Kanada

Paris 2024: Notarja kanadeze Summer McIntosh fiton medaljen e artë në 200m stil flutur

  • Published in Kanada

Kanadezja Summer McIntosh ka fituar dje (01.08) në Lojërat Olimpike të Parisit medaljen e dytë të artë (në total 2 ari dhe 1 argjendi) dhe është kurorëzuar kampione olimpike në garën 200 metra stil flutur. Ajo gjithashtu vendosi rekordin olimpik në këtë distance me kohën 2 minuta, 3 sekonda dhe 3/100. McIntosh la pas në vend të dytë dhe të tretë amerikanen Regan Smith (2:03.84) dhe kinezen Yufei Zhang (2:05.89), mbajtëse e rekordit të vjetër.

“Kjo garë ishte padyshim më e forte. Këtë herë nuk pata kohë të buzëqeshja, por me shikimin tim periferik, mund të shihja se isha duke udhëhequr. U përpoqa të mos vështroj shumë rreth meje në metrat e fundit. Nuk jam e kënaqur me rezultatin tim, por rëndësi ka që fitova”, u shpreh ajo për Radio-Canada Sports.

Fituese e kësaj distance edhe në Kampionatin Botëror 2023, McIntosh ishte pa diskutim favoritja kryesore për këtë finale olimpike. Prezent në Paris La Défense Arena ndodhej dhe nëna e saj, Jill Horstead, e cila, 40 vjet më parë në Lojërat e Los Anxhelos pat qenë renditur e 9-ta në të njëjtën garë. “Reagimi i familjes ka shumë rëndësi për mua, sidomos ai i nënës, për të cilën është disiplina e saj e preferuar. Ndarja e këtij momenti me të është shumë e veçantë”, pohoi kampionia 17 vjeçare, e konsideruar nga specialistët si një talent fenomenal.

Summer McIntosh më pare në lojërat e sivjetme fitoi medaljen e argjendtë në 400 metra stil i lirë të shtunën (27.07) dhe të artën në 400 metra katër notim të hënën (29.07). Ajo është e para kanadeze që fiton tre medalje individuale në të njëjtat Lojëra Olimpike. Deri tani Kanadaja ka fituar gjithsej tetë medalje, 4 nga të cilat në garat e notit.

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Foto: The Canadian Press/Christinne Muschi