Kanadaja evakuon fëmijët dhe bashkëshortët e diplomatëve të saj në Izrael
- Published in Kanada
Sipas një deklarate të Global Affairs (Ministria e Jashtme kanadeze), Kanadaja evakuoi dje (07.08) nga Izraeli të gjithë bashkëshortët dhe fëmijët e diplomatëve kanadezë me mision atje.
Global Affairs shpjegoi se ky vendim u motivua nga rreziku në rritje i përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme. Që nga 3 gushti i kaluar, duke pasur parasysh rreziqet aktuale, kjo ministri u ka rekomanduar të gjithë shtetasve kanadezë të shmangin të gjitha udhëtimet në Izrael.
Dikasteri i Punëve të Jashtme nuk ka specifikuar se ku janë dërguar familjet e diplomatëve, por ka theksuar se ato ndodhen “në një vend të tretë të sigurt” dhe se “kjo është një zhvendosje e përkohshme”.
Ambasada Kanadeze Tel Aviv
Ndërkohë të martën (06.08), e përditshmja izraelite Yediot Aharonot raportoi se fëmijët dhe bashkëshortët e diplomatëve kanadezë në Tel Aviv do të vendoseshin në Jordani.
“Ambasada Kanadeze në Izrael (Tel Aviv), Ambasada Kanadeze në Liban (Bejrut) dhe Zyra Përfaqësuese Kanadeze pranë Autoritetit Palestinez mbeten të gjitha plotësisht funksionale dhe vazhdojnë t’u ofrojnë kanadezëve shërbime thelbësore, përfshirë shërbimet konsullore”, përfundon deklarata e Global Affairs.
© Flasshqip me informacion nga Radio-Canada
Foto: The Canadian Press/Adrian Wyld