Java Kanadeze - Lajme shkurt 4 gusht 2024
- Published in Kanada
Saguenay Fjord National Park - Québec
-Alberta, në veri të Jasper humb jetën në përpjekje me zjarret një zjarrfikës 24-vjeçar
-Saskatchewan, qeveria federale akordon 36 milionë dollarë për strehimin e përballueshëm
-Manitoba, sipas të dhënave të fundit turizmi autokton po rritet ndjeshëm
-Prince Edward Island, qeveria provincale instalon gjeneratorë në pikat e karburantit
Alberta - Agjencia e luftës kundër zjarreve në Alberta, Alberta Wildfire, organizoi një ceremoni sot (04.08) për të nderuar kujtimin e një zjarrfikësi që vdiq në detyrë në Parkun Kombëtar Jasper, ku vazhdojnë përpjekjet kundër zjarreve në pyje. “Sot ne vajtojmë humbjen e njërit prej nesh. Një anëtar i ekipit të Alberta Wildfire u plagos për vdekje ditën e djeshme në Jasper”, deklaroi agjencia në llogarinë e saj X. Vdekja e zjarrfikësit detyroi gjithashtu shtyrjen 24 orë të vizitës së planifikuar për të lejuar të evakuuarit të shihnin dëmet në qytetin e tyre. Policia Mbretërore Kanadeze (RCMP) u njoftua të shtunën pasdite se një punonjës i Departamentit të Zjarrfikësve në Alberta Wildland u plagos rëndë nga një pemë që u rrëzua. Ai u transportua me një ambulancë ajrore STARS në spital, por nuk mundi t’u rezistonte plagëve të marra. Sipas RCMP, i ndjeri ishte me origjinë nga Calgary dhe punonte në zonën Rocky Mountain House.
Saskatchewan - Qeveria federale akordoi të premten (02.08) 36 milionë dollarë për ndërtimin dhe rinovimin e 788 njësive të strehimit të përballueshëm në 53 projekte të ndryshme në Saskatchewan. Një pjesë e fondeve do të shkojnë për projektin Hart Road, në Saskatoon-in perëndimor, i drejtuar nga dy organizata jofitimprurëse të komunitetit Metis. Camponi Housing dhe SaskNative Rentals do të kujdesen për fazën 1 të këtij projekti me 73 njësi dhe me një buxhet prej 23.6 milionë dollarë. “Hart Road ka të bëjë me krijimin e lidhjeve të qëndrueshme dhe konsolidimin e një komuniteti, për t’u dhënë fuqi në vendimmarrje qiramarrësve tanë”, ka deklaruar për CBC presidentja e bordit të drejtorëve të Camponi Housing, Angela Bishop. Bishop theksoi gjithashtu që organizata u konsultua me qiramarrësit e mundshëm dhe komunitetin Metis për të kuptuar pritshmëritë e tyre nga një projekt i tillë. Organizata ka arritur në përfundimin se qiramarrësit kanë nevojë për një kopësht për fëmijët autoktonë, një hapësirë kulturore dhe një hapësirë ku ata mund të takohen, ndaj dhe do ofrohet një palestër dhe një kuzhinë komunitare. Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë Saskatoon, Charlie Clark beson se ky model, i propozuar nga dy organizatat Metis, përbën një qasje holistike në raport me strehimin e përballueshëm dhe nevojat e komunitetit.
Manitoba - Një raport i Conference Board Canada informon se sektori i turizmit autokton në provincën Manitoba po përjeton një rritje të konsiderueshme dhe vitin e kaluar gjeneroi më shumë se 100 milionë dollarë të ardhura. Sipas këtij raporti të titulluar “Going Places: Economic Impact of the Indigenous Tourism Sector in Manitoba”, më shumë se 1000 vende pune janë krijuar në këtë sektor. “Jemi shumë të emocionuar të shohim publikimin e këtij raporti dhe t’i tregojmë publikut se si kemi evoluar gjatë viteve të fundit”, është shprehur për CBC Holly Courchene, Drejtore Ekzekutive e agjencisë Indigenous Tourism Manitoba. Mësohet se numri i bizneseve të drejtuara nga autoktonët u rrit nga 81 në 170 mes viteve 2019 dhe 2023. Kjo agjenci u inkorporua në vitin 2021, por Holly Courchene pohon se gjithçka nisi në vitin 2019, bazuar mbi një strategji të miratuar nga Shoqata e Turizmit Autokton të Kanadasë dhe Travel Manitoba për të nxitur progresin e sektorit të turizmit autokton në provincë. Aktualisht Indigenous Tourism Manitoba ndihmon në krijimin e lidhjeve midis bizneseve autoktone dhe jo-autoktone dhe i ndihmon sipërmarrësit të gjejnë pikat e tyre të referencës në sektorin e turizmit.
Prince Edward Island - Qeveria provincial e Prince Edward Island do shpenzojë më shumë se 1.5 milion dollarë për të instaluar gjeneratorë në pikat e karburantit në të gjithë territorin. Të paktën 45 pika të tilla do të kenë një gjenerator dhe do të paguajnë një pjesë të kostove. “Qoftë në raste uragani, stuhie bore, shiu të ngrirë, apo ndonjë ngjarjeje tjetër që ndërpret energjinë elektrike për një kohë të gjatë, është e rëndësishme që ne të kemi akses në karburante me ndihmën e pajisjeve të tilla”, ka deklaruar për CBC ministri i Drejtësisë dhe Rendit Publik, Bloyce Thompson. Rreth dy vjet më pare, stuhia posttropikale Fiona pat shkaktuar ndërprerje të gjata të energjisë në ishull. Banorët mbanin radhë për të mbushur automjetet me karburant dhe bidonat për gjeneratorët e tyre. “Ne nxjerrim mësime nga çdo fatkeqësi natyrore, dhe sigurisht, ka gjithmonë një plan veprimi që duhet ndjekur më pas. Kjo është një nga gjërat që kemi identifikuar dhe që duhet përmirësuar”, ka shtuar ministri Thompson. Shitësit me pakicë të karburanteve bashkëpunojnë me Departamentin e Masave Emergjente për të informuar se cilat pika janë të hapura gjatë ndërprerjeve të energjisë dhe për të ofruar përditësime periodike mbi disponueshmërinë e karburantit. Depozitat e karburantit të kompanisë Irving në Charlottetown, të cilat furnizojnë të gjithë provincën, nuk kanë një gjenerator të përhershëm. Një marrëveshje në fuqi me qeverinë parashikon furnizim me energji elektrike rezervë në rast nevoje. Në raste emergjence, stacionet e karburantit, furnizojnë në radhë të pare automjetet e shërbimeve urgjente dhe ekipet e sigurisë publike. Ndërkohë, procesi i blerjes së gjeneratorëve vazhdon dhe qeveria ka publikuar një hartë që tregon vendet ku ata tashmë janë instaluar. Procesi i instalimit të plotë të tyre në 45 pika karburanti pritet të përfundojë në vjeshtë.
© Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada
Fotot: CBC/Radio Canada; Authentik Canada;