Java Kanadeze - Lajme shkurt 11 gusht 2024
- Published in Kanada

St. John's - Newfoundland
-British Columbia, 2024 vit i vështirë për peshkun salmon sipas ekspertëve
-Alberta, rindërtimi në Jasper mund të vonohet për shkak të rregullave specifike
-Saskatchewan, sekuestrim rekord i 8.75 milionë cigareve kontrabandë pranë Swift Current
-Nova Scotia, dyndje vizitorësh në jugperëndim të provincës me rastin e Kongresit Botëror Akadian
-Quebec, shira të rrëmbyeshëm, përmbytje dhe ndërprerje energjie në disa pjesë të territorit
British Columbia - Sipas ekspertëve, në provincën British Columbia peshqit e tipit salmon po përballen aktualisht me disa vështirësi në habitatin e tyre natyror: rrëshqitja e dheut në lumin Chilcotin, thatësira që zgjat prej muajsh dhe ndotësit, ndër të tjera, po kërcënojnë qëndrueshmërinë e tyre si specie. Për shembull bllokimi i akujve në lumin Chilcotin ndikoi në uljen e numrit të peshqve që do kalonin drejt oqeanit. Ndërkohë, siç pohon për Radio-Canada Jason Hwang, zëvendëspresident i Fondacionit për Salmonin e Paqësorit, një rrëshqitje dheu që ndodhi në fund të korrikut, krijoi gjithashtu një digë të përkohshme. Po ashtu, shkrirja e akujve shkaktoi erozion masiv që i shkërmoqi brigjet e lumit dhe shumë sedimente mbeten ende pezull në ujë. Në këto kushte, kur uji është plot me sedimente dhe baltë, peshku salmon përjeton vështirësi në frymëmarrje. Sipas fondacionit në fjalë, ka më shumë se 9,000 lloje të ndryshme salmoni në British Columbia, por gati gjysma e salmonit të Paqësorit po zvogëlohet në numër. Revista Canada Science Publishing raporton që specia ketas ka një rënie prej rreth 90% që nga vitet 1960. Sa i përket salmonëve të kuq, numri i tyre është ulur me 75% që nga viti 1913. Disa faktorë e shpjegojnë këtë rënie, sipas Jason Hwang, thatësira, e kombinuar me nxehtësinë apo dhe reduktimi i reshjeve të dëborës në provincë. Thatësira për shembull është një sfidë e vërtetë, veçanërisht për salmonët e mitur, të cilët zakonisht kalojnë një vit në ujë të freskët, përpara se të kalojnë në ujin e kripur të oqeanit. Ata mund të përballojnë temperatura më të ngrohta, por nëse bëhet shumë nxehtë, bëhet shumë e vështirë për ta të kalojnë korrikun dhe gushtin. Për ekspertët, një qasje globale, e cila merr parasysh përbërësit e ndryshëm të habitatit natyror të species, do të mbrojë më mirë të ardhmen e salmonit.
Alberta - Banorët e qytetit Jasper në Alberta, të cilët humbën shtëpitë e tyre nga zjarri i muajit të kaluar, rrezikojnë të përballen me një sfidë unikale për rindërtimin e tyre për shkak të dispozitave të qirasë së tokës, që janë pothuajse aq të vjetra sa Kanadaja. Avokatja Jessica Reed, ka shpjeguar për mediat se banorët e Parkut Kombëtar Jasper zotërojnë ndërtesat e tyre, por ndryshe nga situata në bashkitë e tjera, ata nuk kanë pronësi mbi tokën në të cilën janë ndërtuar banesat, sepse kjo tokë i përket kurorës britanike. Kjo do të thotë që çdo pronar shtëpie në Jasper i paguan një qira vjetore Kurorës për truallin. Ligji mbi Parqet Kombëtare të Kanadasë gjithashtu parashikon një afat të përgjithshëm prej 42 vjetësh për qiratë, megjithëse disa janë më të shkurtra, dhe rinovimi i tyre përfshin rinegocim të kushteve. Këto dispozita mund t’u krijojnë probleme pronarëve në Jasper, sepse bankat ndonjëherë refuzojnë të japin hipoteka nëse qiraja ekzistuese është më e shkurtër se afati i pritshëm i huasë. Gjendja mund të bëhet shumë më serioze, kur merret në konsideratë fakti se 358 shtëpi dhe biznese janë rrafshuar totalisht nga zjarri. Në këto kushte, avokatja Reed druan se qiratë do të pengojnë përpjekjet për rindërtim dhe do të shkaktojnë dëme financiare. Avokatja shton se edhe ata që nuk duan të rindërtojnë mund të përballen me vështirësi. Pasi të zgjidhen çështjet e qirasë, pronarët e Jasper do të duhet të ndjekin dy grupe rregullash për rindërtimin. Krahas plotësimit të kërkesave të Bashkisë, do të jetë e nevojshme të merren miratimet e nevojshme nga Parks Canada, ashtu siç është edhe për rinovimin e shtëpive. Jessica Reed, megjithatë shpreson që Parks Canada të jetë fleksibël në muajt dhe vitet në vijim. Javën e kaluar, kryetari i bashkisë Jasper, Richard Ireland dhe zyrtarët e Parks Canada, deklaruan gjatë një takimi publik për të evakuuarit se do të akordohet një përjashtim nga rregulli që ndalon rindërtimin e shtëpive të reja të lëvizshme në Jasper për ata që i humbën ato nga zjarri.
Saskatchewan - Gjatë një kontrolli rutinë, patrullat e Policisë Rrugore në Saskatchewan kanë arrestuar një shofer, në kamionin e të cilit u gjet dhe u sekuestrua një sasi rekord prej 8.75 milionë cigaresh pa pullë. Sipas autoriteteve policore, kjo është sekuestroja më e madhe e duhanit në historinë e provincës. Kontrolli u zhvillua në autostradën 1 pranë Swift Current. Sipas një njoftimi për shtyp të RCMP të publikuar të premten (09.08), një oficer gjatë inspektimit në stacionin e peshimit në autostradë zbuloi se fatura e ngarkesës së kamionit të drejtuar nga një 25 vjeçar nga Calgary - një dokument ligjor që përmbledh dispozitat e një marrëveshjeje transporti midis një transportuesi dhe një klienti - ishte e rreme dhe pas kontrollit në automjet u gjetën rreth 30 paleta duhan të pavulosur. Hetimi më pas iu përcoll Ekipit të Reagimit ndaj Trafikimit të Substancave të RCMP në Saskatchewan, i cili konstatoi se kamioni po udhëtonte nga Ontario në British Columbia dhe po transportonte afërsisht 8.75 milionë cigare pa vulë. “Falë një oficeri të përgjegjshëm dhe partneritetit tonë me RCMP, ne ishim përsëri në gjendje të parandalonim krimin e organizuar të përfitojë nga aktivitetet e paligjshme”, deklaroi Paul Merriman, Ministër i Rendit Publik të provincës. Ndërkohë, shoferi i kamionit, i cili akuzohet për transport, posedim dhe shitje produktesh të duhanit pa vulë, do paraqitet para gjykatës në Swift Current më 14 gusht.
Nova Scotia - Këtë fundjave në pjesën jugperëndimore të Nova-Scotia janë dyndur shumë vizitorë me rastin e Kongresin Botëror Akadian, i cili po zhvillohet nga 10 deri më 18 gusht në rajonet Clare dhe Argyle. Ky eveniment i madh që mbahet çdo pesë vjet, organizohet për herë të parë që nga viti 2004 në Nova Scotia. Aktiviteti nisi me një koncert festiv që u zhvillua dje (10.08) në orën 19:00, në ambientet e hapura të Universitetit Sainte-Anne, me pjesëmarrjen e Les Hay Babies, P'tit Belliveau, Jacques Surette, Vickie Deveau dhe Sylvie Boulianne. Në koncert kishin ardhur frankofonë nga të katër anët e provincave Atlantike, nga Quebec, por edhe nga Shtetet e Bashkuara dhe Franca. Kongresi Botëror Akadian është një festival i kulturës Akadiane, i organizuar çdo pesë vjet që nga viti 1994. Objektivi i tij është të bashkojë diasporën akadiane të shpërndarë në të katër anët e botës, në një sërë tubimesh familjare, konferenca dhe shfaqje. Akadianët janë një grup etnik që jeton kryesisht në Amerikën e Veriut, në provincat kanadeze të New Brunswick, Prince Edward Island, Nova Scotia (që formojnë Acadia) dhe Quebec, si dhe në shtetin amerikan Maine. Krahas tyre ekzistojnë dhe Kajunët, që formojnë një grup etnik në Luiziana i cili i konsideron Akadianët si paraardhës. Shumica dërrmuese e akadianëve janë frëngjisht-folës dhe katolikë. Ata janë pasardhës të kolonëve të parë francezë të vendosur në Acadia gjatë epokës së Nouvelle France, kryesisht në New Brunswick-un juglindor. Gjatë spastrimit etnik të Akadianëve në vitin 1755, këta të fundit u dëbuan nga tokat e tyre prej britanikëve dhe u deportuan në New England ose në Mbretërinë e Bashkuar. Pas këtij deportimi, një pjesë e të mbijetuarve u kthyen disa dekada më vonë në Acadia, ndërsa pjesa tjetër mbetën përfundimisht në rajone të ndryshme të botës, si Franca, Mbretëria e Bashkuar, apo edhe Luiziana.
Quebec - Ashtu siç kishin paralajmëruar shërbimet meteorologjike, pasojat e stuhisë Debby, e cila goditi bregun lindor të Shteteve të Bashkuara në fillim të kësaj jave që po mbyllet, u ndjenë edhe në disa rajone të Quebec brenda natës nga e premtja (09.08) në të shtunë. Në më pak se 24 orë, sasira të mëdha reshjesh shiu ranë njëra pas tjetrës, rrjeti rrugor u dëmtua dhe shumë banesa u privuan nga energjia elektrike. Ndërkohë që disa bashki qëndruan në gatishmëri, të tjera u detyruan të shpallin gjendjen e jashtëzakonshme. Në qendër të Montreal ranë 145 mm shi në harkun e 24 orëve, ndërsa në Dorval 154 mm. Në Brossard (Bregu jugor), akumulimi i reshjeve arriti në 163 mm, ndërsa në Terrebonne (Bregu verior), ranë 160 mm. Sipas statistikave, në metropolin frankofon, mesatarja e reshjeve gjatë gjithë muajit gusht arrin maksimumi 94 mm. Por shirat e rrëmbyeshëm nuk u kufizuan vetëm në Montrealin Metropolitan. Në rajonin Outaouais, në Gatineau ra 70 deri në 100 mm shi, më pas në Estrie, vlerësohet se Sherbrooke pati 80 mm dhe Granby, 112 mm shi. Në Lanaudière, Bashkia L'Assomption regjistroi 132 mm shi, ndërsa 114 mm ranë në Trois-Rivières, rajoni Mauricie. Megjithatë, demin më të madh nëna natyrë e shkaktoi në Bashkinë Lanoraie, ku reshjet arritën në 221 mm. Më pas shirat e rrëmbyeshëm - të kombinuara me erërat e forta - dëmtuan dhe rrjetin elektrik dhe sipas Hydro-Quebec në pikun e krizës rreth 550,000 klientë u privuan për disa orë gjatë mbrëmjes nga energjia në rajonet Estrie, Montreal, Laval, Montérégie dhe Lanaudière. Ministria e Rendit Publik dhe ajo e Transportit raportuan gjithashtu rrëshqitje të shumta dherash dhe rrugë të dëmtuara mëngjesin e djeshëm (10.08). “Kemi rreth tridhjetë mbyllje rrugësh të lidhura me përmbytjet”, deklaroi Louis-André Bernard, zëdhënës i Ministrisë së Transportit, në një intervistë me Radio-Canada. Këto mbyllje prekën kryesisht rajonin Lanaudière, ku autostrada 40, ndër të tjera, u mbyll në të dy drejtimet pranë Yamachiche, nga Louiseville në sektorin Pointe-du-Lac, në Trois-Rivières. Drejtues automjetesh gjithashtu mbetën të bllokuar në autostradat 13, 15 dhe 40, ndërsa disa seksione të autostradave u mbyllën edhe në rajonin e Montrealit Metropolitan.
© Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada
Fotot: CBC/Radio-Canada; The Canadian Press