Kanada

Paris 2024: Kanadezja Camryn Rogers shpallet kampione olimpike në hedhje çekiçi

  • Published in Kanada

Dy ditë pas medaljes së artë të bashkatdhetarit të saj Ethan Katzberg, kanadezja Camryn Rogers arriti një superfitore tjetër për Kanadanë të martën (06.08) në Lojërat e Parisit, duke u shpallur kampione olimpike në hedhjen e çekiçit me rezultatin që arriti në proven e pestë. Si asnjëherë më parë, brenda hapësirës kohore të një viti dy atletë nga Kanadaja shpallen kampionë bote dhe kampionë olimpikë në të njëjtën disiplinë, për meshkuj dhe femra. Madje të dy janë me origjinë nga e njejta provincë, British Columbia.

Në hedhjen e saj të parafundit, Rogers arriti rezultatin 76.97 metra, 1.49 m më shumë se amerikania Annette Nneka Echikunwoke (75.48 m) që udhëhiqte garën deri në proven e katërt. Prova e gjashtë nuk e ndryshoi renditjen dhe Echikunwoke doli përfundimisht e dyta duke marrë medaljen e argjendtë, ndërsa kinezja Jie Zhao siguroi medaljen e bronztë me rezultatin 74.27 m. Pas fitores, Rogers nxitoi të uronte rivalet e saj. “Jemi të gjitha së bashku në këtë aventurë, duke u përpjekur të bënim më të mirën në finalen olimpike. Ne të gjitha përjetojmë të njëjtat emocione”, u shpreh ajo për Radio-Canada Sports.

Pesë konkurrentë në finalen e së martës (06.08), duke përfshirë Echikunwoke (SHBA) dhe Anita Wlodarczyk nga Polonia, tre herë kampione olimpike në fuqi, realizuan hedhjet e tyre më të mira të sezonit. Wlodarczyk, atletja femër më e dekoruar në disiplinën e saj, ia dorëzoi stafetën Rogers pas më shumë se një dekade dominimi. E kurorëzuar në Londër, Rio dhe Tokio, ajo vendosi rekordin olimpik prej 82.29 m më 15 gusht të vitit 2016 në Rio dhe atë botëror prej 82.98 m pak ditë më vonë, para publikut të saj në Varshavë.

25 vjeçarja Camryn Rogers arriti të shpallet kampione olimpike pas një cikli në progres. Në Lojërat e Tokios (2021) ajo u rendit e pesta dhe ishte kanadezja e parë që u kualifikua në një finale të hedhjes së çekiçit. Në maj 2023, ajo arriti rezultatin 78.62 m në Çmimin e Madh të Los Angeles, ende rekordi i saj personal më i mirë deri më sot. Më pas, tre muaj më vonë, në gusht, Rogers u shpall kampion bote në Budapest me rezultatin 77.22 m.

Kësisoj në Paris ekipi kombëtar kanadez i atletikës ka arritur ta trefishojë sasinë e medaljeve në hedhjen e çekiçit. Medalja e vetme në këtë disiplinë datonte në vitin 1908, në Lojërat e Londrës, kur Con Walsh pat fituar medaljen e bronztë. Në Lojërat e sivjetme, medalja e Camryn Rogers është e gjashta medalje e artë për Kanadanë që nga fillimi i garave. Rogers iu bashkua Katzberg (hedhje çekiçi), notares Summer McIntosh (3 medalje) dhe xhudistes Christa Deguchi.

© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada Sports

Fotot: Leah Hennel/COC; Getty Images; Presse Sports