Kanada

Paris 2024: Summer McIntosh fiton medaljen e tretë të artë në 200m katër-notim

  • Published in Kanada

Palmaresit rekord të notares kanadeze Summer McIntosh në Lojërat Olimpike të Parisit iu shtua sot (03.08) medalja e katërt. Fenomeni 17-vjeçar arriti një rekord olimpik me një kohë fantastike prej 2 min 6 sek 56/100, duke fituar vendin e parë dhe medaljen e artë në garën 200 metra katër-notim. E dyta pas 150 metrash me gjysmë sekonde pas amerikanes Alex Walsh, McIntosh përfitoi nga distanca e katërt në stilin e lirë, për të rikuperuar diferencën dhe për ta kaluar rivalen e saj në 20 metrat e fundit.

Walsh përfundimisht u skualifikua për shkak të një tranzicioni të parregullt nga stili shpinë në stilin bretkosë. Ajo nuk ishte më në shpinë kur preku murin e pishinës. Ky vendim është kundërshtuar nga Federata e Notit e Shteteve të Bashkuara dhe ankimimi po shqyrtohet nga World Aquatics. Me skualifikimin e Walsh, ishin amerikanja Kate Douglass (2:06.92) dhe australiania Kaylee McKeown (2:08.08) që përfunduan në podium.

Më herët sot gjatë ditës, dy notarët kanadezë Josh Liendo dhe Ilya Kharun zunë respektivisht vendin e 2-të (argjend) dhe të 3-të (bronz) në 100 metra flutur duke u ngjitur në podiumin e Aréna Paris La Défense. Deri tani ekipi i notit ka fituar 8 nga 15 medaljet olimpike të delegacionit kanadez.

Përveç medaljes së sotme në 200 metra katër-notim, Summer McIntosh ka fituar medaljen e argjendtë në 400 metra stil i lirë, të artën në 400 metra katër-notim dhe gjithashtu të artën në 200 metra flutur. Finalja e fundit për të do të jetë nesër, kur ajo do të garojë me ekipin kanadez në stafetën 400 metra katër-notim.

© Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

Foto: Christinne Muschi/The Canadian Press