Kanada

Ontario – 5 ditë para zgjedhjeve, Kathleen Wynne paralajmëron humbjen e Liberalëve

  • Published in Kanada

Kathleen Wynne, kryeministrja dhe kryetarja e Liberalëve të Ontarios, ka paralajmëruar dje humbjen e partisë së saj, kur na ndajnë vetëm pesë ditë nga zgjedhjet. Më një pamje të dëshpëruar e gati të përlotur, gjatë një komunikimi me mediat në Shkollën fillore frankofone Jeanne-Lajoie në Toronto, Wynne, ka pranuar në një deklarim të pazakontë se të premten e ardhshme ajo nuk do jetë më kryeministre e provincës. Njëkohësisht, ajo u ka bërë thirrje zgjedhësve të votojnë sa më shumë deputetë liberalë, për të evituar kësisoj një qeveri mazhoritare Konservatore ose Neo-Demokrate.

Sondazhet konfirmojnë deri tani një rënie në pikiatë të popullaritetit të Partisë Liberale, dhe në qoftë se parashikimet konfirmohen nga rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit, Liberalët mund të rrezikojnë humbjen e statusit zyrtar si parti, në se nuk fitojnë të paktën 8 vende deputetësh. Megjithëse ka pretenduar që thirrja e saj lidhet me faktin që nuk i duhet dhënë “karta-bianca” asnjerës nga dy partitë pretendente, lëvizja e Kathleen Wynne, lë më shumë shijen e një tentative për të shpëtuar partinë nga disfata totale.  

Nga ana e saj, Neo-Demokratja Andrea Horwath e ka cilësuar “të rrezikshme” lojën e Kathleen Wynne që kërkon qeveri në minorancë, duke hequr dorë nga beteja për të stopuar shkurtimet buxhetore të propozuara nga Doug Ford. Ky i fundit, në fushatë në zonën e Ottawa-s, teksa gazetarët i kanë kërkuar koment në lidhje me deklaratën e kryeministres në ikje, ka preferuar të flasë mbi platformën e tij duke sulmuar në të njejtën kohë partinë e Horwath, të cilën e ka konsideruar si radikale dhe dhjetë herë më të dëmshme se Kathleen Wynne.

Kush do të jetë kryeministri i ardhshëm i Ontarios, Doug Ford apo Andrea Horwath, këtë do ta mësojmë të premten e ardhshme. E njejta gjë edhe për faktin në se do të kemi qeveri në minorancë apo në mazhorancë. “Beteja” e 7 qershorit paralajmëron surpriza …

@FlasShqip.ca