Paris 2024 - Medalje historike bronzi në skermë për kanadezen Eleanor Harvey
- Published in Kanada

Kanadezja Eleanor Harvey ka fituar dje (28.07) një medalje historike bronzi në Lojërat Olimpike të Parisit në disiplinën e skermës. Ajo e ngjiti shkallën e tretë të podiumit pasi mposhti italianen Alice Volpi 15-12. Kanadaja nuk kishte fituar kurrë një medalje skerme në Lojërat Olimpike përpara fitores së djeshme të Harvey-t.
Në fund të duelit, u duk sikur ajo nuk po e besonte atë që sapo kishte ndodhur në Grand Palais. Pasi përplasi duart me Volpin, u ul në dysheme ndërsa trajneri i saj Alex Martin iu bashkua për ta uruar. “Jam ende i tronditur. Duhet kohë për të kuptuar atë çfarë sapo ndodhi”, pohoi 29 vjeçarja menjëherë pas fitores duke falenderuar dhe stafin që e ndihmoi të kapërcejë hidhërimin e humbjes në gjysmëfinale.
Shumë më aktive se zakonisht në fillim të ndeshjes, ontariania nga Hamilton ia arriti të shënojë tre pikët e para duke e mbyllur më pas setin e parë 9-3 në favor të saj. Harvey e nisi setin e dytë në të njëjtën mënyrë dhe shënoi pikën e saj të 10-të në më pak se pesë sekonda, por më pas Volpi u përgjigj me gjashtë pikë radhazi për të barazuar rezultatin në 10-10. Megjithatë, kanadezja shënoi dy pikë të tjera, për të rifituar kontrollin 12-10. Kundërshtarja e saj më pas kërkoi një pushim mjekësor. Me rinisjen e duelit Harvey ruajti avantazhin derisa realizoi pikën e 15-të, sinonim i një fitoreje historike.
Kujtojmë që Eleanor Harvey humbi me rezultatin 15-9 në gjysmëfinale përballë amerikanes Lauren Scruggs. Në Rio në vitin 2016, ajo u rendit në vendin e 7-të dhe 5 vjet më vonë në Tokio u rendit në vendin e 16-të.
© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada
Fotot: The Canadian Press/Christinne Muschi; Getty Images/Patrick Smith