Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 25 gusht 2024

  • Published in Kanada

Lake Louise - Alberta

 

-British Columbia, Auditori i Përgjithshëm gjen gabime në Raportin financiar të qeverisë

-Alberta, pas mbylljes për shkak të zjarreve, rihapet rruga 93 Icefields Parkway

-Nova Scotia, një grup peshkatarësh kërkon ndalimin e gjuetisë së karavidheve jashtë sezonit nga autoktonët

-Prince Edward Island, Wassim Salamoun emërohet zëvendësgouvernator i provincës

 

British Columbia - Sipas CBC, zyra e Auditorit të Përgjithshëm të British Columbia, ka konstatuar dy “gabime të rëndësishme” në Raportin financiar të qeverisë Neodemokrate të publikuar të enjten (22.08), por nga ana e saj, ministria e Financave ka pohuar se është këshilluar të vazhdojë të përdorë ato që Auditori i Përgjithshëm i cilëson si praktika kontabël të vjetra. Në një deklaratë të kreut të zyrës në fjalë, Michael Pickup, thuhet se pasaktësitë e konstatuara mund të krijojnë probleme për përdoruesit e pasqyrave financiare dhe shkak për interpretime të gabuara. Megjithatë, sipas tij, ato nuk përbëjnë shkelje për t’u ndëshkuar administrativisht. Ministrja e Financave e provincës, Katrine Conroy, njoftoi të enjten se provinca e mbylli vitin fiskal më 31 mars me një deficit prej 5.035 miliardë dollarësh, më i ulët se vlerësimi i fundit prej 5.9 miliardë dollarësh. Ndërkohë, në deklaratën e Michael Pickup theksohet se gabimi i parë ka të bëjë me mënyrën se si qeveria llogarit paratë që merr nga qeveria federale dhe burime të tjera dhe i dyti lidhet me faktin se provinca i ka llogaritur më pak se sa duhet detyrimet e saj kontraktuale. Auditori i Përgjithshëm shton gjithashtu se të ardhurat për vitin financiar janë llogaritur më pak në masën 7.67 miliardë dhe borxhet janë mbivlerësuar me të njëjtën shumë. Po ashtu, detyrimet kontraktuale të provincës janë përllogaritur më pak në masën 5.7 miliardë dollarë.

Michael Pickup

Alberta - Icefields Parkway në Alberta (Rruga 93 North, ose thënë ndryshe Shtetitorja e Akullnajave që përshkohet nga rreth 1.2 milionë vizitorë në vit) është rihapur të premten (23.08) për qarkullimin e automjeteve. Për më shumë se një muaj, ajo u mbyll për shkak të zjarreve në pyje që çuan në evakuimin e Jasper, i cili u shndërrua në qytet fantazëm. Megjithatë, Parks Canada ka njoftuar se ndalimi në anë të rrugës nuk është i lejuar momentalisht. “Edhe pse zjarri në pyll konsiderohet i kontrolluar, rreziqet vazhdojnë”, sipas shpjegimit të zyrtares përgjegjëse për informacionin mbi zjarret pranë agjencisë federale të parqeve, Charlotte Chambers. “Duhet të bëhet një vlerësim më i thelluar i rreziqeve dhe të hiqen pemët e djegura dhe të rrëzuara, përpara se publiku të ndalojë për të soditur peizazhin përreth”, i ka pohuar ajo CBC. Për më tepër, qyteti Jasper është ende e mbyllur për vizitorët dhe nuk ka asnjë shërbim përgjatë rrugës 93. Megjithatë, agjencia federale ka siguruar që shërbimet e urgjencës do të jenë të disponueshme në seksionet e trafikut të lejuar. Sa i përket kohës kur turistët do të mund të vizitojnë sërish Jasper, sipas drejtorit të Financave në këtë bashki, Michael Fark, është e pamundur të jepet një afat. Në situatën aktuale, duket se autoritetet s’mund të thonë nëse kjo situate do të zgjasë disa ditë, javë apo muaj. Rruga 93 North, 229 km e gjatë, e cila lidh liqenin Louise me Jasper, konsiderohet si një nga më të bukurat në botë.

Nova Scotia - Një grup peshkatarësh nga jugperëndimi i provincës atlantike Nova Scotia, i kanë kërkuar gjykatës të shpallë të paligjshëm peshkimin e karavidheve që praktikohet nga komuniteti autokton Sipekne’katik. Aleanca e Bashkuar e Mbrojtjes së Peshkimit ka njoftuar se kërkon gjithashtu që gjykata të përcaktojë shtrirjen dhe kufijtë që duhet të zbatohen për peshkimin që operohet nga ky komunitet në Gjirin e Shën Marisë. Avokati i këtij grupimi, Michel Samson, ka pohuar për CBC se një njoftim padie ligjore është dorëzuar të enjten (22.08) në Gjykatën e Lartë të Nova Scotia. Samson ka shtuar se Aleanca është duke ndërmarrë veprime ligjore sepse një tjetër çështje gjyqësore - e ngritur nga Sipekne’katik First Nation kundër qeverisë federale dhe asaj të Nova Scotia - është pezulluar me qëllim që të arrihet një zgjidhje e ndërmjetësuar. Sipekne’katik First Nation iu dejtua gjykatës në vitin 2021 për të konfirmuar të drejtat e peshkimit të karavidheve. Peshkatarët tregtarë dhe ata autoktonë të karavidheve në Nova Scotia, kanë qenë prej kohësh në konflikt mbi çështjen e të drejtave të autoktonëve për të peshkuar jashtë sezonit të rregulluar me ligj nga qeveria federale. Në një deklaratë për shtyp, Aleanca e Bashkuar për Mbrojtjen e Peshkimit, e cila ishte pale e interesuar në çështjen Sipekne’katik, theksoi se ishte e papranueshme që procedurat gjyqësore të pezulloheshin në favor të ndërmjetësimit. Presidenti i Aleancës Colin Sproul u shpreh se peshkatarët nuk besojnë më që qeveria federale mund t’i mbrojë interesat e titullarëve të liçencave tregtare të peshkimit.

Price Edward Island - Antoinette Perry nuk do të jetë më Zëvendësguvernatore e provincës Princ Edward Island. Dr. Wassim Salamoun u emërua në këtë detyrë të premten (23.08) nga kryeministri Justin Trudeau. Gjatë karrierës së tij, Dr. Wassim Salamoun ka qenë kirurg dhe drejtor i Shëndetësisë në pjesën perëndimore të ishullit. Ai gjithashtu ka shërbyer në disa borde mjekësore lokale dhe provinciale. “Një drejtues i respektuar i komunitetit dhe profesionist i shëndetësisë, ai ia ka kushtuar gjithë jetën e tij mirëqenies së banorëve të Prince Edward Island”, thuhej në njoftimin për shtyp të qeverisë federale publikuar gjithashtu të premten. I lindur në Liban, Dr. Wassim Salamoun jeton në Summerside që nga viti 1989. Emërimi i tij mbylli mandatin e Antoinette Perry, gruas së parë akadiane që ka mbajtur këtë pozicion në province për shtatë vjet. Zëvendësguvernatorët e provincave emërohen për një mandat të paktën pesë vjet.

© Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada; Mitch Diamond/Getty Images;