Kanada

Paris 2024: Kanadezi Ethan Katzberg fiton medaljen e artë në hedhje çekiçi

  • Published in Kanada

Pas Christa Deguchi (xhudo) dhe Summer McIntosh (not), Ethan Katzberg u bë të dielën (04.08) fituesi i tretë i medaljes së artë për ekipin e Kanadasë në Lojërat Olimpike të Parisit, në disiplinën e hedhjes së çekiçit. Ai e dominoi plotësisht garën qysh në fillim, duke realizuar distancën 84,12 m, e dyta në historinë olimpike, vetëm 68 cm nga rekordi i vendosur prej rusit Sergey Litvinov (BRSS) në vitin 1988 në Seul. Kësisoj, në moshën 22-vjeçare, Katzberg është kampioni më i ri olimpik në moshë për meshkuj në historinë e hedhjes së çekiçit.

Katzberg ishte favorit qysh para finales, pasi realizoi distancën 79.93 metra në fazën kualifikuese, më e mira nga të gjithë pjesëmarrësit. Më pas, askush nuk mundi t’i afrohej gjigantit nga British Columbia (2.01 m), madje as medalisti i argjendtë, hungarezi Bence Halasz, rezultati më i mirë i të cilit ishte 79.97 m. Ukrainasi Mykhaylo Kokhan (79.39 m) u rendit i treti, duke fituar dhe medaljen e bronzit.

“Nuk e di nëse do të fle sonte. Kapërcimi i distancës 84 metra qysh në gjuajtjen time të parë dhe më pas përqëndrimi në pesë hedhjet e tjera ishte një vorbull e fortë emocionesh. Kur mendoj që do largohem nga stadiumi si kampion olimpik, kjo është një ndjenjë e pabesueshme”, deklaroi ai pas fitores për Radio-Canada Sport, duke falenderuar njëkohësisht dhe trajnerin Dylan Armstrong për kontributin në sukesin e tij të jashtëzakonshëm gjatë vitit të fundit.

Kujtojmë që Ethan Katzberg është gjithashtu kampioni në fuqi i botës në hedhje çekiçi (20.08.2023 Budapest) dhe mbajtësi i rekordit kanadez në këtë disiplinë. Në prill të këtij viti, ai realizoi distancën 84.38 m duke thyer rekordin e vet dhe duke regjistruar rezultatin më të mirë të Kanadasë në konkurrimet ndërkombëtare në 16 vitet e fundit.

Deri tani, në Lojërat Olimpike të sivjetme ekipi kanadez ka fituar gjithsej 17 medalje, nga të cilat 5 ari, 4 argjendi dhe 8 bronzi. Sot (06.08) pritet të garojë për Kanadanë po në hedhjen e çekiçit, kësaj radhe për femra, kampionia e botës në fuqi (24.08.2023 Budapest) Camryn Rogers (edhe ajo nga British Columbia) me synimin për një tjetër medalje të artë.

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Kirill Kudryavtsev/AFP/Getty Images; Kevin Light/COC; The Canadian Press/Adrian Wyld