Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 21 janar 2024

  • Published in Kanada

Kanadezja Hannah Schmidt, kampione bote në ski cross (21.01.2024 Nakiska-Alberta)

 

-Alberta, propozohet programi Canada Home Share si zgjidhje për krizën e strehimit në Drumheller

-Saskatchewan, pas 114 vjetësh dy binjakë realizojnë projektin e papërfunduar nga gjyshi

-Nova Scotia, bashkia Halifax inkurajon blerjen e automjeteve elektrike

-Québec, kryeministri Legault i kërkon qeverisë federale frenimin e fluksit të refugjatëve

 

Alberta - Programi Canada HomeShare ofron bashkëjetesën midis brezave në Drumheller, Alberta, si zgjidhje për krizën e strehimit që prek veçanërisht punëtorët sezonalë dhe studentët. Një platformë online tashmë u mundëson të moshuarve që shpesh jetojnë vetëm, por që kanë një dhomë të lirë në shtëpi, ta japin atë me qira me një çmim të ulët për këtë kategori. “A jeni person që zgjohet herët? Cili është hobi juaj? Çfarë ju pëlqen të gatuani?” Këto janë disa pyetje që duhet të marrin përgjigje kur krijohet profili në platformë. Më pas, algoritmi i platformës gjeneron marrëveshje qiraje të mundshme për bashkëjetesë. Sipas drejtuesve të programit, qëllimi është të krijohet një lloj afiniteti mes dy njerëzve, për sa i përket personalitetit apo stilit të jetesës. Në Drumheller, qytet që ndodhet më shumë se njëqind kilometra në verilindje të Calgary, punonjësit sezonalë e kanë të vështirë të sigurojnë strehim dhe ky problem prek veçanërisht bizneset turistike në rajon. Në periferi të qytetit, në Parkun Provincial Midland, ndodhet dhe Muzeu Mbretëror Tyrrell që përmban një koleksion të madh fosilesh të dinosaurëve.

Saskatchewan - Vëllezërit binjakë John dhe Frank Robinson kaluan netët e tyre të para këtë fundjavë në kabinën familjare prej druri (15m2), ndërtimin e të cilës e përfunduan në gusht të vitit të kaluar, për të nderuar kujtimin e gjyshit të tyre, i cili pat ngritur një shtëpi pranë Willows, Saskatchewan, në fillim të viteve 1900, pa mundur të përfundonte edhe ndërtimin e një kabine. Sipas dy vëllezërve Robinson, ai do ta kishte bërë realitet këtë projekt që daton në vitin 1910, nëse nuk do të kishte vdekur disa vjet pasi u ndërtua shtëpia, ndaj dhe vendosën ta realizonin atë pas më shumë se një shekulli në nderim të kujtimit të tij, duke punuar me një ekip vullnetarësh. John dhe Frank më në fund e testuan kabinën duke kaluar tre ditë atje në një periudhe të ftohti ekstrem dhe duke u ngrohur me një sobë me dru. Për ndërtimin e saj u përdorën të njëjtat mjete dhe metoda që përdoreshin në kohën kur jetoi gjyshi i tyre.

Nova Scotia - Bashkia Halifax ka nisur zbatimin e strategjisë së saj për të inkurajuar qytetarët t'i ndërrojnë automjetet e tyre me karburant me automjete elektrike. Sipas administrates bashkiake, financimi i fundit federal për shtimin e stacioneve elektrike në kryeqytetin e Nova Scotia është vetëm fillimi. Deri në janar 2025, në territorin e qytetit do të instalohen gjithsej 56 stacione të reja të karikimit të automjeteve elektrike, pjesërisht falë financimit prej 980,000 dollarësh nga Otawa. 46 nga 56 stacionet do të përdorin prizat e karikimit CCS, të cilat do të akomodojnë të gjitha automjetet elektrike të disponueshme në treg, pra nuk do të jenë specifike vetëm për tipin Tesla. Kevin Boutilier, ekspert i energjisë së gjelbër pranë departamentin bashkiak të mjedisit dhe ndryshimeve klimatike, i pohoi Radio-Canada se bashkia ka synuar gjithashtu vendndodhje kyçe për t'i instaluar stacionet e karikimit në mënyrë që ata të jenë lehtësisht të aksesueshëm për banorët e qytetit. Bashkia po vazhdon gjithashtu procesin e përshtatjes të flotës së saj të automjeteve dhe tashmë ka në funksion afro 60 automjete elektrike.

Québec - Në një letër zyrtare drejtuar Justin Trudeau, kryeministri i Québec, François Legault, i kërkoi të enjten (18.01) kreut të qeverisë federale të ndalojë fluksin e azilkërkuesve, sepse kapaciteti pritës i provincës do të arrijë së shpejti kufirin maksimal. Në mesazhin e tij, François Legault theksonte se Québec i vetëm kujdeset për më shumë azilkërkues se gjithë pjesa tjetër e Kanadasë së bashku. Në 2022 dhe 2023, argumentonte ai, Québec mirëpriti pothuajse të gjithë azilkërkuesit që u paraqitën në vend në mënyrë të parregullt. Mbyllja e rrugës Roxham në vitin 2023 e ngadalësoi përkohësisht këtë fluks, por azilkërkuesit janë kthyer tani drejt aeroporteve të Montrealit dhe Torontos. “Po rritet ndjeshëm edhe numri i personave që mbërrijnë me vizë vizitori dhe bëjnë kërkesë për azil”, shkruante gjithashtu Legault. Ndërkohë, sipas të dhënave të cituara për Radio-Canada nga Ministrja e Imigracionit të Québec, Christine Fréchette, rreth 60 mijë azilkërkues të rinj u paraqitën në provincë gjatë 11 muajve të parë të 2023. Një shifër që pritet të kalojë 65 mijë kur të shtohen dhe shifrat për dhjetorin. Letra e Legault ka nënvizuar edhe barrën financiare që qeveria e tij merr për t’i mirëpritur këta dhjetëra mijëra të ardhur, veçanërisht duke u ofruar atyre ndihmë financiare (social welfare) ndërsa presin që Ottawa të përpunojë dosjen e tyre dhe t'u akordojë atyre një leje pune. Gjithnjë sipas shifrave të ministres Fréchette, nga 146,000 personat që marrin këtë ndihmë në Québec, më shumë se 43,000 janë azilkërkues, ose gati një e treta e përfituesve. Ministrja ka kujtuar dhe faktin se qeveria e saj është ende në pritje të rimbursimit prej 470 milionë dollarësh nga Ottawa për shpenzimet e menaxhimit të azilkërkuesve në vitet 2021-2022, kompetencë që është juridiksion federal.

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada; The Canadian Press