Kanada

Medalja e parë kanadeze në Paris: Argjend për notaren Summer McIntosh në 400m stil i lirë

  • Published in Kanada

Në atë që shumë e konsiderojnë si garën më të vështirë të notit të Lojërave Olimpike, 400 metra stil i lirë, kanadezja Summer McIntosh ka fituar sot (27.07) në Paris medaljen e argjendtë. Fenomeni kanadez regjistroi kohën 3 min 58 sek 37/100, pas australianes Ariarne Titmus (3:57.49), e cila mbrojti me sukses medaljen e artë të fituar në Tokio (2021) dhe përpara amerikanes Katie Ledecky (4:00.86).

Tre notaret, të cilat kanë shkëmbyer rekordin botëror të kësaj distance në vitet e fundit, u përfshinë në një betejë të ashpër në pishinën e Aréna Paris La Défense. McIntosh ndoqi ritmin e vendosur nga kundërshtarja e saj australiane gjatë gjithë garës, por në asnjë moment nuk qe në gjendje ta arrinte atë në pjesën e fundit.

Për Titmus kjo është medalja e pestë në karrierë në Lojërat Olimpike. Notarja 23-vjeçare pat qenë ngjitur katër herë në podium në Tokio, ndërsa amerikania Ledecky fitoi medaljen e saj të njëmbëdhjetë olimpike, shtatë prej të cilave janë të arta. Edhe pse pati kohën më të mirë në garat kualifikuese në mëngjes, ajo megjithatë nuk arriti t’i sfidonte në finale dy koleget e saj më të reja.

McIntosh, 17 vjeç, për të cilën kjo është pjesëmarrja e dytë në lojëra olimpike do ta shohim sërish në tre gara të tjera individuale: 200 metra stil i përzier, 200 metra flutur dhe 400 metra stil i përzier.

Vitin e kaluar, në kampionatin botëror në Fukuoka të Japonisë, notarja nga Toronto u kurorëzua kampion bote në 400 metra stil i përzier dhe 200 metra flutur, si dhe fitoi medaljen e bronztë në 200 metra stil i lirë dhe në stafetën 4x100 metra.

Për Kanadanë kjo është medalja e parë në kryeqytetin francez. Në Lojërat e Tokios 2021, notarët kanadezë fituan gjashtë medalje, përfshi dhe medaljen e artë të Maggie Mac Neil në 100 metra flutur.

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Getty Images/Maddie Meyer/Jonathan Nackstrand