Paris 2024 - Ekipi kanadez i femrave në regbi me 7 lojtarë fiton medaljet e argjendta
- Published in Kanada
Pasi eliminoi Francën në çerekfinale (19-14) dhe më pas Australinë në gjysmëfinale (21-12), ekipi kanadez i femrave në regbi me 7 lojtarë nuk ka mundur dot dje (30.07) të shkojë me tej se medaljet e argjendta, pasi në finale ka humbur 12-19 përballë ekipit neozelandez, që mbronte titullin. Megjithatë, lojtaret kanadeze i ofruan publikut në Stade de France një paraqitje dinjitoze dhe të guximshme, larg humbjes së thellë 33-7, të pësuar në fazën eliminatore ndaj të njëjtës skuadër, e cila kësaj radhe nuk e pati të kollajtë fitoren. Pa diskutim, ngjitja në rangun e nënkampionit olimpik përbën një arritje për t’u shënuar për këtë ekip të ri, të drejtuar nga kapitenia Olivia Apps.
“Jemi shumë krenare për atë që kemi arritur sot. Mund të mos jetë medalja që shpresonim, por jemi të dytat dhe po shkruajmë një faqe të re në historinë kanadeze të këtij sporti”, deklaroi Apps në një intervistë pas ndeshjes.
Pavarësisht zhgënjimit të humbjes, ekipi u shfaq i gjithi i buzëqeshur kur u ngjit në podium për të marrë medaljet e argjendta. Ndërkohë, amerikanet fituan medaljet e bronzta pasi mundën me rezultatin e ngushtë 14-12 ekipin australian.
Përpara se të arrinte në finalen e sivjetme, në përvojën e saj të parë olimpike në Rio, në vitin 2016, skuadra kanadeze e regbisë me 7 lojtarë për femra pat fituar medaljet e bronzta, ndërsa në Tokio, në vitin 2021 u rendit në vendin e 9-të, pas një kompeticioni të vështirë. Për ekipin e Zelandës së Re kjo ishte finalja e tretë olimpike radhazi. Pas argjendit në Brazil, neozelandezet patën fituar gjithashtu medaljet e arta në Japoni.
© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada
Foto: The Canadian Press/Adrian Wyld; Getty Images/Michael Steele