Kanada

Zgjedhjet Ontario – Ford premton rekrutim të mjekëve frankofonë nga Québec

  • Published in Kanada

Shërbimet në dy gjuhë, veçanërisht në sektorin mjeksor, kanë qenë pjesë e fushatës zgjedhore në Ontario ditët e fundit, ku sipas sondazheve mund të rezultojë që më 8 qershor provinca të gdhihet më një kryeministër që flet vetëm anglisht. Nga të tre kandidatët, vetëm Kathleen Wynne e zotëron gjuhën e dytë zyrtare të Kanadasë.

Të martën në Toronto, në ambientet e Radio-Canada është zhvilluar një debat në gjuhën frengjisht me përfaqësues të Liberalëve, NDP dhe Konservatorëve. Në vijim të këtij debati që kishte në fokus interesat e komunitetit frankofon (rreth 5% e popullsisë së provincës) lideri konservator Doug Ford ka premtuar që nëse do të duhet, për nevojat e ofrimit të shërbimit mjekësor në gjuhën frengjisht, ai është i gatshëm të rekrutojë mjekë nga provinca fqinje frankofone. Ai gjithashtu ka premtuar një financim adekuat për të plotësuar edhe kërkesat për infermierë që zotërojnë të dy gjuhët zyrtare.

Premtimet e NDP dhe Liberalëve

Liderja neo-demokrate Horwath ka deklaruar së është në dijeni të mungesave të mëdha sa i takon personelit mjeksor frankofon në Ontario ndërsa ka premtuar sigurimin e një shërbimi “ekuivalent”, në se do të zgjidhet në 7 qershor. Sa i takon propozimit të Ford për rekrutimin e mjekëve në Québec, Horwath ka theksuar që ka më shumë se një zgjidhje për problemin në fjalë, njëra nga të cilat do të ishte inkurajimi i të rinjve frankofonë të zgjedhin profesione nga fusha e shëndetit. Sipas saj, edhe krijimi i Universitetit Frankofon të Ontarios do jetë një mundësi më shumë në këtë drejtim, edhe pse në vitin 2020, viti kur do hapet për herë të parë, nuk parashikohet qysh në fillim të ofrohen programe nga fusha e mjekësisë.   

Për liberalen Kathleen Wynne, Ontario duhet të mbetet e hapur për mjekë frankofonë si nga Québec, ashtu edhe nga Franca, por ajo ka pohuar se nuk kishte dijeni në se ka shumë të tillë nga provinca fqinjë që janë punëkërkues. Gjithsesi, ajo ka vlerësuar “rëndësinë” e kërkesës së franko-ontarianëve për ta patur shërbimin mjekësor në gjuhën e tyre dhe ka premtuar përmirësimin e Ligjit për shërbimet në frengjisht në se do rizgjidhet.

Burimi: Radio-Canada