Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 24 dhjetor 2023

  • Published in Kanada

Christmas Market - L'Assomption (Québec)

 

-British Columbia, rritet me 27% kohëzgjatja e pritjes për një banesë sociale në Vancouver

-Alberta, në një vit është rritur gati dyfish numri i viktimave të pastreha në Calgary

-Manitoba, kryeministri Kinew synon t’i kthejë shtëpitë e braktisura në banesa sociale

-Nova Scotia, në prag Krishtlindje ende rreth 100 vetë flenë jashtë në Halifax

-Québec, Fondacioni Accueil Bonneau-Montréal do reduktojë shërbimin e ndihmës ushqimore

 

British Columbia - Të dhënat më të fundit nga Metroropolitan Vancouver Area dëshmojnë për një rritje të kohës së pritjes për banesa sociale në rajon, me 18,865 familje dhe të moshuar. Këto shifra u publikuan në një raport për muajin dhjetor 2023. Rezulton se që nga viti 2022, lista e pritjes e BC Housing është rritur me 27% në këtë zonë me gati 2,7 milionë banorë. Raporti nënvizon gjithashtu se numri i të pastrehëve është rritur 33% që nga viti 2020 dhe 122% që nga viti 2005, ndërkohë që është rritur dhe numri i strehimeve të përkohshme të supervizuara. Nga ana tjetër, norma e ulët e banesave të lira në dispozicion ka bërë që qiratë të rriten më shumë se dyfish që nga viti 2002. Konstatohet po ashtu një rritje prej 30% në normat mesatare të qirave gjatë pesë viteve të fundit. Raporti i Metropolitan Vancouver informon po ashtu se lista e pritjes e BC Housing nuk është gjithëpërfshirëse për të gjitha nevojat rajonale të strehimit social dhe në pesë vitet e fundit rezulton që listat e pritjes janë rritur masivisht në bashkitë periferike. Këto të dhëna përfshijnë Langley, i ndodhur rreth 50 km në lindje të Vancouver, ku lista e pritjes u rrit me 113%, Delta, pothuajse 26 km në jug të Vancouver, me një rritje prej 108%, ndërsa Richmond pati një rritje prej 82%.

Alberta - Gjatë një ceremonie përkujtimi të organizuar të enjten e kaluar (21.12.) në Calgary për të pastrehët që humbën jetën vitin e fundit, u lexuan me radhë e me zë të lartë një nga një emrat e 436 prej tyre dhe më pas u mbajt një minutë heshtje. Vitin e kaluar gjatë të njëjtës ceremoni u përkujtuan në të njëjtën mënyrë 239 vetë. Numri aktual i personave të pastrehë që kanë vdekur mund të jetë edhe më i lartë, paralajmëron organizata Calgary Homeless Foundation në faqen e saj të internetit. “Ishte një vit vërtet i vështirë”, ka deklaruar për Radio-Canada Patricia Jones, drejtoreshë e fondacionit. Ajo e ka shpjeguar këtë rritje me dy faktorë: kriza e strehimit dhe kriza e opioideve. Sipas saj, ky është numri më i lartë i të pastrehëve që kanë vdekur qysh nga organizimi për herë të parë i memorialit të Natës më të gjatë të Vitit nëntë vjet më parë. Vitin e kaluar, organizatorët deklaruan se viti 2022 ka qenë viti më vdekjeprurës në historinë e veprimtarisë së fondacionit, ndërsa këtë vit, një numër i madh syresh kanë vdekur gjatë qëndrimit në strehimore.

Manitoba - Kryeministri i provinces Manitoba, Wab Kinew, synon të shpronësojë ndërtesat e braktisura dhe t’i kthejë ato në banesa sociale me qëllim eliminimin e fenomenit të të pastrehëve brenda tetë viteve të ardhshme. “Bashkitë kanë kompetenca shpronësimi, por nëse është e nevojshme më shumë, ne jemi të hapur”, ka deklaruar ai për The Canadian Press. Sipas tij, provinca nuk do të jetë në gjendje të ndërtojë banesa sociale shpejt ose me kosto mjaft të ulët për të përmbushur në kohë kërkesën për strehim ndaj dhe “një nga mënyrat më të lehta për të rritur stokun e banesave dhe për t’i nxjerrë njerëzit nga tendat apo kampingjet, është të gjejmë një hotel apo ndërtesë apartamentesh ekzistuese që mund të mos jetë e përshtatshme për banim tani, por që mund të bëhet e tillë në gjashtë me një investim më modest”, ka shtuar ai. Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë Winnipeg, Scott Gillingham, e ka përkrahur këtë ide, ndërkohë që në qytet ka 750 prona të braktisura. “Ne kemi nevojë për më shumë banesa menjëherë, kështu që konvertimi i pronave të braktisura në maksimumin e kapacitetit të tyre është diçka që unë vërtet dua të eksploroj” u shpreh Gillingham. New Democratic Party e Wab Kinew premtoi gjatë fushatës së fundit zgjedhore eliminimin e fenomenit të të pastrehëve duke zbatuar një sistem të ngjashëm me atë përdorur në Houston të Shteteve të Bashkuara, ku administrata bashkiake punoi me organizatat lokale për të ofruar më shumë banesa të disponueshme për njerëzit që jetonin në kampingje.

Nova Scotia - Sipas një vlerësimi të datës 22 dhjetor nga Bashkia Rajonale Halifax, rreth 100 vetë janë ende duke fjetur nëpër rrugët e kryeqytetit të Nova Scotia. Nga ana e saj bashkia ka punësuar së fundi një koordinator komuniteti për të menaxhuar vullnetarët që duan të ndihmojnë këtë kategori personash. Sipas drejtorit të Strehimit dhe të Pastrehëve në Halifax, Max Chauvin, prioritet është që të pastrehët të cilët jetojnë në tenda të zhvendosen në ambiente të brendshme. “Thjesht nuk mund t'i lëmë të flenë jashtë. Nuk është e sigurt dhe nuk është dinjitoze”, u shpreh ai për Radio-Canada. Shoqata e strehimit të përballueshëm në Nova Scotia ka llogaritur afërsisht 1,000 të pastrehë në Halifax që nga 12 dhjetori, një shifër që përfshin ata që flenë në një automjete ose në rrugë. Hapja e një strehimoreje të re në rrugën Windmill në Dartmouth e cila mund të strehojë rreth 100 njerëz është konsideruar gjithashtu një arritje nga bashkia. Ndërkohë, një zëdhënës i ministrisë së Shërbimeve Komunitare të Nova Scotia deklaroi të premten (22.10.) se numri i njerëzve në strehimoren e rrugës Windmill në Dartmouth ndryshon nga dita në ditë. Në varësi të nevojave, ofruesit e shërbimeve përpiqen të gjejnë zgjidhje alternative për të ndihmuar njerëzit e pastrehë. Në foton më poshtë shihen tendat e peshkimit në akull, të dhuruara nga grupet e komunitetit, që strehojnë njerëz të pastrehë në sheshin Grand Parade përpara Bashkisë së Halifax.

Québec - Fondacioni Accueil Bonneau-Montreal do detyrohet të ndërpresë ofrimin e vakteve për të varfrit në fundjavë që nga 6 janari 2024. Nëse kjo organizatë nuk merr së shpejti ndihmën financiare që i nevojitet, mbijetesa e shërbimeve ushqimore që ofron për njerëzit në situata të pasigurta do të jetë në rrezik real qysh nga muaji shkurt. Për drejtuesit e fondacionit, nuk është sekret, Accueil Bonneau po lufton me një deficit për të tretin vit radhazi. Kjo organizatë regjistroi deficite prej rreth 400,000 dollarë në 2021 dhe 2022 dhe më shumë se 600,000 dollarë këtë vit, duke qenë e detyruar të shpenzojë dhe rezervat. Drejtoresha e përgjithshme, Fiona Crossling, shpjegoi për Radio-Canada se shkaku i deficitit është rritja e kostove dhe shpenzimeve të përgjithshme. Mbledhja e fondeve gjithashtu nuk sjell aq shumë sa në të kaluarën, ka pohuar ajo. Accueil Bonneau e ushqen buxhetin e vet kryesisht me donacione dhe aktualisht bëhet fjalë për një nevojë prej disa qindra mijëra dollarësh në vit vetëm për shërbimet ushqimore. Sipas Crossling, në qendër të problemit është fakti se Accueil Bonneau nuk merr asnjë financim nga qeveria për shërbimet e tij ushqimore, të cilat ofrohen prej 146 vjetësh, ndaj dhe organizata po kërkon një ndihmë vjetore publike prej 1.2 milionë dollarësh nga qeveria provinciale për të gjitha shërbimet e saj, të cilat përfshijnë ndërhyrje psikosociale, kujdes shëndetësor dhe mbështetje ligjore. Nga kjo shumë, nëse ajo akordohet, 700,000 dollarë do të rezervohen për shërbime ushqimore. Në një letër dërguar ministrit përgjegjës për Shërbimet Sociale, Lionel Carmant, më 18 dhjetor, organizata kërkoi një zgjidhje të qëndrueshme për problemin e saj të përsëritur dhe kronik të financimit. Më pas, ministri Carmant dhe kolegu i tij, ministri i Shëndetësisë, Christian Dubé, dhanë secili një shumë diskrecionale prej 25,000 dollarësh për të mbajtur shërbimet ushqimore të Accueil Bonneau gjatë sezonit të festave.

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada