Paris 2024 - FIFA i heq gjashtë pikë Kanadasë pas skandalit të spiunazhit me dron
- Published in Kanada

FIFA i ka hequr sot (27.07) Kanadasë gjashtë pikë renditje në turneun e futbollit për femra të Lojërave Olimpike të Parisit dhe ka pezulluar gjithashtu tre trajnerë për 12 muaj pas skandalit të spiunimit me dron që u bë publik disa ditë më parë. Dënimi përfshin gjithashtu një gjobë prej më shumë se 312,000 dollarë për Canada Soccer.
Skandali shkaktoi bujë në Francë, pasi një analist i paakredituar dhe një ndihmës trajnere e ekipit kanadez përdorën një dron për të spiunuar stërvitjen e neozelandezeve, që ishin dhe kundërshtaret e para të ekipit kanadez, i cili ndeshjen e zhvilluar të enjten, një ditë para ceremonies zyrtare, e fitoi 2-1.
Një anëtar i stafit u dënua me tetë muaj burg me kusht të mërkurën (24.07) për fluturimin e një droni mbi një seancë stërvitore të Zelandës së Re para ndeshjes në Saint-Étienne. Përdorimi i imazheve tregoi se Joseph Lombardi i kishte filmuar tashmë këto lojtare të shtunën e kaluar, në të njëjtat rrethana, në stadiumin Michon në Saint-Étienne. Sipas zyrës së Prokurorit të Saint-Étienne, ai pohoi në paraburgim para hetuesve të policisë se videot do ta kishin lejuar të njihte taktikat e ekipit kundërshtar.
Trajnerja Bev Priestman, në krye të kësaj skuadre edhe në vitin 2021 kur u fituan medaljet e arta në Tokio, fillimisht u pezullua nga federata kanadeze dhe më pas u shkarkua nga detyra si drejtuese e ekipit olimpik në Paris.
Bev Priestman
FIFA ka përshpejtuar procesin e saj të masave disiplinore duke kërkuar nga gjyqtarët e saj të apelit të trajtojnë çështjen. Gjykata deklaroi që Priestman dhe dy ndihmësit e saj ishin të gjithë fajtorë për “sjellje të padenja dhe shkelje të parimeve të lojës së ndershme”.
Nesër Kanadaja do të ndeshet me Francën në kuadrin e Grupit A, ndërsa në përfundim të seancës së sotme stërvitore, kapitenia Jessie Fleming shprehu gjithashtu qëndrimin e saj për sanksionet e pritshme kundër ekipit. “Besoj se ndëshkimi i lojtarëve do të ishte i padrejtë. Mund të them se 22 lojtaret prezent këtu e meritojnë të jenë në këtë turne dhe të luajnë. Ky incident na vë në pozitë të vështirë, ne nuk kishim kontroll mbi të dhe kjo që ka ndodhur nuk përfaqëson vlerat tona”, pohoi ajo duke theksuar se bashkëlojtaret e saj nuk ishin në dijeni për taktikat e stafit të trajnerëve.
Ndërkohë, bëhet e ditur se Canada Soccer dhe Priestman do t’i apelojnë sanksionet pranë Trupit Gjykues Special Olimpik të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv në Paris.
© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada dhe AP
Fotot: Associated Press/Silvia Izquierdo; Reuters/Edgar Su
*Në foton kryesore Cloé Lacasse, autore e golit të parë kundër Zelandës së Re, të enjten 25.07.2024.