Kanada: Shfajësohen dy persona në New Brunswick 40 vjet pasi u dënuan për vrasje
- Published in Kanada
Dyzet vjet pasi u dënuan për vrasje, dy kanadezë nga New Brunswick kanë fituar dje (04.01) pafajësinë para një gjykate në qytetin Saint John. Pas shpalljes së vendimit, Tracey K. DeWare, kryetare e Gjykatës Mbretërore të kësaj province deklaroi se është “jashtëzakonisht për të ardhur keq” që u deshën 40 vjet që Robert Mailman dhe Walter Gillespie të shpalleshin të pafajshëm, ndërsa Ron Dalton bashkë-president i Innocence Canada (dikur Association in Defence of the Wrongly Convicted), u shpreh se “atyre iu vodh liria, iu vodh besimi në sistemin e drejtësisë”.
Akualisht, në moshën 81 vjeç, Walter Gillespie jeton në një banesë rehabilitimi social në Saint John, ndërsa Robert Mailman, 76 vjeç, është diagnostikuar me kancer në fazën terminale. Robert Mailman dhe Walter Gillespie u deklaruan fajtorë nga gjykata e shkallës së parë për vrasjen e George Gilman Leeman më 30 nëntor 1983 dhe u dënuan me burgim të përjetshëm pa mundësi lirimi me kusht për një afat 18 vjet. Apelimi i tyre u hodh poshtë në fillim nga Gjykata e Apelit të New Brunswick dhe më pas edhe nga Gjykata e Lartë e Kanadasë. Sipas Ron Dalton, drejtues i organizatës Innocence Canada, e cila i përfaqësonte ata ligjërisht, Robert Mailman dhe Walter Gillespie kaluan respektivisht 18 dhe 21 vjet në burg dhe deri më sot u ishin nënshtruar rregullave të forta të lirimit me kusht.
Gjithçka duket se ka ndyshuar dhjetorin e kaluar, kur ministri Federal i Drejtësisë, Arif Virani, njoftoi se kishte urdhëruar një rigjykim të çështjes për shkak se kishte të dhëna se ishte kryer një gabim në dhënien e drejtësisë.
Fillimisht, në seancën e djeshme kryegjyqtarja e provincës Tracey K. DeWare pohoi se Mailman dhe Gillespie konsiderohen të pafajshëm nga pikpamja ligjore në lidhje me vrasjen e George Gilman Leeman në 1983. Më pas, ajo u kërkoi të bënin deklarimet e tyre. “I pafajshëm”, deklaroi Robert Mailman me zërin që i dridhej. Të njëjtën deklaratë përsëriti edhe Walter Gillespie. Më pas Prokuroria e informoi gjykatën se nuk do të paraqiste asnjë prove dhe përfundimisht gjyqtarja DeWare deklaroi se vendimi i pafajësisë ishte i vetmi vendim i mundshëm.
Shumë emocione pas vendimit
Teksa dilte nga gjykata pas vendimit, Walter Gillespie dukej shumë i emocionuar. Tejet i tronditur, ai kishte vështirësi të shprehej. Thjesht pohoi se nuk e kish menduar kurrë se do vinte dita që do ta fitonte pafajësinë, ndërsa Robert Mailman, i drobitur nga sëmundja, nuk ishte fare në gjendje të fliste.
Ka qenë Ron Dalton ai që foli në emër të tyre para mediave. “Ata janë të lumtur që më në fund erdhi kjo ditë, por ajo që ka më shumë rëndësi është të kuptohet se çfarë ka ndodhur, në mënyrë që të mos përsëritet, edhe pse në fakt është tepër vonë për këta dy qytetarë të cilët nuk do t’i rifitojnë kurrë vitet e humbura”. Ai kujtoi gjithashtu se për fat të keq edhe familja e Gilman Leeman, nuk mori nga drejtësia përgjigjen për vrasjen e tij.
Robert Mailman dhe Ron Dalton
Pas rigjykimit të çështjes, Innocence Canada nuk ka pranuar t’i shtjellonte për mediat detajet e procedurave ligjore duke pohuar se kjo do ishte një temë për një ditë tjetër. Megjithatë, organizata deklaroi se duhen adresuar disa pyetje serioze në lidhje me hetimet e policisë së Saint John në atë kohë, hetime të cilat i ka konsideruar si një “turp i vërtetë”.
Sipas Innocence Canada, trupi me shenja dhune të rëndë dhe pjesërisht i djegur i George Gilman Leeman, u gjet nga nga një person që po vraponte në një zonë pyjore pranë Saint-Jean në vitin 1983. Ndërkohë që Robert Mailman dhe Walter Gillespie, kishin alibi solide me dëshmitarë të shumtë që konfirmonin se të dy ndodheshin larg vendit të krimit në ditën e vrasjes.
Dy dëshmitarë okularë, megjithatë, dëshmuan për Prokurorinë gjatë gjykimit në shkallë të pare dhe njëri prej tyre, Josh Arnold Loeman, 18 vjeç, nënshkroi një deklaratë që u përdor në gjykatën e apelit në vitin 1988. Në atë deklaratë, ai hoqi dorë nga ajo që i kishte deklaruar fillimisht policisë për vrasjen. 18-vjeçari pohoi se dëshmia e tij në gjyq ishte e rreme dhe se policia e detyroi të dëshmonte pasi e kërcënoi se do ta akuzonte dhe do ta dërgonte në burg. Por, në një letër të depozituar më vonë pranë Gjykatës së Apelit, Josh Arnold Loeman shkruante se ishte tërheqja e tij që ishte e rreme dhe se ai kishte vepruar për të mbrojtur veten nga kërcënimet e bëra nga njerëzit e afërt të Robert Mailman.
Gjykata e Apelit konkludoi se provat e reja nuk ishin të besueshme dhe e refuzoi apelimin e Mailman dhe Gillespie.
© Flasshqip me informacion nga CBC/Radio-Canada dhe The Canadian Press
Fotot: CBC/Radio-Canada