Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 14 janar 2024

  • Published in Kanada

Quebec City

 

-British Columbia, vala e të ftohtit komplikon përditshmërinë në gjithë provincën

-Alberta, kursim energjie gjatë orëve të pikut për reduktimin e defekteve të linjave elektrike

-Provincat Atlantike, nis rimbursimi i taksës së karbonit për vitin 2024

-Québec, projekti imobiliar Royalmount në Montréal drejt konkretizimit

-Ontario, pas zgjedhjes shefe e Liberalëve Bonnie Crombie dorëhiqet nga drejtimi i Mississauga

 

British Columbia - Paralajmërimet për të ftohtin ekstrem dhe rrymat e ajrit arktik vazhduan të emetohen nga Environment Canada edhe gjatë kësaj fundjave për pjesën më të madhe të territorit të British Columbia. Vala ekstreme e ftohtë, e cila preku pjesën veriore të provincës të mërkurën (10.01), përfshiu më pas edhe pjesën e brendshme dhe jugore ku u paralajmëruan temperatura rreth -35 deri -40 gradë Celsius, plus faktorin erë. Për sektorin e bregdetit jugor, Environment Canada mbajti në fuqi paralajmërimin e rritjes së ndikimit të rrymave arktike. Agjencia federale tërhoqi vëmendjen për rrezikun e hipotermisë dhe ngrirjes për shkak të erërave shumë të ftohta. Ndërkohë, në aeroportin e Vancouver, autoritetet rekomanduan që udhëtarët të kontrollonin statusin e fluturimit të tyre me transportuesin e tyre ajror. dhe dje (13.01) që nga ora 11 e mëngjesit fluturimet u vonuan ose u anuluan për shkak të të ftohtit, veçanërisht ato më vajtje ose ardhje nga Alberta.

Alberta - Për shkak të temperatura jashtëzakonisht të ftohta që ende parashikoheshin të vazhdonin deri nesër në Alberta dhe për pasojë rritjes së kërkesës për energji, kompania që administron sistemin elektrik të provincës u kërkoi qytetarëve të reduktonin konsumin e tyre të energjisë elektrike gjatë periudhës së pikut, nga ora 16:00 deri në orën 19:00. Alberta Electric System Operator (AESO) ​​e shpalli kërkesën urgjente dje (13.01) dhe për reduktimin e defekteve rekomandoi konsum vetëm për nevoja strikte thelbësore. Alarmi u shpall i përfunduar mbrëmë në orën 20:40. Alberta arriti rekordin provincial të të gjitha kohërave për kërkesën për energji elektrike të enjten në mbrëmje (11.01), pasi i ftohti ekstrem përfshiu provincën. Atë ditë, kërkesa totale arriti një kulm për orë prej 12,384 megavat energji elektrike, duke thyer rekordin e fundit prej 12,192 megavat, të vendosur më 21 dhjetor 2022.

Provincat Atlantike - Rimbursimi i parë i taksës së karbonit për këtë vit do t’u paguhet qytetarëve kanadezë nesër (15.01). Shumat e dhëna do të jenë të njëjta me ato të vjeshtës së kaluar, pavarësisht përjashtimit që u bë për mazutin e ngrohjes në vjeshtën e kaluar. Në provincat e Atlantikut, rimbursimet për një familje me katër persona do të variojnë në varësi të provincës dhe vendbanimit. Në New Brunswick, kjo shumë do të jetë 184 dollarë, ndërsa në Prince Edward Island do të jetë 240 dollarë, 248 dollarë në Nova Scotia dhe 328 dollarë në Newfoundland dhe Labrador. Një person që jeton vetëm në New Brunswick do të marrë 92 dollarë, në Prince Edward Island, 120 dollarë, në Nova Scotia 164 dollarë dhe poashtu 164 dollarë në Newfoundland dhe Labrador. Qeveria Trudeau e njoftoi vjeshtën e kaluar pezullimin tre-vjeçar të taksës së karbonit për mazutin e ngrohjes në shtëpi. Kjo masë u paraqit si një zgjidhje për të ndihmuar familjet që përballen me koston e lartë të këtij karburanti, veçanërisht në provincat e Atlantikut.

Québec - Më në fund projekti Royalmount në Montréal do të bëhet realitet verën e ardhshme në muajin gusht. Promotori i projektit, kompania Carbonleo, planifikon të inaugurojë fazën e parë të kompleksit në zonën pranë këndit mes autostradave Décarie dhe 40, në territorin e bashkisë Mount-Royal. Një hapësirë ​​e gjelbër, një kinema, rreth njëqind dyqane dhe rreth gjashtëdhjetë restorante do të jenë më pas të aksesueshme. Nën një çati të madhe xhami, korridori i ardhshëm i dyqaneve luksoze do të strehojë marka të tilla si Louis Vuitton, Gucci, Tiffany & Co dhe Saint Laurent. Carbonleo pat paralajmëruar ardhjen e këtyre emrave të mëdhenj në konsumin e luksit qysh në vjeshtën e vitit 2022 dhe pat deklaruar se kjo dëshmon për cilësinë e projektit dhe aftësinë e tij për t’iu përgjigjur një kërkese shumë të pranishme për këtë lloj përvoje nga tregu vendas. Projekti Royalmount u shpall në vitin 2015 dhe kostoja e tij u vlerësua në afro 10 miliardë dollarë. Faza komerciale, e cila filloi ndërtimin në vitin 2019 dhe kushtoi më shumë se 1 miliard dollarë, është e para që përfundon. Një urë këmbësore do të lidhë Royalmount me stacionin e metrosë De la Savane, mbi autostradën Décarie dhe 2,000 vende parkimi nëntokë do të jenë të disponueshme. Carbonleo gjithashtu investoi 20 milionë dollarë për të shtuar dy korsi në aksin Chemin de la Côte-de-Liesse për të lehtësuar aksesin me makinë. Në fazat e ardhshme të projektit, Carbonleo synon të ndërtojë mijëra apartamente, por për momentin bashkia Mount-Royal, refuzon të modifikojë zonimin, ndër të tjera për të mos dëmtuar aktivitetet industriale. Hapja e një akuariumi në fund të vitit 2025 dhe kullat e zyrave përbëjnë fazat e ardhshme të projektit. Kompania Carbonleo është gjithashtu promotore e kompleksit tregtar Quartier DIX30 në Brossard dhe e projektit për rivitalizimin e hotelit Four Seasons në qendër të Montréal.

Ontario - Kryetarja e bashkisë Mississauga, Bonnie Crombie, ka dhënë zyrtarisht dorëheqjen të premten (12.01), disa javë pasi u zgjodh kryetare e Partisë Liberale të Ontarios. Kësisoj, i hapet udha procesit për ta zëvendësuar atë në krye të qytetit të tretë më të madh të provincës. Këshilli bashkiak pritet ta shpallë vakant postin e kryetarit në mbledhjen e radhës të mërkurën, më 17 janar. Më pas, këshilli do të ketë 60 ditë për të miratuar një rregullore për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme dhe do të vijojë një periudhë nominimi gjatë së cilës kandidatët do mund të hyjnë zyrtarisht në garë. Deri tani janë deklaruar paraprakisht dy pretendentë. E para, Carolyn Parrish, anëtare e këshillit bashkiak prej shumë vitesh, që e shpalli joformalisht projektin e saj për të kandiduar qysh dhjetorin e kaluar. Ajo synon në veçanti të përmirësojë rrjetin e trenave të periferisë për të lehtësuar udhëtimin nga Lindja në Perëndim. Ajo gjithashtu dëshiron të propozojë zgjidhje për krizën e strehimit dhe pasigurinë ushqimore. Këto dy çështjet janë poashtu pjesë e programit të kundërshtarit të saj të vetëm deri tani, këshilltarit bashkiak të Ward 1, Stephen Dasko.

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada; The Canadian Press; AP