Paris 2024: 27 medalje olimpike, një rekord për Kanadanë
- Published in Kanada

Me mbylljen e Lojërave Olimpike të Parisit dhe me fitoren e gjithsej 27 medaljeve (9 ari, 7 argjendi dhe 11 bronzi), delegacioni olimpik kanadez arriti sivjet një rekord që i tejkalon të gjithë rezultatet në pjesëmarrjet e mëparshme në lojërat olimpike verore të pabojkotuara, duke u klasifikuar në vendin e 11-të në renditjen e pëgjithshme.
Pas nisjes së konkurrimit të atletëve nga e gjithë bota në Paris, e para kanadeze që u ngjit në podiumin e fituesve ishte fenomeni 17 vjeçar, notarja nga Toronto Summer McIntosh, e cila mori medaljen e argjendtë në garën 400 metra stil i lirë, duke realizuar kohën 3:58:37, menjëherë pas australianes Ariarne Tittmus (3:57.49), e cila mbrojti me sukses titullin e saj olimpik.
Argjendin e McIntosh, e pasoi një medalje bronzi historike në skermë, e fituar nga Eleanor Harvey, e cila mundi 15-12 italianen Alice Volpi. Ky është rezultati më i lartë deri më sot për Kanadanë në këtë disiplinë.
Një kapitull i ri në historinë kanadeze të zhytjes tashmë i përket Nathan Zsombor-Murray dhe Rylan Wiens. Medalja e tyre e bronztë në 10 metra të sinkronizuar është podiumi e parë olimpik kanadez në këtë garë për meshkuj. Dy kanadezët grumbulluan 422.13 pikë, pas kinezëve Lian Junjie et Yan Hao me 490,35 pikë dhe britanikëve Thomas Daley et Noah Williams me 463,44 pikë. Alexandre Despatie ka qenë zhytësi i fundit kanadez që fitoi një medalje olimpike argjendi në 3 metra individuale në vitin 2008.
Më pas erdhi medalja e argjendtë surprizë në regbi me 7 lojtarë për femra. Kanadezet, të cilat nuk llogariteshin si favorite për në finale, mundën Francën në çerekfinale 19-14, Australinë në gjysëmfinale 21-12, ndërsa në finale humbën me ekipin neozelandez 19-12. Skuadra kanadeze pat ngjitur shkallën e tretë të podiumit në përvojën e saj të parë, në Rio, në vitin 2016, përpara se të përfundonte në vendin e 9-të në Tokio në vitin 2021.
Medaljen e parë të artë në Paris ia dhuroi Kanadasë xhudistja Christa Deguchi, e cila u kurorëzua kampione olimpike në kategorinë nën 57 kg. Deguchi mundi në finale koreanojugoren Mim Huh, me të cilën pat humbur finalen e Kampionatit Botëror sivjet në pranverë.
Medaljen e dytë të artë e fitoi Summer McIntosh në garën 400 metra katër-notim me gati 6 sekonda diferencë nga vendi i dytë.
Për notarin kanadez Ilya Kharun, 19 vjeç, Lojërat e Parisit ishin të parat si pjesëmarrje. Ai arriti të fitojë medaljen e bronztë në 200 metra flutur, duke u bërë i pari kanadez që ngjitet në podium në një garë për meshkuj pas 12 vjetësh. Kharun (1:52.80) u mund vetëm nga fenomeni francez Léon Marchand, i cili vendosi një rekord olimpik me kohën 1:51.21 dhe hungarezi Kristof Milak (1:51.75), mbajtësi i rekordit botëror në këtë garë.
Në garën e saj të tretë individuale, 200 metra flutur, Summer McIntosh fitoi medaljen e saj të dytë të artë. Ajo gjithashtu vendosi një rekord olimpik me kohën 2:03.03.
Sophiane Métot, trampolinistja e parë nga Quebec që merr pjesë në Lojërat Olimpike përfundoi e 3-ta duke i shtuar listës së fitoreve kanadeze një medalje bronzi.
Pas 24 vitesh, që nga fitorja e Daniel Nestor dhe Sébastien Lareau në dyshe, sivjet dyshja miks kanadeze Gabriela Dabrowski dhe Félix Auger-Aliassime arriti të marrë një medalje bronzi duke mundur holandezët Demi Schuurs dhe Wesley Koolhof.
Një tjetër fitore në garat e notit ishte medalja e bronztë në 200 metra shpinë, të cilën e siguroi notarja Kylie Masse me kohën 2:05.57. Kjo ishte medaljen e pestë olimpike në karrierën e saj, e katërta për një garë individuale. Ajo pat fituar medaljen e argjendtë në 200 metra shpinë në Lojërat e Tokios në vitin 2021.
Në garën Rowing Eight (vozitje me 8 vetë) për femra, kanadezet nuk qenë në gjendje të mbronin me sukses titullin e tyre të fituar në Tokio, por ekuipazhi i përbërë nga Abby Dent, Kristina Walker, Sydney Payne, Avalon Wasteneys, Kasia Gruchalla-Wesierski, Maya Meschkuleit, Caileigh Filmer, Jessica Sevick dhe Helmswoman Kristen Kit ia doli megjithatë të fitonte medaljen e argjendtë me kohën 5:58.84. Në vend të parë u rendit ekipi rumun, njëherazi dhe kampion bote në vitin 2023.
Në garën 100 metra flutur për meshkuj, Kanadaja ia doli të marrë dy medalje, një argjendi dhe një bronzi. Ishte e para herë që një dyshe kanadeze ngjitej në podium lojërash olimpike në të njëjtën garë noti individuale. Kjo u realizua falë Josh Liendo dhe Ilya Kharun. Liendo gjithashtu u bë notari i pare kanadez me ngjyrë që fiton një medalje në Lojërat Olimpike. Distancën ai e përshkoi për 49.99 s dhe iu afrua shumë fitores, por hungarezi Kristof Milak e mundi në vijën e finishit me avantazh 9 të qindtat e sekondës (49.90 s).
Në garën 200 metra katër-notim për femra ishte sërish Summer McIntosh që u ngjit në majën më të lartë të podiumit, duke fituar dhe medaljen e tretë të artë individuale në Lojërat e Parisit. Ajo madje realizoi një rekord olimpik me kohën fantastike 2:06.56.
Në listën e medaljeve të sivjetme u shtua dhe një e tillë nga disiplina e boksit për meshkuj. 25 vjeçari Wyatt Sanford fitoi medaljen e bronztë në peshën 63.5 kg. Bronzi i Sanford shënon medaljen e parë të boksit për Kanadanë në Lojërat Olimpike që nga ajo e të ndjerit David Defiagbon në Atlanta në vitin 1996.
Ethan Katzberg ishte kanadezi i tretë që fitoi medalje ari në këto Lojëra pas dominimit total në garën e hedhjes së çekiçit. Qysh në fillim, ai realizoi distancën e 2-të në historinë olimpike, 84.12 metra, vetëm 68 cm nga rekordi i rusit Sergey Litvinov, i vendosur në vitin 1988. Më pas askush nuk mundi t'i afrohej gjigantit nga British Columbia.
Dy ditë pas fitores së Ethan Katzberg, atletja Camryn Rogers (edhe ajo nga British Columbia) i dhuroi Kanadasë një tjetër medalje ari në hedhjen e çekiçit. Rogers përfundoi e para falë rezultatit të provës së parafundit, duke realizuar distancën 76,97 metra, 1,49 m më shumë se amerikania Annette Nneka Echikunwoke (75,48 m) që u rendit e dyta. Kësisoj, performance e sivjetme e ekipit kombëtar të atletikës e trefishoi sasinë e medaljeve në hedhjen e çekiçit. Medalja e vetme në këtë disiplinë datonte në vitin 1908, në Lojërat e Londrës, kur Con Walsh pat fituar bronzin.
Në Paris Kanadaja fitoi për herë të parë edhe një medalje në kërcimin me shkop për femra. Vendi i tretë në podium dhe medalja e bronzit mban nënshkrimin e ontarianes Alysha Newman, që kapërceu lartësinë 4.85 m. William Halpenny ka qenë atleti i fundit kanadez që arriti podiumin në kërcimin me shkop, me medaljen e bronzit në Lojërat e Stokholmit më 1912.
Në garën e peshëngritjes për femra u realizua gjithashtu fitorja e një medaljeje argjendi nën autorësinë e Maude Charron, në peshën 57 kg. Medaliste e artë në kategorinë 64 kg në vitin 2021 (displinë e suprimuar tashmë në lojërat olimpike), Charron ngriti 106 kg në shkëputje, ndërsa rezultati i saj më i mirë në shtytje ishte 130 kg, që e çoi atë në një kumulativ prej 236 kg.
Kanadaja koleksionoi gjithashtu një medalje bronzi në Taekwondo për femra, pesha 57 kg, falë fitores së atletes 25 vjeçare nga Manitoba Skylar Park, e cila mundi libanezen Laetitia Aoun, një medalje bronzi në kanoe-kajak dyshe për femra, që e siguruan Katie Vincent dhe Sloan MacKenzie, si dhe një medalje argjendi në volejboll plazhi për femra, që mban autorësinë e Melissa Humana-Paredes dhe Brandie Wilkerson.
Katër medaljet e fundit për kanadezët, që e çuan numrin e përgjithshëm në 27, ishin 3 ari dhe një argjendi. Argjendin në vrapimin 800 m për meshkuj, me 1/100 e sekondës më pak se vendi i parë e fitoi Marco Arop, që është dhe kampion i botës në fuqi në këtë disiplinë. Medaljen e artë në garën me kanoe individuale 200m për femra, duke realizuar njëherazi dhe një rekord botëror, e siguroi Katie Vincent. Kanadezët Aaron Brown, Jerome Blake, Brendon Rodney et Andre De Grasse u kurorëzuan gjithashtu kampionë olimpikë në stafetën 4 x 100 metra, ndërsa Phil Wizard Kim, kampion olimpik në Breaking për meshkuj. Phil Wizard Kim mund të jetë ndoshta kampioni i pare dhe i fundit olimpik në historinë e Breaking. Kjo disiplinë u fut për herë të parë në një olimpiadë sivjet në Paris, por nuk do të jetë pjesë e programit në Lojërat e Los Anxhelos në vitin 2028.
© Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada Sports
Foto: CTV News