Shtetet e Bashkuara lobojnë kundër taksës kanadeze të shërbimeve digjitale
- Published in Kanada

Sipas The Canadian Press, qeveria federale kanadeze ka pohuar dje (30.08) se është në kontakt të ngushtë me partnerët e saj amerikanë për shkak se administrata e Presidentit Joe Biden po rrit përpjekjet e saj për t’i dhënë fund taksës kanadeze të shërbimeve digjitale, e cila prek gjigantët e industrisë amerikane. Nga ana e saj, Zyra e Përfaqësuesit të Tregtisë së Shteteve të Bashkuara ka kërkuar konsultime për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Kanadanë, bazuar në Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë Kanada-SHBA-Meksikë. “Shtetet e Bashkuara i kundërshtojnë taksat e njëanshme të shërbimeve digjitale që diskriminojnë bizneset amerikane”, deklaroi po dje (30.08) Përfaqësuesja Tregtare e SHBA Katherine Tai.
Amerikanët e kanë kritikuar taksën prej 3% të vendosur ndaj gjigantëve të huaj të teknologjisë numerike që gjenerojnë të ardhura nga përdoruesit kanadezë dhe kompanitë në fjalë tani duhet të paguajnë taksa për këto të ardhura në Kanada.
Zonja Tai e ka konsideruar diskriminues taksimin, duke theksuar se një qëndrim i tillë nuk përputhet me angazhimet e Kanadasë për të mos i trajtuar kompanitë amerikane në mënyrë më pak të favorshme se kompanitë kanadeze. Përfaqësuesja e Tregtisë e SHBA e ka shprehur në mënyrë të përsëritur këtë qëndrim gjatë një takimi me ministren kanadeze të Tregtisë Ndërkombëtare Mary Ng në Uashington që është zhvilluar në fillim të kësaj jave.
Pavarërisht pozicionimit të SHBA për këtë çështje, ministrja e Tregtisë Ndërkombëtare Ng dhe ministrja e Financave Chrystia Freeland kanë ripërsëritur me vendosmëri mbështetjen e tyre për taksën në fjalë përmes një deklarate të përbashkët duke siguruar se konsultimet do të tregojnë se “si Kanadaja përmbush detyrimet e saj tregtare”.
Ndërkohë, një zyrtar i qeverisë kanadeze i cili nuk ka preferuar t’i citohet emri, është shprehur se Ottawa nuk ishte as e shqetësuar dhe as e befasuar nga vendimi për të përfshirë këtë çështje në marrëveshjen tregtare. Nëse të dy vendet nuk arrijnë të zgjidhin shqetësimet e SHBA brenda 75 ditëve, Shtetet e Bashkuara mund të kërkojnë shqyrtimin e çështjes nga një grup i posaçëm arbitrazhi.
Taksa digjitale ishte pjesë e platformës elektorale liberale gjatë fushatës së vitit 2019. Konservatorët dhe Neodemokratët patën propozuar gjithashtu masa të ngjashme. Megjithatë, qeveria liberale e vonoi zbatimin e saj për t’i dhënë më shumë kohë përpjekjeve në rang ndërkombëtar për të krijuar një plan taksimi shumëkombësh më të gjerë.
Pas vonesave të konsiderueshme në këtë proces nga ana e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), Kanadaja më në fund vendosi zbatimin e taksës së saj. Vende të tjera kanë vënë në zbatim gjithashtu masa të ngjashme për taksimin e fitimeve të kompanive të mëdha shumëkombëshe në sektorin digjital.
Në këtë kontekst, qëndrimi i dy ministreve Ng dhe Freeland ka ritheksuar se preferenca ka qenë gjithmonë një marrëveshje shumëpalëshe. “Qeveria e ka bërë të qartë se taksa e përkohshme e Kanadasë do të anulohet sapo të hyjë në fuqi një masë e pranueshme shumëpalëshe”, thuhej ndër të tjera në deklaratën e tyre të përbashkët.
Taksa e shërbimeve digjitale është kundërshuar nga ana e shoqatave tregtare dhe grupeve të biznesit në të dy anët e kufirit amerikano-kanadez. Nga ana e saj, Dhoma Kanadeze e Tregtisë ka deklaruar se e ka paralajmëruar qeverinë Trudeau se kjo taksë mund të dëmtojë marrëdhëniet tregtare SHBA-Kanada dhe të rrisë kostot në vend.
Në fillim të këtij muaji, gjiganti i teknologjisë numerike Google, njoftoi se duke filluar nga tetori i ardhshëm, do të zbatojë një shtesë kostoje prej 2.5% për reklamat e shfaqura në Kanada. Disa grupe që përfaqësojnë reklamuesit kanadezë kanë paralajmëruar se kompani të tjera mund të ndjekin shembullin e Google.
Computer and Communications Industry Association, e cila përfaqëson kompani të tilla si Amazon, Apple dhe Uber, e ka mirëpritur lëvizjen e djeshme të administratës Biden kundër taksës kanadeze. “Ne presim që, në kontekstin e marrëveshjes tregtare, fakteve dhe ligjit, Kanadaja ta zhbëjë këtë masë sa më shpejt”, ka pohuar në një deklaratë për shtyp zëvendëspresidenti i kësaj shoqate Jonathan McHale.
Information Technology Industry Council, një organizatë politikash, anëtarët e së cilës janë edhe kompani shumëkombëshe të teknologjisë, i kërkoi administratës së Presidentit Biden të mbajë në konsideratë të gjitha mjetet në dispozicion në procesin e konsultimeve me Kanadanë. “Ndërsa është për të ardhur keq që Kanadaja ka injoruar kërkesat e përsëritura nga palët e interesuara për të braktisur masën e saj të diskutueshme, industria i është shumë mirënjohëse administratës Biden, e cila ka ndërmarrë këtë veprim për të mbrojtur bizneset dhe punëtorët amerikanë”, vuri në dukje në një deklaratë për shtyp, Megan Funkhouser, drejtoresha e përgjithshme për taksat dhe biznesin e kësaj organizate.
© Flasshqip.ca me informacion nga The Canadian Press
Foto: Getty Images/Justin Sullivan