Kanada

Kanada: Ottawa i transferon Nunavut administrimin e tokave, burimeve natyrore dhe njerëzore

  • Published in Kanada

Nunavut një nga tre territoret pak të populluar në veri të Kanadasë ka nënshkruar dje (18.01) një marrëveshje me qeverinë federale për transferimin e përgjegjësive në administrimin e tokave publike dhe të drejtave mbi burimet natyrore dhe njerëzore. Marrëveshja shënon përfundimin e negociatave disavjeçare dhe i hap rrugën menaxhimit të territorit nga vendasit, që ndryshe njihen me emrin nunavummiut.

Ceremonia e nënshkrimit të dokumentit nga kryeministri i Kanadasë Justin Trudeau, kryeministri i Nunavut, P. J. Akeeagok dhe presidentja e NTI (Nunavut Tunngavik Inc, organizata që përfaqëson inuitët) Aluki Kotierk u zhvillua në Iqaluit.

Nunavuti është i fundit nga tre territoret kanadeze që i transferohet menaxhimi i tokave dhe burimeve të veta. Yukon i mori të njëjtat përgjegjësi nga Ottawa në vitin 2003, ndërsa Territoret Veriperëndimore (Northwest Territories) në vitin 2014. Juridikisht ky lloj transferimi konsiderohet si etapa e fundit në transferimin e përgjegjësive midis qeverisë federale dhe territoreve.

Kryeministrin P. J. Akeeagok e vlerësoi marrëveshjen si një moment historik, pasi “më në fund banorëve të Nunavut dhe qeverisë iu akordua përgjegjësia e plotë për të marrë vendime mbi të ardhmen e tyre”.

Ndryshe nga provincat, të cilat ushtrojnë kompetenca të dhëna nga Kushtetuta, territoret nuk kanë kompetenca ekskluzive, përveç atyre që u janë transferuar nga Ottawa. Prej viteve 1960, qeveria federale kanadeze ka transferuar përgjegjësi dhe kompetenca në të tre territoret, në fushën e arsimit, strehimit dhe menaxhimit të aeroporteve.

Kryeministri P. J. Akeeagok

Bisedimet me Ottawa për të marrë përgjegjësitë për menaxhimin e tokës dhe burimeve filluan disa vjet pas krijimit të Nunavut më 1 prill 1999.

Marrëveshja me 13 kapituj përcakton kushtet e transferimit veçanërisht në lidhje me asetet dhe ndërtesat, punonjësit federalë, menaxhimin e burimeve të naftës dhe hapësirave të kontaminuara si dhe çështjen e burimeve financiare.

Marrëveshja hyri në fuqi menjëherë pas nënshkrimit, por zbatimi i saj do të zgjasë disa vite. Për shembull, është planifikuar një periudhë trevjeçare për aktivitetet e tranzicionit, të cilat përfshijnë, ndër të tjera, modifikimin e ligjeve territoriale dhe Aktin e Nunavut. Transferimi i përgjegjësive do të bëhet zyrtarisht më 1 prill 2027.

Për të kryer aktivitetet e tranzicionit, qeveria e Nunavut do të marrë 67,250,000 dollarë nga qeveria federale ndërsa Nunavut Tunngavik Inc. (NTI) do të marrë 1,750,000 dollarë. Më pas, për të mbuluar të gjitha kostot që lidhen me marrëveshjen duke filluar nga 1 prilli 2027, territori do të marrë financim të përhershëm vjetor prej 85,800,000 dollarë dhe NTI 3 milionë dollarë.

Një nga pikat më kryesore të marrëveshjes është ajo e burimeve njerëzore. Që nga 1 Prilli 2027, rreth 100 punonjës federalë do të bëhen punonjës të qeverisë së Nunavut. Qeveria territoriale do të krijojë gjithashtu pozicione të reja pune për përmbushjen e përgjegjësive të reja.

Me transferimin e djeshëm të përgjegjësive, Nunavut do jetë gjithashtu në gjendje të menaxhojë burimet natyrore të rinovueshme dhe jo të rinovueshme që ndodhen në tokat publike, përfshi dhe tarifat përkatëse. Sipas Paul Quassa, ish-kryeministër dhe aktualisht kryekëshilltar i kompanisë minerare Baffinland, kjo është dhe pjesa më e rëndësishme e marrëveshjes.

Paul Quassa

Nunavut është territori më i madh dhe më verior i Kanadasë. Nunavut u shkëput nga Territoret Veriperëndimore më 1 Prill 1999, me Aktin e Nunavut që u akordoi inuitëve të drejtën e vetëqeverisje, ndërkohë që kufijtë e territorit ishin definuar qysh në vitin 1993. Krijimi i Nunavut ishte ndryshimi i parë i madh në hartën politike të Kanadasë qysh nga pranimi i Newfoundland në Konfederatë në vitin 1949.

Nunavut zë pjesën më të madhe të arqipelagut Arktik. Sipërfaqja e tij e gjerë e bën atë nënndarjen e pestë më të madhe të një shteti në botë dhe të dytën më të madhe në Amerikën e Veriut, pas Groenlandës. Kryeqyteti Iqaluit (dikur Frobisher Bay), i ndodhur në ishullin Baffin, u caktua si i tillë pas një plebishiti në vitin 1995. Komunitete të tjera të mëdha në Nunavut janë qendrat rajonale të Rankin Inlet dhe Cambridge Bay.

Baza ushtarake Alert

Nunavut përfshin gjithashtu ishullin Ellesmere në veriun e largët, si dhe pjesët lindore dhe jugore të ishullit Victoria në perëndim dhe të gjithë ishujt në gjiret Hudson, James dhe Ungava, duke përfshirë ishullin Akimiski, larg nga pjesa tjetër e territorit, në juglindje. Është i vetmi rajon gjeopolitik në Kanada që nuk lidhet me pjesën tjetër të Amerikës me autostradë.

Nunavut është nënndarja territoriale më pak e populluar në Kanada dhe një nga rajonet më të largëta dhe më pak të populluara në botë me rreth 40,600 banorë, shumica dërrmuese e të cilëve janë inuitë. Territori përbëhet nga 1,936,113 km2 tokë dhe 157,077 km2 sipërfaqe ujore. Në Nunavut ndodhet gjithashtu një nga bazat ushtarake dhe stacionet metereologjike kanadeze me emrin Alert, vendi më verior i banuar në botë, vetëm 817 kilometra nga Poli i Veriut.

© Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada