Kanada

Paris 2024 - Përtej çdo parashikimi, Kanadaja siguron çerekfinalen në futboll për femra

  • Published in Kanada

Rrugëtimi rokambolesk i ekipit kanadez të futbolli për femra në Lojërat Olimpike të Parisit nuk ka përfunduar ende. Pas fitores së djeshme (31.07) kundër Kolumbisë me rezultatin 1-0, kampionet olimpike në fuqi kanë siguruar biletën për në çerekfinale.

Ndërkohë, disa orë para ndeshjes, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv njoftoi se dënimi prej minus gjashtë pikësh që FIFA i dha skuadrës pas skandalit të spiunimit me dron të ekipeve kundërshtare mbetej në fuqi, ndaj dhe për të shkuar më tej, kanadezeve iu duhej absolutisht të mposhtin rivalet e tyre nga Amerika e Jugut.

Përfundimisht skuadra e përmbushi misionin e saj përtej çdo hamendësimi dhe parashikimi, edhe pse reputacioni i saj u njollos jo pak nga papërgjegjshmëria e trajnerëve tashmë të dënuar gjithashtu nga FIFA për një periudhë një vjeçare. Ka qenë sërish veterania Vanessa Gilles që u bë heroina e ndeshjes, duke shënuar me kokë golin e fitores në minutën e 61-të, pas një krosimi të Jessie Fleming nga një goditje dënimi.

“Jam krenare për këtë ekip, për kanadezët që ishin këtu për të na mbështetur gjatë gjithë kohës si dhe për kanadezët në atdhe. Sot kam marrë më shumë mesazhe inkurajimi sesa pas medaljes sonë të artë në Tokio”, ka deklaruar pas takimit Vanessa Gilles për Radio-Canada Sports.

Fitorja e djeshme për Kanadanë pason dy fitoret e tjera në fazën e grupeve, e para 2-1 kundër Zelandës së Re dhe e dyta me të njëjtin rezultat kundër Francës.

Të shtunën (03.08) ekipi kanadez, fitues i medaljeve të arta në Tokio (2021) do ndeshet me Gjermaninë, kampione e Lojërave të Rios më 2016.

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Getty Images/AFP/Valery Hache