Java Kanadeze - Lajme shkurt 28 janar 2024
- Published in Kanada
Charlevoix - Québec
-British Columbia, ofrohen 1000 kandidatura për vende pune si zjarrëfikës pyjesh
-Alberta, kreut i NDP për provincën do zgjidhet më 22 qershor 2024
-Nova Scotia, krijohen 27 vende pune shtesë në ndihmë të sistemit të prokurorisë
-Ontario, zhvillohet në Ottawa funerali shtetëror për ish-kreun e NDP të Kanadasë Ed Broadbent
British Columbia - Sipas sipas ministrit të Pyjeve, Bruce Ralston, provinca British Columbia e ka përmirësuar sistemin e saj të rekrutimit për zjarrfikësit e pyjeve, në përgatitje për sezonin e ardhshëm të zjarreve, i cili parashikohet të jetë përsëri i vështirë. Tradicionalisht, rekrutimi bëhet kryesisht në dhjetor dhe janar, por këtë vit filloi qysh në tetor dhe do të vazhdojë deri në mars, me një fushatë më intensive që synon rajonet rurale dhe komunitetet autoktonë. Përpjekjet po japin fryte dhe sipas të dhënave zyrtare tashmë janë pranuar 1000 aplikime kandidaturash, një rritje e ndjeshme krahasuar me një vit më parë. Ministri Ralston ka pohuar gjithashtu se që nga sezoni i zjarreve të verës së kaluar, më shkatërruesi në historinë e provincës, u krijua një task forcë emergjente dhe një nga rekomandimet e saj ishte rritja e rekrutimit. Në këtë mënyrë, provinca do të ketë më shumë zjarrfikës në dispozicion kur të fillojë sezoni i ri i zjarreve. Megjithatë, ministri parashikon se në varësi të situatave, provinca do të vazhdojë t’u bëjë thirrje për ndihmë në të ardhmen qeverisë federale apo shteteve të tjera. Për shembull, verën e kaluar përforcime paten ardhur jo vetëm nga Ottawa, por edhe nga Australia, Shtetet e Bashkuara dhe Brazili.
Alberta - Këshilli provincial i New Democratic Party (NDP) në Alberta ka vendosur dje (27.01.), në Red Deer, rregullat e garës për të zgjedhur pasuesin e ish-kryetares Rachel Notley, e cila dha dorëheqjen pas humbjes në zgjedhjet e fundit. Gara për kryetarin e NDP do të fillojë zyrtarisht më 5 shkurt dhe do të përfundojë në mesditën e 22 qershorit 2024, ditë kur do të shpallet fituesi. Në mënyrë që të kualifikohen për garën për lidership, kandidatët e mundshëm do duhet të paraqesin kandidaturën e tyre midis 29 janarit dhe 15 marsit. Që të kualifikohen për konkurim, ata gjithashtu duhet të jenë anëtarë të rregullt të NDP për të paktën gjashtë muajt e fundit. Afati për t’u pajisur me një kartë anëtarësimi për të marrë pjesë në votim do të jetë 22 prilli 2024. Anëtarët e NDP do kenë mundësinë të votojnë online, me postë ose me telefon. Disa deputetë do të jenë kandidatë në garë. Një prej tyre është ish-ministrja e Shëndetësisë Sarah Hoffman, por edhe deputeti i Edmonton-Center, David Shepherd, si dhe avokati Rakhi Pancholi, i cili përfaqëson qytetarët zones elektorale Edmonton-Whitemud. Nga Calgary, ish-ministrja e Drejtësisë Kathleen Ganley po përgatitet gjithashtu të hyjë në garë. Me disa këste gjatë garës, kandidatët do duhet të derdhin në arkën e partisë shumën 60,000 dollarë. Kufiri i shpenzimeve për çdo kandidat është vendosur 500,000 dollarë. NDP është opozita zyrtare në Alberta me gjithsej 38 deputetë në Asamblenë Legjislative provinciale.
Nova Scotia - Ministri i Drejtësisë i provincës Nova Scotia, Brad Johns, njoftoi të enjten e kaluar (25.01.) punësimin e 27 punonjësve të rinj të përhershëm për të forcuar shërbimin e prokurorisë. “Qeveria është e përkushtuar të reduktojë vonesën e shkaktuar prej pandemisë COVID-19 dhe numrin e dosjeve të refuzuara për shkak se ato kërkojnë shumë kohë për t'u gjykuar”, pohoi Johns. Sipas Ministrisë së Drejtësisë njëmbëdhjetë prokurorë të rinj dhe gjashtë ndihmës ligjorë do të mbështesin ekipet e specializuara të prokurorisë që trajtojnë rastet e trafikimit të qenieve njerëzore dhe dhunës seksuale. Dhjetë pozicionet e tjera do t'i mundësojnë provincës të bëjë të përhershëm një projekt pilot të vitit 2017, i cili përfshin seleksionimin e çështjeve për të ndihmuar sistemin e drejtësisë të përmbushë afatet e vendosura nga Gjykata e Lartë e Kanadasë në lidhje me kohëzgjatjen e gjykimeve. Njoftimi i së enjtes vjen pas shqetësimeve të ngritura qysh vjeshtën e kaluar nga shoqata që përfaqëson prokurorët e Nova Scotia, që bëri thirrje për një rritje të konsiderueshme të numrit të prokurorëve për t'u marrë me vonesat në trajtimin e çështjeve gjyqësore për vrasje dhe agresion seksual.
Brad Johns
Ontario - Është zhvilluar sot (28.11.) në Ottawa ceremonia funerale shtetërore në nderim të ish-kryetarit të NDP të Kanadase, Ed Broadbent, i cili u nda nga jeta në moshën 87 vjeçare 11 janarin e kaluar. Broadbent ka qenë deputet në Dhomën e Komunave për më shumë se dy dekada dhe e drejtoi NDP për 14 vjet, nga viti 1975 deri më 1989. Në ceremoni morën pjesë një numër përfaqësuesish nga klasa politike mes të cilëve dhe kryeministri Justin Trudeau dhe kryetari aktual i NDP Jagmeet Singh. Funeralet shtetërore përgjithësisht janë të rezervuar për individë që kanë shërbyer si guvernator i përgjithshëm, kryeministër ose ministër. Për të tjerë kanadezë të shquar mund organizohet gjithashtu një funeral shtetëror nëse Kryeministri e sheh të arsyeshme dhe familja e personit në fjalë e pranon një gjë të tillë. Si udhëheqës i NDP, Ed Broadbent u përball me katër kryeministra, duke përfshirë Pierre Elliott Trudeau dhe Brian Mulroney. Gjatë gjithë karrierës së tij, Ed Broadbent ka marrë vlerësime të shumta, duke përfshirë disa doktoratura nderi. Ai gjithashtu u bë anëtar i Këshillit Privat të Kurorës Britanike më 1982, Oficer i Urdhrit të Kanadasë në vitin 1993 dhe u promovua Kompanjon i Urdhrit të Kanadasë në vitin 2001. Flamujt e të gjitha ndërtesave të qeverisë federale, duke përfshirë dhe Kullën e Paqes, ishin sot të vendosur në gjysmështizë prej mëngjesit deri në mbrëmje. Shërbimi funeral u zhvillua në Qendrën Carleton Dominion-Chalmers në orën 16:00 dhe ceremonia u transmetua drejtpërdrejt nga kanalet Facebook dhe YouTube të Departamentit të Trashëgimisë Kanadeze.
Ed Broadbent (R.I.P.)
© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada
Fotot: Radio-Canada; The Canadian Press