Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 18 gusht 2024

  • Published in Kanada

 

Bouctouche Dune - New Brunswick

 

-British Columbia, mijëra vetë në bregun jugor të provincës pa energji elektrike

-Alberta, shifra e dëmeve nga zjarri në Jasper llogaritet rreth 283 milionë dollarë

-New Brunswick, restaurohet fari i famshëm Swallowtail në ishullin Grand Manan

-Newfoundland, uragani Ernesto mund të prekë pjesën lindore të provincës

-Québec, riparimi i tubit të çarë të ujësjellësit në Montreal do marrë javë të tëra

-Ontario, çmontohet në Toronto fasada e një ndërtese që rrezikonte të shembej

 

British Columbia - Stuhitë dhe shirat e rrëmbyeshëm privuan nga energjia elektrike gati 20,000 klientë të BC Hydro në bregun jugor të British Columbia gjatë natës së mbrëmshme (17.08), ndërsa sot në mëngjes (18.08), ende qindra njerëz nuk kishin energji. Rajoni Metropolitan Vancouver, pjesa lindore e ishullit Vancouver, brigjet e Sunshine, jugu i ishujve Gulf dhe gjiri Howe u përfshinë nga moti i keq. “Në kulmin e stuhisë, ishin kryesisht Lower Mainland dhe ishulli Vancouver që u prekën nga mungesa e energjisë elektrike”, i ka raportuar CBC Kevin Aquino, zëdhënës i BC Hydro, duke shtuar që ekipet e terrenit punuan për të rivendosur energjinë elektrike midis mesnatës dhe orës 4 të mëngjesit. Paraditen e sotme, numri i klientëve pa energji elektrike në bregdetin jugor të provincës tashmë ishte ulur ndjeshëm, me më pak se 500 persona të prekur ende. Githnjë sipas zëdhënësit të BC Hydro, me tendencat e motit si rasti i fundit, mund të priten më shumë ndërprerje të energjisë gjatë ditës. Ai e ka përshkruar stuhinë e kësaj fundjave si një rast unikal për sezonin aktual. “Klientët inkurajohen të jenë të përgatitur: ata duhet të kenë gjithmonë një çantë urgjence gati dhe të jenë të kujdesshëm kur shohin linja elektrike të rrëzuara. Duhet qëndruar gjithmonë të paktën 10 metra larg tyre”, ka këshilluar ai.

Alberta - Sipas shifrave paraprake të Bashkisë Jasper në Alberta, vlerësohet se zjarret e muajit të kaluar që përfshinë qytetin turistik në parkun kombëtar me të njejtin emër, kanë shkaktuar një dëm total me vlerë rreth 283 milionë dollarë. Bashkia ka raportuar gjithashtu se përveç 358 strukturave të shkatërruara totalisht, kryesisht biznese dhe banesa, numri total i godinave të papërdorshme është afërsisht 800. Këto shifra u janë paraqitur këshilltarëve nga Drejtori i Përgjithshëm Bill Given gjatë një mbledhje virtuale të marten e kaluar (13.08), sipas të cilit, ato do të bëhen edhe më dekurajuese ndërkohë që rindërtimi do nisë, sepse strukturat e shkatërruara përbëjnë një humbje prej 2.2 milionë dollarësh në të ardhurat vjetore nga taksa mbi pronën, çka do të thotë një ulje e kapacitetit financiar të bashkisë pikërisht në kohën kur ajo ka më shumë nevojë. Në këto kushte, drejtori Given ka deklaruar se për të plotësura deficitin do të kërkohen financime nga provinca dhe qeveria federale. Gjatë mbledhjes, këshilli miratoi një numër mocionesh në lidhje me hapat e ardhshëm për t’u marrë në përpjekje për t’iu rikthyer normalitetit. Mocionet e miratuara përfshinin pezullimin dhe shtyrjen e pagesave dhe mbledhjen e taksës mbi pronat e dëmtuara dhe të shkatërruara, si dhe tarifave për shërbimet publike. Këshilli miratoi gjithashtu një mocion që i kërkonte administratës të shqyrtojë mundësinë e rimbursimit të pjesshëm të taksave mbi pronën për banorët, shtëpitë apo bizneset e të cilëve u shkatërruan dhe që i kanë paguar taksat vjetore të plota përpara rënies së zjarreve. Ndërkohë, prej të premtes (16.08) në Jasper ka nisur rikthimi gradual i 5000 banorëve të evakuuar.

New Brunswick - CBC/Radio-Canada raportoi se ka përfunduar restaurimi i një prej farëve më të vjetër të provincës atlantike New Brunswick. Fari i famshëm Swallowtail në ishullin Grand Manan është gati për rikthimin e vizitorëve. Ky far u ndërtua në vitin 1859 dhe u ndez për herë të parë në verën e vitit 1860. Vitet e fundit struktura ishte shumë e degraduar dhe kishte shumë nevojë për riparime. Situata ngjalli panikun se dëmi së shpejti do të bëhej i pakthyeshëm. Përfundimisht kulla është riparuar dhe të gjitha pllakat e drurit janë zëvendësuar me të reja. Ken Ingersoll, rojtari i farit, i ka pohuar Radio-Canada se ka patur momente që mendonte se kjo ditë nuk do të vinte kurrë. Ai ndihet i lehtësuar kur më në fund e sheh strukturën në gjendje të përsosur. U deshën plot dy vjet përpjekje për të mbledhur fondet e nevojshme për restaurimin, por përveç mungesës së fondeve, riparimi i farit Swallowtail paraqiste sfida unike. Rruga drejt tij përfshin dhe një urë druri me shkallë shumë të pjerrëta. Për të transportuar materialet në rrugë ajrore u përdor një helikopter i Rojes Bregdetare Kanadeze.

Newfounland - Qendra Kanadeze e Uraganeve po monitoron nga afër trajektoren e uraganit Ernesto. Aktualisht kategoria 2, uragani Ernesto po shkon drejt Bermudës dhe duhet t’i afrohet gradualisht bregut të Nova Scotia-s përpara se të niset drejt ishullit Newfoundland në fillim të javës së ardhshme. Në një komunikim me mediat, Bob Robichaud, meteorolog pranë Qendrës Kanadeze të Uraganeve, nënvizoi të premten (16.08) se uragani nuk është intensifikuar aq sa pritej, por ka ende një mundësi në ditët në vijim që ai të intensifikohet. Aktualisht, shpejtësia e erërave është llogaritur 155 kilometra në orë. Duke pasur parasysh trajektoren aktuale të Ernesto-s, ai pritet të mos i prekë seriozisht provincat detare. Ndikimi i vetëm që pritet për Nova Scotia-n janë valët përgjatë brigjeve të Atlantikut. Pas shmangies së Nova Scotia-s, stuhia pritet të lëvizë më në veri dhe të kalojë në lindje të ishullit Newfoundland në mbrëmjen e së hënës vonë (19.08) dhe gjatë natës nga e hëna në të martë. Megjithatë, është ende herët për të pasur parashikime të sakta në lidhje me trajektoren dhe ndikimin e uraganit mbi territorin e Newfounland.

Québec - Pas çarjes së një tubi kryesor me diameter 2 metra, të rrjetit të ujësjellësit në Montreal të premten (16.08) pranë urës Jacques Cartier, çarje që ndër të tjera la pas një gropë të madhe, tani është koha për riparimin e dëmeve. Megjithatë, siç paralajmëroi dje (17.08) zëdhënësi i bashkisë Philippe Sabourin, kohëzgjatja e punimeve mund të shkojë përtej 2 muajve, pasi bashkia nuk i disponon pajisjet e nevojshme për këto lloj riparimesh. Sipas raportit paraprak mbi dëmet, 50 banesa dhe 20 biznese u përmbytën dhe përveç kësaj, tre persona nuk mundën të ktheheshin në banesën e tyre në mbrëmjen e të premtes. Atyre iu ofruan shërbimet e Kryqit të Kuq. Në kulmin e krizës, kur ende nuk ishte ndalur rrjedhja masive mbi rrugë e ujit, rreth 13,000 banesa ishin pa energji elektrike sepse Hydro-Quebec e ndërpreu energjinë me kërkesë të Shërbimit të Zjarrfikësve dhe ekipeve të urgjencës. Pas nomalizimit të situates me ujin, u rihapën për qarkullim rrugët e mbyllura në zonën përreth dhe nisi grumbullimi dhe pastrimi i mbeturinave nga pesëdhjetë shtëpi dhe njëzet biznese të përmbytura. Bashkia Montreal ende nuk i di shkaqet e çarjes së tubit i cili u instalua në vitin 1985, më pak se dyzet vjet më parë. Në parim, këta lloj tubash betoni kanë një jetëgjatësi rreth njëqind vjet. Në një mesazh elektronik dërguar Radio-Canada, bashkia shkruante se tubi ishte inspektuar për herë të fundit në vitin 2018 dhe se inspektimi i radhës ishte planifikuar për tetor 2024. Sipas zëdhënësit Philippe Sabourin, “një nga hipotezat e formuluara është se kripa e rrugës e hedhur në dimër, duke inflitruar vit pas viti me ujërat zonën rreth tubit kryesor i ka shkaktuar atij korrozion, por është ende herët për të dale në një konkluzion të tillë”.

Ontario - Një ndërtesë e Kensington Market në Toronto, që rrezikonte të shembej të premten (16.08), u shkatërrua pjesërisht gjatë natës duke u gdhirë e shtuna. Bashkia Toronto e çmontoi fasadën e ndërtesës dykatëshe në rrugën Dundas West në qendër të qytetit, përpara se ajo vetë të shembet. Zjarrfikësit e bashkisë, të cilët u lajmëruan nga një telefonatë rreth orës 10 të mëngjesit të së premtes, konfirmuan se fasada dukej se kishte një problem strukturor. Ata pohuan gjithashtu se katër ndërtesa ndajnë të njëjtën strukturë dhe çatia që u rrëzua në dy nga apartamentet dëmtoi dhe dy të tjerët. Ndërtesa kombinonte hapësira banimi dhe komerciale. Tetë familje që jetonin atje tashmë janë strehuar nga Kryqi i Kuq dhe nuk dihet ende se kur ato do të mund të kthehen në shtëpi. Sipas dokumenteve të bashkisë, objekti në fjalë është konsideruar i pasigurt gjatë një inspektimi dhjetë vjet më parë, por që atëherë nuk është kryer asnjë punim. Ndërkohë Departamenti i Infrastrukturës së Bashkisë Toronto do të kryejë një hetim me pronarin për të përcaktuar shkaqet e shembjes. Fatmirësisht nga ngjarja nuk është raportuar asnjë person i lënduar.

© Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada

Fotot: CBC/Radio-Canada; The Canadian Press/Amber Bracken; Getty Images