Kanada - Provinca Quebec merr masa për reduktimin e imigracionit të përkohshëm
- Published in Kanada
Qeveria provinciale e kryeministrit nacionalist-federalist François Legault njoftoi dje (20.08) në mëngjes dy masa që synojnë reduktimin e numrit të rezidentëve jo të përhershëm në Quebec. Këto masa u prezantuan në një konferencë shtypi nga vetë kryeministri dhe nga ministrja e Imigracionit, Francizimit dhe Integrimit, Christine Fréchette.
Ashtu siç pat paralajmëruar Radio-Canada të hënën në mbrëmje (19.08), Programi i Përkohshëm i Punëtorëve të Huaj do të pezullohet në rajonin e Montrealit për ato vende pune, paga e të cilëve është më e ulët se paga mesatare në Quebec, d.m.th. 57.000 dollarë. Ky pezullim, që do të prekë aplikimet e reja dhe rinovimet e lejeve të punës, do të hyjë në fuqi më 3 shtator dhe do të zgjasë gjashtë muaj. Megjithatë, masat e reja parashikojnë përjashtime për sektorët e shëndetësisë, arsimit, ndërtimit, bujqësisë dhe përpunimit të ushqimit. Sipas të dhënave të publikuara nga ekipi i François Legault, numri i imigrantëve të përkohshëm në Quebec u rrit nga 160.273 në 2018, në 560.174 në fund të vitit 2023. Ky total përfshin punëtorë të huaj, studentë dhe aplikantë për punë.
Qeveria Legault njoftoi gjithashtu se këtë vjeshtë do të depozitohet dhe një projektligj në Parlament, për të kontrolluar më mirë ardhjen e studentëve të huaj në provincën frankofone, proces i cili ka pasur abuzime. Sipas Quebec, është domosdoshmëri kufizimi i numrit të kërkesave të studentëve të huaj bazuar në disa kritere si lloji i institucionit, numri i studentëve të huaj për institucion, rajoni, niveli i studimeve etj.
Nuk është ende e qartë se çfarë do të përmbajë projektligji në fjalë. Zyra e ministres së Arsimit të Lartë, Pascale Déry, megjithatë, ka pohuar për mediat se nuk do të targetohen në mënyrë specifike universitetet anglofone, duke nënvizuar se projekti do të prekë gjithë rrjetin universitar.
Duke ndërhyrë në këtë mënyrë, qeveria e Quebec po synon të veprojë brenda hapësirave të juridiksionit të saj për të frenuar rritjen e pakontrolluar të numrit të imigrantëve të përkohshëm, një fenomen për të cilin përgjegjësinë e ka kryesisht qeveria federale. “Sot, në një farë mënyre ne po japim një shembull”, u shpreh François Legault, duke specifikuar se pezullimi i Programit të Përkohshëm të Punëtorëve të Huaj në Montreal, i cili edhe mund të zgjatet, do të bëjë të mundur pakësimin me 3500 vetë të numrit të rezidentëve të përkohshëm në metropol gjatë gjashtë muajve të ardhshëm. “Por nga ana tjetër, qeveria federale duhet të veprojë dhe kjo është ajo për të cilën ne do të vazhdojmë të luftojmë. Kësisoj dhe ministri i Emigracionit, Refugjatëve dhe Shtetësisë [Marc Miller] nuk do të jetë më në gjendje të thotë ju nuk po jepni shembull”, shtoi ai.
Kryeministrat François Legault (majtas) dhe Justin Trudeau u takuan qershorin e kaluar në Quebec për të diskutuar çështje që lidhen me imigracionin
Sipas Statistics Canada, Quebec aktualisht ka në territorin e vet rreth 600.000 imigrantë të përkohshëm, nga të cilët 420.000 përzgjidhen ose menaxhohen nga Ottawa. Mes tyre janë 190.000 azilkërkues dhe kjo është më shumë se gjysma e totalit kanadez. Ky numër është shumë i lartë, sipas Quebec, që i ka kërkuar Ottawa-s të marrë masa për një shpërndarje më të balancuar të azilkërkuesve në të gjithë vendin. Qeveria Legault synon në veçanti të bindë qeverinë federale të vendosë kuota sipas provincave.
Ndërkohë që pritet edhe reagimi i Ottawa-s, misionet e rekrutimit, të financuara nga fondet publike të Quebec, do të reduktohen dukshëm. “Ne të gjithë kemi për detyrë të zvogëlojmë numrin e imigrantëve të përkohshëm për të qenë në gjendje të mbrojmë shërbimet tona publike dhe gjuhën frënge, sepse aktualisht, Quebec ka tejkaluar dukshëm kapacitetin e tij integrues”, ka deklaruar në fund të konferencës për shtyp François Legault.
© Flasshqip.ca me Informacion nga Radio-Canada
Fotot: Radio-Canada/Ivanoh Demers; The Canadian Press/Jacques Boissinot