetëm disa ditë para fillimit të dimrit, kryebashkiaku Mike Savage ishte i mendimit se nuk është koha për të festuar. Përveç çadrave disa metra larg bashkisë, ka disa kampingje edhe në hapësira të tjera të qytetit. “Çdo natë, shkoj në shtrat duke pyetur veten nëse deri në mengjes dikush do të vdesë nga uria ose do të digjet nga flakët”, deklaroi Mike Savage në mbledhjen e këshillit bashkiak të marten e kaluar (12.12.) ndërkohë që para një jave, tre persona shpëtuan për fat të padëmtuar pas një zjarri që përfshiu një nga tendat në Grand Parade. Kryetari i Bashkisë mund ta anulonte vetë pritjen e fundvitit, megjithatë, atij i duhej miratimi i këshillit që të bëhej rialokimi i 8,500 dollarëve të planifikuar për aktivitetin në fjalë. Fondet i janë dhuruar Qendrës Shëndetësore Komunitare North End dhe shuma do të shpenzohet për të shërbyer ushqim për banorët e tendave në Grand Parade.

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada