Kanada

Një kanadez i turpëruar në Paris - Nga Martin Leclerc

  • Published in Kanada

 Martin Leclerc, Radio-Canada

Përderisa rrugëtimi që i çoi futbollistet kanadeze në Paris ishte i mbushur me praktika të dyshimta, a e meriton ende vendin e saj në Lojërat Olimpike kjo skuadër?

Është një makth i vërtetë. Turp. Reputacioni i Kanadasë në skenën sportive ndërkombëtare nuk ka pasur kurrë kaq pak vlerë, që nga skandali i dopingut të Ben Johnson në Seul. Në fakt, a vlen ende ky reputacion?

Rrjeti TSN konfirmoi të enjten (25.07) se aktet e spiunazhit të kryera ditët e fundit nga stafi stërvitor i ekipit kanadez nuk ishin një incident i izoluar. Disa burime zbuluan për rrjetin e Torontos se, përkundrazi, kjo ka qenë një praktikë e zakonshme prej disa vitesh, si në programet e meshkujve ashtu edhe në ato të femrave.

Më keq akoma, thuhet se fitorja e jashtëzakonshme e medaljeve të arta nga ekipi i femrave në Tokio (2021) është ndihmuar nga ky mashtrim i institucionalizuar. E njëjta gjë për procesin kualifikues të ekipit të meshkujve në Botërorin e kaluar.

Sipas kolegut Rick Westhead, kjo praktikë ishte aq e rrënjosur në moral, sa anëtarët e stafit mbështetës që refuzonin detyrat e lidhura me spiunazhin thjesht u përzunë nga programi përgatitor.

Si rezultat, zyrtarët e Canada Soccer (Federata Kanadeze e Futbollit) vendosën pezullimin e trajneres Bev Priestman. Kjo e fundit u zëvendësua nga ndihmës trajneri Andy Spence. Përsa i përket Komiteti Olimpik Kanadez (KOK), ky institucion pasi mori njoftim për këtë vendim të federatës konfirmoi se Priestman u kthye në Kanada.

KOK mori një shuplakë në fytyrë të mërkurën (24.07) kur mediat në mbarë botën raportuan se një analist i ekipit të femrave u arrestua nga policia franceze, ndërsa tani mund të shtojmë se Komiteti Olimpik Kanadez hëngri dhe një çekiç kokës.

Fillimisht, drejtuesit e KOK bënë të paditurin dhe dy ndihmës trajnerë u flakën e u kthyen në Kanada. Më pas ata e vunë reputacionin e tyre në diskutim, kur deklaruan se besonin që trajnerja Bev Priestman nuk ishte në dijeni që stafi i saj kishte filmuar dy stërvitje të ekipit të Zelandës së Re.

Ishte e dhimbshme të shihje dy njerëz inteligjentë, CEO David Shoemaker dhe shefin sportiv Eric Myles, teksa përpiqeshin të mohonin se mbreti ishte lakuriq.

Ashtu siç ishte fyese të shihje Bev Priestman duke u kërkuar falje të gjithëve dhe të thoshte, me dorën në zemër, se spiunimi i ekipeve kundërshtare nuk përputhej me vlerat që përfaqëson ekipi i saj.

Sa i takon Shoemaker dhe Myles, duhet pranuar se në afatshkurtër, ata u përballën me një dilemë të vështirë. Rreth 18 sportiste që janë pjesë e këtij ekipi që ndodhet në Paris për të mbrojtur medaljet e Tokios, nuk janë trajtuar si duhet nga federata e tyre vitet e fundit. Ideja për të shpëtuar çka mund të shpëtohet përkohësisht dhe për të shmangur dështimin total në këto lojëra ishte padyshim shumë joshëse.

Por nëse vështrojmë tablonë e madhe, është reputacioni i Kanadasë që ata kanë kompromentuar duke bërë sikur besojnë te Santa Claus. Ndaj dhe në agimin e ceremonive të hapjes, kanadezët u shfaqen si rrugaçë pa vlera.

***

Të mërkurën (24.07), kur nisën të dilnin informacionet se Kanadaja kishte mashtruar për disa vite duke spiunuar rivalët e saj, shkarkimi i analistit Joey Lombardi dhe ndihmës trajneres Jasmine Mander u njoftua me gjysëm zëri.

Shumë njerëzve iu kujtua se në shtator 2021, skuadra e Hondurasit ndaloi një seancë stërvitore në Toronto sepse një dron po fluturonte mbi fushë. Hondurasi atëherë po përgatitej të përballej me Kanadanë në një ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës.

Asokohe, një burim kontaktoi gjithashtu Radio-Canada Sports për të konfirmuar se këto pamje të stërvitjes së Hondurasit u ishin shfaqur lojtarëve kanadezë para ndeshjes.

I njëjti burim pohoi se në kohën kur John Herdman ishte në krye të ekipit të femrave, “lojtaret refuzuan të shihnin imazhe të kapura gjatë stërvitjes së ekipit kundërshtar. Por kjo nuk i pengoi trajnerët të përdorin këtë informacion”.

John Herdman dhe Bev Priestman kanë qenë shumë të afërt për shumë vite (Priestman ndiqte shkollën ​​e futbollit të Herdman që kur ajo ishte 7 vjeç) dhe fakti që Joey Lombardi ka qenë pjesë e stafeve këshilluese të të dy trajnerëve e bën të besueshëm përdorimin e këtyre praktikave të spiunazhit.

Nga ana e tij, i skandalizuar, një nga mentorët më të nderuar të sistemit sportiv kanadez i krahasoi praktikat e ekipeve kombëtare të futbollit me sistemin e dopingut që Rusia kishte krijuar para Lojërave të Soçit.

Duhet të pranojmë se krenaria kanadeze ka marrë një goditje të fortë.

***

Më e keqja është se kjo histori nuk ka përfunduar.

Canada Soccer ka njoftuar se ka nisur një hetim për të hedhur dritë mbi praktikat e spiunazhit të ekipeve kombëtare. Megjithatë, janë hetimet e FIFA-s dhe reagimet e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar që mund të shkaktojnë pasoja shumë të rënda

Pyetja shtrohet kështu : nëse provohet se trajnerët e ekipit kanadez kanë mashtruar duke filmuar praktikat e ekipeve kundërshtare në Tokio në vitin 2021, a mund të sjellë kjo si ndëshkim heqjen e medaljeve të arta për ekipin e femrave?

Dhe akoma më tej, nëse rrugëtimi që i çoi kanadezët sivjet në Paris është i stërmbushur me praktika të dyshimta, a ka ende vend ky ekip në këto lojëra olimpike? A duhen kthyer të gjithë pa përjashtim në Kanada?

Këto pyetje të dhimbshme padyshim që do të marrin përgjigje shumë shpejt.

***

Së fundi, është jashtëzakonisht e justifikueshme të konkludohet se ajo që po ndodh në Paris, është vetëm pasojë logjike e drejtimit të dobët që kemi vërejtur tek Canada Soccer vitet e fundit.

Kur maja e piramidës është mediokër dhe vlerat e një institucioni janë të paqarta, pjesa që vazhdon më poshtë nuk ka si të jetë më e mirë.

Ky institucion ka lidhur një marrëveshje financiare haluçinante me një organizatë që do t’i vampirizojë financat e tij deri në vitin 2037. Ky është shkaku që ekipet kombëtare janë të nënfinancuara. Deri në atë pikë sa majin e kaluar, Canada Soccer iu desh të përgjërohej për të punësuar trajnerin e ekipit të meshkujve, Jesse Marsch.

Kjo krizë financiare, që mban erë shumë të keqe, prodhon mosmarrveshje në vazhdimësi mes federatës dhe sportistëve të saj, si meshkujve, ashtu edhe e femrave.

Lojtaret e ekipit të femrave depozituan së fundmi një padi që kërkon dëmshpërblim në masën 40 milionë dollarë, kundër anëtarëve të bordit drejtues të federatës, të cilët i akuzojnë për dështim në detyrën e tyre si administrues të programeve kombëtare.

Për të mos përmendur faktin që anëtaret e ekipit të femrave duhej të luftonin për të marrë kushte pagash dhe buxhete stërvitore të barazvlershme me ato të ekipit të meshkujve.

E gjithë kjo histori është pafundësisht e trishtueshme.

Burimi : Radio-Canada

https://ici.radio-canada.ca/jeux-olympiques/nouvelle/2091491/scandage-espionnage-soccer-canada-honte

E shqipëroi Flasshqip.ca

Fotot: The Canadian Press; Radio-Canada

Në fotokolazh: majtas Bev Priestman, ish-trajnere e Kombëtares së femrave, në mes analisti sportiv Martin Leclerc, djathtas presidenti i Canada Soccer Kevin Blue.