Kanada

Celine Dion denoncon përdorimin në fushatën e Trump të këngës së saj My Heart Will Go On

  • Published in Kanada

Diva kanadeze Celine Dion protestoi sot (10.08) kundër përdorimit në SHBA nga fushata e kandidatit republikan Donald Trump të hitit të saj mbarëbotëror “My Heart Will Go On”, kolona zanore e famshme e filmit Titanic.

Ekipi i Celine Dion dhe kompania e saj diskografike Sony Entertainment Canada kanë protestuar kundër përdorimit të paautorizuar të videos, performancës muzikore dhe imazhit të Celine Dion duke kënduar My Heart Will Go On në një tubim elektoral të Donald Trump dhe kandidatit të tij për zëvendëspresident J.D. Vance, në Montana dje (09.08) në mbrëmje.

“Ky përdorim apo ndonjë përdorim i ngjashëm nuk është as i autorizuar dhe as i miratuar nga Céline Dion... Dhe sinqerisht KJO këngë?”, ka shkruar ekipi i saj në një mesazh në llogarinë e këngëtares në Instagram.

Artistja 56-vjeçare kanadeze me famë botërore, e cila vuan nga stiff person syndrome dhe që nuk kishte kënduar live që nga viti 2020, u bë së fundi pjesë e ceremonisë së hapjes të Lojërave Olimpike më 26 korrik në Paris, duke kënduar e përlotur “Himni i dashurisë” të Edith-it Piaf nga kati i parë i Kullës Eiffel.

“My Heart Will Go On” është kënga e filmit Titanic të James Cameron i shfaqur për herë të parë në vitin 1997. Kjo këngë ishte dhe pjesë e albumit të këngëtares “Let's Talk About Love”, një nga më të transmetuarit në historinë e muzikës në radio dhe televizion dhe një nga më të shiturit me 18 milionë kopje.

Falë kësaj kënge, Celine Dion fitoi një Oscar, një Golden Globe dhe katër Grammy.

© Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

Foto : Reuters/Andrew Kelly