Paris 2024 - Xhudistja Christa Deguchi i dhuron Kanadasë medaljen e parë të artë
- Published in Kanada

Ëndrra e xhudistes kanadeze Christa Deguchi për medaljen e artë olimpike u bë realitet dje (29.07) në Paris. Me fitoren e saj ndaj koreano-jugores Huh Mimi, në kategorinë -57 kg, 28 vjeçarja Deguchi i dhuroi Kanadasë medaljen e parë të artë në këto Lojëra Olimpike, si dhe medaljen e pare të artë olimpike në historinë e xhudos kanadeze. Në gjysmëfinale, ajo fitoi në kohë shtesë ndaj francezes Sarah-Léonie Cysique, fituese e medaljes së argjendtë në Lojërat e Tokios dhe e renditur e 5-ta në botë.
Kampionia e re olimpike e lindur në Japoni, me nënë japoneze dhe baba kanadez, e cila iu bashkua ekipit kombëtar kanadez të xhudos shtatë vjet më parë, përmes mikrofonit të Radio-Canada shprehu mirënjohjen ndaj të gjithë atyre që e kanë mbështetur në realizimin e ëndrrës së saj.
Deguchi aktualisht është numri një botë në peshën deri 57 kg. Ajo është gjithashtu xhudistja kanadeze me më shumë medalje deri më sot, kampione bote më 2019 dhe 2023, ndërsa në vitin 2024 nënkampione bote.
Para triumfit të djeshëm të Christa Deguchi-t, fitoret e fundit olimpike të Kanadasë në xhudo datonin në Lojërat e Tokios në vitin 2021, kur Jessica Klimkait (-57 kg) dhe Catherine Beauchemin-Pinard (-63 kg) fituan medalje bronzi.
© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada
Foto: Reuters / Kim Kyung-Hoon