Kanadaja i kërkon Izraelit t’i përgjigjet opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë
- Published in Kanada

Kanadaja i ka kërkuar sot (26.07) Izraelit t'i “përgjigjet në mënyrë substanciale” opinionit këshillimor të fundit të gjykatës më të lartë të Kombeve të Bashkuara, sipas të cilit prania e Izraelit në territoret e pushtuara palestineze është e paligjshme dhe duhet t’i jepet fund.
Opinioni jo detyrues i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i bërë publik javën e kaluar, përbën një dënim gjithëpërfshirës dhe të paprecedent të dominimit izraelit mbi territorin e pushtuar 57 vjet më parë.
Kanadaja iu përgjigj opinionit si pjesë e një deklarate të përbashkët me Australinë dhe Zelandën e Re, duke i bërë thirrje shtetit hebre të heqë dorë nga kolonitë e tij në Bregun Perëndimor.
Tre vendet anëtarë të Komonuelthit ripërsëritën gjithashtu thirrjet për një armëpushim të menjëhershëm në lidhje me konfliktin midis Izraelit dhe Hamasit që ka shkatërruar Rripin e Gazës.
Në deklaratën e tyre të sotme për shtyp theksohet gjithashtu mbështetja për projekt-marrëveshjen e prezantuar nga presidenti amerikan, Joe Biden, të miratuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB.
Ndër të tjera, Kanadaja, Australia dhe Zelanda e Re kanë kërkuar që Hamasi të dorëzojë armët dhe të lirojë të gjithë pengjet izraelitë duke nënvizuar se Hamasi nuk duhet të jetë pjesë e qeverisjen së ardhshme të Gazës.
© Flasshqip me informacion nga The Canadian Press
Foto: Getty Images/Nick Gammon