Kanada

Kanada: Arrestohet një gazetar që tentoi të intervistonte zëvendëskryeministren Freeland

  • Published in Kanada

Gazetari David Menzies i Rebel News u arrestua dje (09.01) pasi u pretendua se sulmoi një oficer policie (jo me uniformë) ndërsa përpiqej t'i bënte pyetje zëvendëskryeministres dhe ministres së Financave të Kanadasë Chrystia Freeland në lidhje me vendimin e qeverisë për të hequr Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (Islamic Revolutionary Guard Corps-IRGC) nga lista e organizatave të përcaktuara terroriste. Ky entitet i themeluar më 5 maj 1979 (nga Ayatollah Khomeini), i njohur dhe me emrat Sepah ose Pasdaran, është pjesë e Forcave të Armatosura të Republikës Islamike të Iranit.

Në videon e incidentit të postuar në internet shihet David Menzies duke u konfrontuar për disa momente me dy civilë në Richmond Hill (Vaughan-Ontario) pasi tentoi të merrte në pyetje numrin dy të qeverisë Trudeau në lidhje me IRGC disa momente para një aktiviteti ku do përkujtohej rrëzimi i avionit të Ukrainian International Airlines me numër fluturimi PS752 në janar 2020. Tragjedia ku humbën jetën 176 vetë, ndër të cilët 57 me shtetësi kanadeze, ndodhi sepse avioni u godit me një raketë TOR nga artileria e Forcave të Armatosura të Iranit disa minuta pasi u ngrit në fluturim nga aeroporti i Teheranit.

Në video shihet gjithashtu se personi që i preu rrugën i pari David Menzies teksa mbante mikrofonin në dorë, e kapi më pas atë prej xhakete, i tërhoqi mikrofonin, debatoi me të dhe e shtyu pas murit duke e akuzuar për agresion (assault) ndërsa po e arrestonte. Pasi i lidhën duart nga pas, David Menzies pohoi para kameras që vazhdonte të filmonte se ai nuk kishte prekur askënd, duke shtuar se ishte një akuzë e rreme për agresion. “Nuk erdha këtu për të krijuar probleme. Erdha këtu për të bërë punën time dhe tani jam në pranga. Kjo është Kanadaja juaj tani, miq. Është Gestapo që zbaton urdhrat e blackface”, u shpreh ai - një referencë e dukshme për kryeministrin Trudeau, i cili gjithashtu mori pjesë në aktivitet. Menzies e pyeti gjithashtu personin që i preu rrugën dhe e arrestoi për emrin dhe numrin e distinktivit të tij, por përgjigjet e këtyre pyetjeve nuk dëgjohen në regjistrim.

https://twitter.com/RebelNewsOnline/status/1744501137183777006

Një zëdhënës i Policisë Rajonale të York-ut më pas e identifikoi personin në fjalë që shihet në video, si pjestar i ekipit të truprojeve të Policisë Federale Kanadeze (RCMP). Po i njëjti burim deklaroi se pasi u konstatua se nuk kishte asnjë kërcënim të besueshëm për sigurinë, subjekti i arrestuar u lirua menjëherë. Sipas tij, Policia Rajonale e York asistoi RCMP për shkak se ndodhej prezent në hyrje të godinës ku do zhvillohej aktiviteti. Nga ana e saj RCMP, gjithashtu përmes një zëdhënësi, deklaroi se po shqyrtonte incidentin dhe veprimet e të gjitha palëve të përfshira duke mos bërë asnjë koment tjetër.

Sipas CBC-Radio-Canada, siguria e Chrystia Freeland, e cila ka qenë objekt i kërcënimeve dhe konfrontimeve të tensionuara publike në të kaluarën, monitorohet rregullisht nga policia. Kjo e fundit iu shmang pyetjeve të bëra nga Menzies dhe nuk u shpreh fare gjatë arrestimit të tij.

Gazetari David Menzies ka patur përplasje me policinë dhe shërbimet e sigurisë edhe në të kaluarën, duke përfshirë një arrestim nga truprojat e kryeministrit Trudeau në një event në Toronto në vitin 2021. Ai u arrestua gjithashtu gjatë një aktiviteti të Melissa Lantsman, tani nënkryetare e Partisë Konservatore, në vitin 2021 në Thornhill, Ontario. Lantsman, e cila është lezbike, pat deklaruar se pyetjet e Menzies ishin homofobike dhe fokusoheshin në orientimin e saj seksual. David Menzies u nxorr jashtë edhe nga një takim në kuadrin e fushatës së vitit 2019 të udhëheqësit të atëhershëm konservator Andrew Scheer.

Media Rebel News e shpërndau gjerësisht videon e incidentit të djeshëm me gazetarin e vet. “Truproja e Chrystia Freeland sulmon dhe arreston David Menzies teksa i drejton asaj një pyetje. Policia ka gënjyer për agresionin. Ishin ata që e sulmuan atë”, lexohej në postimin e faqes së Rebel News në internet.

Sipas të dhënave të rrjetit X, pjesë të videos janë parë nga miliona përdorues të mediave sociale.

Ezra Levant

Pronari i Rebel News Ezra Levant pohoi se ai dhe Menzies do ta ndjekin ligjërisht incidentin dhe për CBC News deklaroi se “ne nuk e kemi finalizuar ende strategjinë tonë ligjore, por ne parashikojmë të padisim RCMP dhe Policinë Rajonale të York-ut, si dhe Chrystia Freeland, për arrestim të paligjshëm, burgim të paligjshëm dhe agression”.

Nga ana e tij, shefi i opozitës konservatore Pierre Poilievre e dënoi arrestimin e gazetarit David Menzies dhe shpërndau një video të incidentit me mesazhin: “Ja ku jemi me lirinë e shtypit. Në Kanada. Në vitin 2024. Pas tetë vitesh Trudeau”.

Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada

Fotot: Rebel News/X; The Canadian Press/Jeff McIntosh