Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 28 korrik 2024

  • Published in Kanada

Cocagne Beach - New Brunswick

 

-British Columbia, evakuoen 4 alpiniste të bllokuara rrëzë një akullnaje për shkak të një zjarri në pyll

-Alberta, zjarri shkatërron 358 nga 1113 ndërtesat e qytetit turistik Jasper

-Newfoundland, aventurieri Justin Barbour përfundon udhëtimin e tij 3600 km nga Nunavik në Cap Pine

-Québec, pas dorëheqjes së David Lametti zgjedhje të pjesshme federale në një zonë elektorale në Montréal

-Ontario, marrëveshja me sindikatën e TTC do t’i kushtojë bashkisë Toronto 176 milionë dollarë për tre vjet

 

British Columbia - Ndërkohë që zjarret në pyje vazhdojnë të intensifikohen, katër alpiniste u transportuan me helikopter pas një operacioni shpëtimi javën e kaluar në British Columbia. Ato kishin mbetur në rrëzë të një akullnaje në rajonin West Kootenay. Kjo ngjarje i ka nxitur autoritetet t’i rikujtojnë popullatës që të jetë e kujdesshme nëse shkon për ekskursion në zonat pyjore, pasi sezoni aktual i zjarreve në pyje është i vështirë. Ekipi i kërkim-shpëtimit me helikopter u detyrua të fluturojë pranë një zjarri, përmes tymit të dendur, për të gjetur alpinistet e bllokuara në fushën akullnajore Macbeth, në verilindje të Kaslo, rreth 390 km në lindje të Kelowna. “Ato po kamponin ndërkohë që intensiteti i erës u rrit dhe mbi çadrën e tyre nisën të binin grimca prushi”, i pohoi Radio-Canada Mark Jennings-Bates, i cili drejtoi operacionin. “Tymi e bëri shumë të vështirë shpëtimin sepse uli shikueshmërinë e pilotit të helikopterit. Ishte si një zonë lufte”, ka shtuar ai. Gjithnjë sipas tij, alpinistet ishin strehuar në rrëzë të akullnajës të rrethuar nga shkëmbinj pranë një liqeni alpin dhe ky operacion spektakolar rikthen në vëmendje rëndësinë e faktit që alpinistët duhet të jenë të përgatitur si duhet, veçanërisht gjatë sezonit të zjarreve.

Alberta - Jasper, një qytet turistik mjaft i njohur (katër orë në perëndim të Edmonton), i cili ndodhet në territorin e parkun kombëtar me të njëjtin emër në Alberta, pas zjarreve që e përfshinë këtë javë dhe evakuimit të plotë të banorëve të tij, është shndërruar në një qytet fantazëm, pasi rreth një e treta e ndërtesave të tij është shkatërruar totalisht. Pas konstatimit të dëmeve në vend, kryeministrja e provincës Danielle Smith ka propozuar vizita të organizuara me autobus, në mënyrë që banorët e Jasper të mund të shohin vetë shkallën e dëmit të shkaktuar nga zjarri. Ajo e bëri deklaratën gjatë ditës së djeshme (27.07), përmes një komunikimi të posaçëm në radio. Sipas saj, në territorin e Jasper do instalohen banesa të përkohshme për banorët shtëpitë e të cilëve janë shkatërruar, derisa ato të rindërtohen. Parks Canada vlerësoi se mbi 30% e ndërtesave të Jasper u dëmtuan nga zjarri, më konkretisht 358 nga 1,113 prej tyre u shkatërruan. Kryeministrja Smith, kryetari i bashkisë Jasper, Richard Ireland, ministri kanadez i Mbrojtjes Civile Harjit Sajjan dhe zyrtarë të tjerë, e vizituan qytetin e evakuuar të premten (26.07). Pikërisht gjatë kësaj vizite Richard Ireland konstatoi me sytë e tij djegien e plotë të shtëpise ku është rritur. Më shumë se 20,000 vetë, banorë të këtij qyteti malor dhe rrethinave, u urdhëruan të evakuoheshin të hënën (22.07) në mbrëmje, në fillim të javës, pasi flakët e nxitura nga era e fortë u përhapën me shpejtësi. Duke qenë se qyteti është pjesë e Parkut Kombëtar Jasper, planet e rindërtimit po marrin formë me ndihmën e qeverisë federale. Sipas kryeministres Smith, banorët e Jasper nuk do të lejohen të kthehen për të paktën 28 ​​ditë. Ajo shpjegoi se u desh një kohë e ngjashme para se banorët e Fort McMurray të merrnin dritën jeshile për t’u kthyer në shtëpi pas zjarreve shkatërruese të vitit 2016.

Newfoundland and Labrador - Aventurieri Justin Barbour e përfundoi këtë javë që sapo u mbyll udhëtimin e tij prej 3900 km midis Nunavik dhe Cape Pine, skaji jugor i Newfoundland, në këmbë, me kanoe dhe me biçikletë, duke u përballur me kushtet ekstreme dhe vetminë e tundrës. Aventura e tij filloi në verën e vitit 2023 në fshatin Puvirnituq, në brigjet e Gjirit Hudson. Pikërisht me kanoe ai kaloi gjithë gadishullin e Ungavës deri në fshatin Tasiujaq, përpara se të kthehej në jug. Ai e këmbeu kanoen e tij me një palë këpucë dëbore kur erdhi dimri, pastaj vazhdoi drejt Labrador, duke kaluar përmes Schefferville. Çdo mbrëmje, ai ngrinte një tendë të vogël tradicionale dhe mund të ngrohej me një sobë portative me dru, si Innu-të gjatë ekspeditave të tyre të mëdha dimërore. Kjo rutinë e përditshme, afër natyrës, ishte një burim i madh lumturie për të. “Jeta rrotullohej rreth gjetjes së një vendi të mirë për të vendosur tendën time dhe kalimit nëpër gjithë atë shkretëtirë. Duhej të gjeje burimin e duhur të drurit të thatë dhe ujit të pijshëm, duhej të gjuaje dhe të peshkoje”, ka rrëfyer për Radio-Canada Justin Barbour. Edhe pse e pëlqente këtë rutinë, ekspedita ishte jo pak e lodhshme për trupin dhe mendjen. Aventurieri kujton veçanërisht kohët kur e ndalonin stuhitë dhe ku i duhej të priste ditë të gjata nën strehë. Me të mbërritur në Labrador, ai eci me biçikletë përgjatë autostradës Trans-Labrador derisa mundi të arrinte në Newfoundland. Më pas veshi përsëri çizmet e ecjes dhe e përshkoi ishullin në këmbë deri në Cape Pine, në jug të Gadishullit Avalon. Pafundësia e territorit është sigurisht një nga aspektet që lë më shumë mbresa nga udhëtimi i Justin Barbour, veçanërisht në hapësirat e mëdha të tundrës së Nunavi. Sërish në shtëpi, Justin Barbour synon fillimisht të shplodhet sepse e presin shumë punë përpara. Ai do duhet të rishikojë të gjithë përmbajtjen video që ka mundur të regjistrojë gjatë udhëtimit të tij, me synimin për të bërë një film. Në të njëjtën kohë, ai dëshiron të shkruajë një libër ku do të rrëfejë të gjithë përvojën e tij dhe takimet që ka mundur të bëjë. Justin Barbour shpreson se kjo lloj aventure mund të frymëzojë njerëzit që të përfitojnë nga gjithçka që natyra ka për të ofruar.

Québec - E mbetur bosh për më shumë se 5 muajsh, zona elektorale federale LaSalle-Émard-Verdun, në Montreal, më në fund do të ketë sërsih deputetin e saj. Spas njoftimi të dalë sot (28.02) nga Zyra e kryeministrit Justin Trudeau, zgjedhjet e pjesshme do të mbahen më 16 shtator. Kjo zonë mbeti pa deputet që kur ish-ministri i Drejtësisë David Lametti dha dorëheqjen më 31 janar, disa muaj pasi u la jashtë qeverisë pas rikompozimit të Kabinetit Trudeau verën e kaluar. Pa u lënë zgjedhje anëtarëve të partisë në zonë, ekipi liberal ka rekrutuar këshilltaren bashkiake Laura Palestini, me shpresën për ta shpëtuar këtë bastion të tyre, pas disfatës diskredituese në zonën Toronto-St-Paul. Nga ana e saj, Partia e Re Demokratike (NDP) ka caktuar kandidat këshilltarin bashkiak Craig Sauvé, ndërsa konservatorët caktuab sërish sipërmarrësin Louis Ialenti. I fundit që ka deklaruar kandidatin e vet sot (28.07) ishte Blloku i Québec, që do garojë me Louis-Philippe Sauvé, një aktivist i vjetër i kësaj partie. Aktualisht ai është koordinator për komunikim dhe administratën pranë Institutit të kërkimeve në fushën e ekonomisë bashkëkohore. Një sondazh i kryer nga firma Mainstreet Research dy javë e gjysmë më parë parathotë një luftë mes tre kampesh. Partia Liberale rezulton me 26.2%, një rënie prej 16.7 pikësh krahasuar me zgjedhjet e fundit, Blloku i Québéc 23.7%, Partia Demokratike e Re, 23.3% dhe Partia Konservatore 11.9%. Data 16 shtator 2024 ishte data e fundit e parashikuar me ligj për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve të pjesshme.

Ontario - CBC/Radio-Canada ka bërë të ditur dje (27.07) se marrëveshja e arritur më 6 qershor 2024 dhe që shmangu për pak grevën e 12,000 punonjësve të TTC (Toronto Transit Commission) do t’i kushtojë bashkisë se metropolit kanadez 176 milionë dollarë për një periudhë tre vjeçare. Sipas marrëveshjes, punonjësit e transportit publik do të marrin një rritje pagash prej 13.04% për tre vjet: 4.79% në 2024, 4.25% në 2025 dhe 4% në 2026. Presidenti i TTC, këshilltari bashkiak Jamaal Myers e ka konsideruar atë si një marrëveshje të arsyeshme, që vlerëson punën e personeli në terren të TTC dhe i mundëson bashkisë të kryejë detyrimet e saj normalisht. Marrëveshja përfshin gjithashtu një rritje të pagës për turnet e natës, një sërë përmirësimesh sa i takon përfitimeve dhe një rritje në fondin për uniformat. Rritja e pagave dhe ndryshimet e tjera do kenë një ndikim të menjëhershëm në buxhetin operativ të bashkisë për vitin 2024, duke i rritur shpenzimet me më shumë se 45 milionë dollarë. Marrëveshja përfshin gjithashtu garanci të qarta për sigurinë e vendeve të punës dhe nënkontraktimin. Bashkia Toronto është zotuar të mos nënkontraktojë operatorët e autobusëve, tramvajeve ose metrose në tre vitet e ardhshme. E njëjta gjë vlen edhe për operatorët e trenave të rinj të lehtë, të cilët pritet të hyjnë në shërbim në vitet në vijim. Marrëveshja garanton gjithashtu punët e 422 operatorëve Wheel-Trans për kohëzgjatjen e saj dhe gjithashtu kthimin e disa shërbimeve të pastrimit të tramvajeve për punonjësit e përfaqësuar nga sindikata, shërbime të cilat deri tani ishin nënkontraktuar. Arianne Robinson, zëdhënëse e kryetares së Bashkisë Toronto, Olivia Chow, i deklaroi CBC/Radio-Canada se marrëveshja respekton limitet e paketës financiare të votuar nga Këshilli Administrativ i TTC.

©Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada

Fotot: CBC/Radio-Canada