Paris 2024 - Kanadaja kampione olimpike në stafetën 4 x 100 metra për meshkuj
- Published in Kanada
Kanadaja fitoi dje (09.08) medaljen e artë në stafetën 4 x 100 metra për meshkuj në Lojërat Olimpike të Parisit. Përtej çdo parashikimi, kuarteti kanadez Aaron Brown, Jerome Blake, Brendon Rodney dhe Andre De Grasse, ishte i pari që arriti vijën e finishit në pistën e vrapimit të Stade de France duke realizuar kohën 37 s 50/100.
“Këto lojëra ishin frustruese për të gjithë ne. U thashë çunave se nëse fitojmë medaljen e artë, do na kthehet sërish buzëqeshja dhe kështu ndodhi. E dua këtë ekip. Jemi gjithnjë bashkë në fitore dhe humbje. Ishte koha të shkruanim një faqe tjetër historie dhe ia arritëm”, deklaroi Aaron Brown pas garës
Skuadra kanadeze triumfoi mbi katërshen afrikano-jugore (37,57 s) dhe atë britanike (37,61 s) përkatësisht me diferencë 7 dhe 11 të qindtat e sekondës. Ndërkohë, skuadra e SHBA u skualifikua për shkak të transferimit të shkopit të stafetës jo sipas rregullave nga Kenneth Bednarek te Christian Coleman. Amerikanëve u mungonte gjithashtu Noah Lyles, i cili u tërhoq nga Olimpiada pas diagnostikimit me COVID-19.
Fitorja e fundit e Kanadasë në këtë lloj gare daton në vitin 1996, në Lojërat e Atlantës. Donovan Bailey, Bruny Surin, Robert Esmie dhe Glenroy Gilbert, tani trajner i ekipit kanadez, patën fituar ndaj amerikanëve dhe brazilianëve.
“Kjo fitore do të thotë gjithçka për ne. Kemi diskutuar për të qysh pas Tokios. Kemi punuar shumë me trajnerët dhe të gjithë ekipin. Ishim të bindur që ishim gati dhe këtë mëngjes, pasi u pamë sy më sy, i thamë njeri-tjetrit: Le të shkojmë ta fitojmë këtë garë!”, u shpreh De Grasse.
Kjo ishte medalja e shtatë olimpike për Andre De Grasse. Sprinteri nga Ontario ka fituar tre medalje në Rio në vitin 2016, duke përfshirë bronzin në 100 m dhe stafetën 4 x 100 m, si dhe argjendin në 200 m, pas Usain Bolt. Më pas ai i shtoi koleksionit të tij tij dhe tri medalje të tjera në Tokio në vitin 2021. Atleti 29-vjeçar tashmë është kanadezi me më shumë medalje olimpike, së bashku me notaren Penny Oleksiak.
Kujtojmë se kuarteti i Kanadasë në stafetën 4 x 100 metra për meshkuj fitoi gjithashtu medaljen e argjendtë majin e kaluar në garën botërore të stafetave që u zhvillua në Nassau të Bahamas, duke realizuar kohën 37.89 s, menjëherë pas amerikanëve.
© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada Sports
Fotot: Getty Images/Christian Petersen/Michael Steele; COC/Marc Blinch