Kanada

Paris 2024: Kanadezja Summer McIntosh fiton medaljen e artë në 400 metra katër-notim

  • Published in Kanada

Supertalenti kanadez, 17-vjeçarja Summer McIntosh u shpall dje (29.07.) në Paris kampione olimpike pas fitores së vendit të parë dhe medaljes së artë në garën 400 metra katër-notim. Kampionia në fuqi e botës në këtë disiplinë, realizoi në Aréna Paris La Défense kohën 4 min 27 sec 71/100, duke lënë pas amerikanet Katie Grimes (+5.69 s) dhe Emma Weyant (+7.22 s).

McIntosh, mbajtëse e rekordit botëror (4:24.38),  e vendosi ritmin e saj qysh në 100 metrat e para, në stilin flutur, duke e rritur gradualisht distancën me Grimes. Ajo i dominoi kundërshtaret nga fillimi deri në fund dhe i detyroi të heshtnin spektatorët që brohorisnin zhurmshëm para garës USA! USA! USA!

“Në 15 metrat e fundit, e dija se do të fitoja medaljen e artë dhe po buzëqeshja nën ujë. Jam vërtet krenare për veten time. Kjo është gara ime e preferuar prej vitesh, që kur pashë për herë të parë Michael Phelps të dominonte një sprovë të tillë. Është surreale të jesh kampion olimpik”, i deklaroi ajo Radio-Canada.

Për McIntosh këto janë Lojërat e dyta Olimpike dhe ajo do të ketë rastin të shtojë koleksionin e saj të medaljeve në  dy gara të tjera individuale: 200 metra katër-notim dhe 200 metra flutur. Ndërkohë, kampionia nga Toronto të shtunën (27.09) fitoi gjithashtu medaljen e argjendtë në garën 400 metra stil i lirë.

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Foto : AFP/François-Xavier Marit